Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të (AKSIK) ka si mision të saj hartimin e politikave, programeve e procedurave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, mbikëqyrjen e institucioneve dhe operatorëve ekonomik të interesuar, ndjekjen e procedurave, edukimin dhe sigurimin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të gjitha disiplinat e tij. Drejtori i saj emërohet nga Kryeministri dhe përgjigjet përpara tij për drejtimin e institucionit në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, politikën e sigurisë së NATO-s dhe direktivat mbështetëse të saj nga ministritë dhe institucionet shtetërore. Gjithashtu, ai përgjigjet për përfaqësimin e AKSIK në marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit, për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar me NATO, shtetet apo organizatat e tjera ndërkombëtare.
Detyrat kryesore të AKSIK janë:
- Harton politika, programe e procedura për sigurimin e informacionit të klasifikuar dhe kontrollon zbatimin e tyre prej institucioneve. U rekomandon drejtuesve të institucioneve marrjen e masave të shpejta dhe të përshtatshme për korrigjimin e shkeljeve të vërejtura.
- Mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, dhe anën teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre.
- Harton procedura për parimet e klasifikimit, shenjëzimit, trajnimit dhe edukimit profesional, si dhe udhëzime për klasifikimin e deklasifikimin.
- Kryen rishikimin e programeve të secilit institucion, kërkon raporte nga këto institucione dhe bashkëpunon për përmbushjen e përgjegjësive.
- Bën certifikimin e personelit i cili administron informacionin e klasifikuar.
- Kryen procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve”.
- Informon të paktën një herë në gjashtë muaj Kryeministrin për çështjet e mësipërme.
- I propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e informacionit të klasifikuar.