Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

 

Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

Më datë 10 prill 2019, nën drejtimin dhe mbështetjen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) në fushën e informacionit të klasifikuar dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Hotel Rogner, Tiranë, u zhvillua Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Vendeve të Evropës Juglindore.

Në këtë aktivitet, morën pjesë delegacionet e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Sllovenisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Moldavisë, Bullgarisë, Bosnje e Hercegovinës dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Turqisë. Ky takim u udhëhoq nga Z. Dorian Tola, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe z. Amer Kapetanovic, Kreu i Politikave të RCC. Me ftesë të DSIK, morën pjesë edhe z. Besfort Lamallari, Zëvendësministri i Brendshëm, z. Artur Metani, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, znj. Vilma Tomço, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Ky takim, i cili kontribuon në  arkitekturën e sigurisë së Evropës, u fokusua mbi çështjet e; forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë të shteteve të Evropës Juglindore pjesëmarrëse në këtë format; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike; krijimit të një sistemi të detyrueshëm edukimi në fushën e sigurisë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; implementimit të standardeve të BE për sigurimin e informacionit të klasifikuar; sfidave të bashkëpunimit ndërmjet agjencive të sigurisë; shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës

Takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar
të Shqipërisë dhe Kosovës
Tiranë, 19-21 shkurt 2019

Në zbatim të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar më datë 19-21 shkurt 2019 u organizua në Tiranë takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fokusin e çështjeve të diskutuara ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurimit të personelit, sigurimit industrial, sigurimit të informacionit, sigurimit të sistemeve të komunikimit dhe informacionit dhe në atë të edukimit të sigurisë.
Palët në takim, riafirmuan dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellët, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar duke u përballur me sfidat e përbashkëta dhe duke aplikuar praktikat dhe standardet më të mira në të gjitha disiplinat e sigurisë.

Njoftim për Operatorët Ekonomikë të interesuar

NJOFTIM

 

Çdo ditë të Premte, nga ora 10.00 – 14.00, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), pranë zyrave të saj, përmes stafit të dedikuar, do të japë informacionin e nevojshëm për Përfaqësuesit Ligjorë të Operatorëve Ekonomikë të interesuar, lidhur me zbatimin e kërkesave të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 701, datë 22.10.2014 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale”. Ky orar do të shërbeje edhe për dorëzimin e kërkesës dhe të dokumentacionit të kërkuar ligjor në funksion të pajisjes me CSI e CSP.

NJOFTIM

Tiranë, më 11.1. 2019

N J O F T I M

 

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, të NATO-s, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjen rastin të bëjë këtë njoftim publik:

Pajisja me Certifikatën e Sigurimit të Personelit për z. Gent CAKAJ është kryer në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke respektuar detyrimet e parashikuara në Ligjin nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar dhe Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”.

Lidhur me këtë proces sqarojmë se:

    1.Verifikimi i sigurisë për z. Gent CAKAJ është kryer i plotë, me përparësi dhe në përputhje me detyrimet ligjore,  parashikuar në Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit” dhe specifikisht të neneve 11[1], 12[2], 13[3], 14[4], 17[5], 18[6], 19[7] të tij.

DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i     Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare).

Referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për z. Gent CAKAJ nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ.

Nga procesi i verifikimit të sigurisë të z. Gent CAKAJ nuk ka rezultuar asnjë rrethanë ligjore[8], sipas së cilës DSIK ka qenë e detyruar për të kërkuar informacion shtesë, apo për të shtrirë verifikimet e sigurisë në vende të tjera si Hungaria e Belgjika, të cilat gjithsesi janë vende anëtare të NATO dhe BE.

    2.Procedurat e verifikimit të sigurisë janë ndjekur me angazhim maksimal brenda afateve kohore të parashikuara në nenin 18 të VKM së sipërcituar.

Kujtojmë, se në përmbajtjen e këtij neni, ndër të tjera është parashikuar se:

Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe lëshimit të CSP-së nga DSIK-ja është deri në 120 ditë kalendarike. Brenda kësaj periudhe përfshihen edhe afatet e verifikimit të sigurisë nga ana e autoriteteve verifikuese…..” [9] Në vijim thuhet se:

“….Autoriteti verifikues dhe çdo strukturë tjetër shtetërore, që merr kërkesën e paraqitur nga DSIK për të kryer verifikimin e sigurisë, ka detyrimin të kryejë procedurat dhe të kthejë përgjigje duke dhënë informacionin e kërkuar me shkrim, jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës”[10]

DSIK, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetet Verifikuese brenda vendit dhe strukturën homologe të Republikës së Kosovës, që kanë kryer procedurat e verifikimit të sigurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Së fundi një sqarim plotësues, lidhur me Certifikatën e sigurimit të personelit”.

“Certifikata e sigurimit të personelit”[11], është dokumenti zyrtar i DSIK[12], ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Posedimi i këtij dokumenti përben një nga kriteret[13] që duhet të plotësojë një individ, përpara se të njihet me informacionin e klasifikuar, (me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar” që nuk kërkohet CSP).

Pra, aplikimi dhe pajisja me CSP është e detyrueshme vetëm për një individ që do të njihet me informacion të klasifikuar bazuar në parimin “nevojë për njohje”.

Nga ana tjetër, sigurimi i personelit, si një nga disiplinat kryesore të sigurimit të informacionit të klasifikuar, është një proces i vazhdueshëm dhe nuk përfundon me lëshimin e CSP. Në çdo rast, kur dalin të dhëna të reja që rezultojnë me rrezik të papranueshëm sigurie, DSIK rishqyrton vendimin e marrë.

DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ.

 

Ju faleminderit.

