“Vizita e Drejtorit të Zyrës së Sigurisë së NATO-s në Shqipëri” Tiranë, 18 Prill 2018

Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO-s (NOS), njëkohësisht edhe kryetari i Komitetit të Sigurisë së NATO-s, Zj.Wendy A.Bashnan e shoqëruar nga kreu i degës për Politikat dhe Mbikqyrjen në NOS, Z.Marco Criscuolo, nga datat 17-19 prill 2018, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri.

Më datë 18 prill 2018, në takimin e zhvilluar me drejtorin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe stafin e ngushtë të DSIK, Zj.Bashnan vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha disiplinat e sigurisë. Në këtë takim u diskutua për çështje të sigurisë në tërësi, si dhe për aspekte të veçanta të punës së institucioneve tona shtetërore në fushën e sigurisë së informacionit të klasifikuar të NATO në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite drejtori i DSIK dhe drejtori i NOS, kryen një sërë takimesh të rëndësishme me; këshilltarin e Kryeministrit për Sigurinë, kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Në qëndër të bisedimeve ishin çështjet e ndryshme në fushën e sigurisë, ecuria e bashkëpunimit dypalësh, njëmendësia gjeostrategjike dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike.

Menu