Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK)  është autoriteti përgjegjës për hartimin dhe kontrollin e zbatimit të politikave dhe standarteve të sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, të NATO-s, të BE-së, shteteve dhe organizative të tjera ndërkombëtare.

 

Misioni i Autoritet Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) është organizimi, drejtimi e kontrolli i masave për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar.

 

AKSIK-u, në zbatim të misionit të tij, kryen dhe realizon këto detyra:

a) përgatit projektaktet nënligjore për çështjet që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar;

b) përcakton rregullat për elementet e sistemeve që administrojnë informacion të klasifikuar dhe bën rekomandime për përshtatshmërinë e tyre;

c) mbikëqyr dhe inspekton rregullat e sigurisë për informacionin e klasifikuar;

ç) monitoron proceset e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe lëshon rekomandime për vendosjen e praktikave të standardizuara;

d) kryen certifikimin e personelit, i cili do të administrojë informacionin e klasifikuar;

dh) kryen akreditimin e sigurisë së sistemit në të cilin prodhohet, administrohet, përpunohet dhe ruhet informacioni i klasifikuar;

e) kryen certifikimin e operatorëve ekonomikë me CSI-në;

ë) inspekton operatorët ekonomikë në lidhje me zbatimin e masave të sigurisë të informacionit të klasifikuar;

f) rekomandon marrjen e masave për përmirësimin e punës në rastet e mangësive apo parregullsive në fushën e informacionit të klasifikuar;

g) rekomandon marrjen e masave dhe vendos masa administrative individuale në rastet kur konstaton shkelje të rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar kur këto rekomandime nuk plotësohen;

gj) shqyrton kërkesat për autoritet klasifikues nga institucione që nuk e kanë atë dhe, nëse është e përshtatshme, ia propozon për miratim Kryeministrit;

h) bashkëpunon me NATO-n, BE-në dhe me autoritetet kompetente të vendeve anëtare të këtyre organizatave për fushën të cilën mbulon;

i) merr pjesë dhe përgatit projektmarrëveshtjet mbi sigurinë e informacionit të klasifikuar me shtete apo organizata të tjera ndërkombëtare;

j) trajnon personelin që punon me informacion të klasifikuar.