Historiku
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), është krijuar në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar.
DSIK u krijua me Urdhërin e Kryeministrit, nr. 742, datë 14.2.2001. Drejtuesi i parë i saj ka qenë Z.Bajram Ibraj. Nga viti 2004 deri në vitin 2014 ka dhënë kontributin e tij 10 vjeçar Z. Shyqyri Dekavelli. Më pas, për periudhën 2014-2017 institucionin e drejtoi Z. Arben Seferi. Nga muaji Mars 2017 e në vazhdim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, drejtohet nga Z. Dorian Tola.
Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO. Si pjesë e këtij Traktati dhe si shtet anëtar i NATO, Shqipëria përmbushi synimin strategjik dhe objektivin parësor të politikës së jashtme duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka dhënë kontributin e saj në përafrimin e legjislacionit në fushën e informacionit të klasifikuar me Dokumentin e Politikës së Sigurisë së NATO, implementimin e standardeve të sigurisë së NATO, ngritjen e Sistemit të Regjistrit për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar të NATO, etj.
Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 31.05.2001, “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare”, DSIK është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në marrëdhënie me NATO, shtetet apo organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në vitin 2016, DSIK në zbatim të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u bë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm, ku në bashkëpunim me institucionet e rivlerësimit është autoritet përgjegjës për kontrollin e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve.