
Ermal Jauri
Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK)
Z. Ermal Jauri është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 710, datë 16.09.2026.
Z. Jauri ka një përvojë të gjerë në fushën e sigurisë kombëtare dhe administratës publike, me angazhime në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, në kontrollin dhe auditimin publik, si dhe në mbikëqyrjen e strukturave ligjzbatuese dhe bashkëpunimin ndërinstitucional e ndërkombëtar në fushën e sigurisë.
Karrierën profesionale e nisi në vitin 2005 në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku shërbeu si oficer karriere në një sërë detyrash komanduese dhe shtabi. Përvoja e tij operacionale ndërkombëtare përfshin shërbimin në Bagdad, Irak, pranë Multinational Corps–Iraq, në kuadër të operacioneve të Koalicionit.
Pas përfundimit të shërbimit aktiv ushtarak, z. Jauri ushtroi detyrën e Zëvendëskoordinatorit Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, në Ministrinë e Brendshme. Në këtë detyrë kontribuoi në zbatimin dhe koordinimin e politikave kombëtare për parandalimin e radikalizimit dhe luftën kundër terrorizmit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Përvoja e tij në administratën publike përfshin gjithashtu angazhime profesionale në Kontrollin e Lartë të Shtetit, si dhe në kuadër të programeve të Bankës Botërore, ku ka punuar në fushat e kontrollit dhe auditimit publik, llogaridhënies, mirëqeverisjes dhe integritetit institucional.
Përpara emërimit në krye të AKSIK-ut, z. Jauri shërbeu si Drejtor Rajonal në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, me përgjegjësi në mbikëqyrjen e veprimtarisë së strukturave ligjzbatuese dhe në garantimin e ligjshmërisë, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve profesionale.
Z. Jauri është diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe zotëron diplomën Master i Shkencave në Siguri Kombëtare. Ai ka përfunduar Programin e Studimeve të Avancuara të Sigurisë (PASS) pranë Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”, në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani, si dhe një program Master në Administrim Biznesi (MBA) në Londër. Formimin e tij e ka plotësuar me studime në Drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Gjatë karrierës së tij, ka ndjekur programe të specializuara trajnimi dhe kualifikimi në Shkollën e NATO-s në Oberammergau, Gjermani, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, lidershipit, zbulimit dhe inteligjencës.
Për shërbimin në Forcat e Armatosura, z. Jauri është vlerësuar me gjashtë medalje, si dhe me certifikata mirënjohjeje dhe vlerësime profesionale nga institucione shqiptare e ndërkombëtare dhe nga përfaqësi diplomatike.