 

[1] Shqyrtimi fillestar

[2] Kushtet për fillimin e verifikimit të sigurisë

[3] Kërkesat e përgjithshme të vlerësimit të sigurisë

[4] Kriteret themelore të vlerësimit të sigurisë

[5] Koha që mbulon verifikimi i sigurisë

[6] Afatet e kryerjes së verifikimit të sigurisë

[7] Rrethi i personave që verifikohen

[8] Shih: Vendimi Nr. 188, datë 4.3.2015, i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”.

[9] Neni 18, paragrafi i parë.

[10] Neni 18, paragrafi i tretë.

[11] Neni 3, pika 6 e VKM

[12] Shiko në pikën 2 të Vendimit Nr. 377, date 31.5. 2001 të Këshillit të Ministrave “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar ‘sekret shtetëror” në marrëdhënie ndërkombëtare “, i ndryshuar, ku ndër të tjera është përcaktuar se Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, me NATO-n, me shtetet dhe me organizatat e tjera ndërkombëtare.

[13] Për më tepër Neni 4, (specifikisht neni 4, germa ç).

 

 

 

Kliko këtu për të shkarkuar këtë njoftim.

VIZITË PUNE NË PËRFAQËSINË USHTARAKE KOMBËTARE NË SHAPE, MONS, BELGJIKË

Më datë 12 tetor 2018, tre përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kryesuar nga Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK, kryen një vizitë pune në Përfaqësinë Ushtarake Kombëtare në SHAPE, Mons, Belgjikë. Në këtë kuadër, me stafin drejtues të Përfaqësisë, u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe u trajtuan aspekte të ndryshme në fushën e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” NATO, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

PJESËMARRJE NË TAKIMET E KOMITETIT TË SIGURISË SË NATO

Më datë 8-11 tetor 2018, tre përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kryesuar nga Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK, morën pjesë në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO në Selinë e NATO, Bruksel në tre formate dhe konkretisht, në Formatin e Politikbërjes, në Formatin Parimor (të Krerëve të NSA) të Sigurisë dhe në Formatin e Ekspertëve të Sistemeve të Komunikimit të Informacionit.

Komiteti i Sigurisë së NATO është krijuar nga Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe përbëhet nga, titullarët e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar dhe ekspertë të fushës së sigurisë të 29 vendeve anëtare të NATO. Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO, (NOS), aktualisht Znj. Wendy A. Bashnan, është Kryetar i Komitetit të Sigurisë së NATO. Në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO është e detyrueshme edhe prezenca e përfaqësuesit të Komitetit Ushtarak të NATO. Në raport me çështjet të cilat diskutohen, marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizmat civile dhe ushtarake të NATO. Duke marrë shkas nga ky aktivitet, më datë 10 tetor 2018, u festua 65 vjetori i themelimit të këtij Komiteti.

Disa nga përgjegjësitë e Komitetit të Sigurisë së NATO themeluar nga NAC në vitin 1953, janë:

  1. Hartimi, amendimi dhe miratimi i Dokumentit të Politikës së Sigurisë së NATO dhe Direktivave Mbështetëse.
  2. Trajtimi i problematikave dhe çështjeve të rëndësishme të sigurisë të ngritura nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC), Vendet Anëtare, Komiteti Ushtarak i NATO ose organizmat civile dhe ushtarake të NATO.
  3. Përgatitja e rekomandimeve të përshtatshme për çështjet e sigurisë për Këshillin e Atlantikut të Veriut.

Konferenca e MISWG, Spanjë, 2018

Nga data 17-20 shtator 2018, në Madrid, Spanjë, zhvilloi punimet Konferenca e radhës e MISWG me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Zyrës së Sigurisë së NATO-s, strukturave të sigurisë të BE dhe të përfaqësuesve të NSA spanjolle, me cilësinë e mikpritësve të këtij aktiviteti.
Në këtë Konferencë dhe në formatin e Grupit të Punës AHWG 10, morën pjesë edhe ekspertë nga DSIK.
Në fokusin e diskutimeve të pjesëmarrësve u trajtuan çështje lidhur me unifikimin e praktikave më të mira për të gjitha aspektet e sigurimit të informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Gjeorgjisë mbi shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar

Më datë 18.09.2018 në Tbilisi, Gjeorgji, është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Gjeorgjise mbi shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasfikuar.

Marrëveshja është nënshkruar nga Z.Vakhtang Gomelauri, drejtor i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë së Gjeorgjisë (SSSG) dhe Z. Dorian Tola, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, (Autoritet i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë).

Ajo marrëveshje ka për qëllim krijimin e bazës së nevojshme ligjore e cila rregullon mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar që mund të shkëmbehet ndërmjet dy vendeve.

Ajo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve në përballjen  me kërcënimet dhe sfidat aktuale të sigurisë.

Konferenca e 8 e Drejtuesve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), Bled, Slloveni

Më datë 11 shtator 2018, nën drejtimin dhe mbështetjen e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) të Sllovenisë dhe të Sekretariatit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), në Bled, Slloveni, u zhvillua Konferenca e 8 e Drejtuesve të Autoriteteve të Sigurisë Kombëtare të Vendeve të Evropës Juglindore. Delegacioni shqiptar kryesohej nga z. Dorian Tola, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Kjo konferencë gjithashtu, ishte pjesë integrale e “Konferencës Ndërkombëtare të 13 të Forumit Strategjik të Bledit (BSF)”.

Në këtë aktivitet, morën pjesë delegacionet e Autoriteteve të Sigurisë Kombëtare të Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Bullgarisë. Ky takim u udhëhoq nga; z. Dobran Bozic, drejtor i NSA së Sllovenisë dhe z. Goran Svilanovic, Sekretar i Përgjithshëm i RCC. Njëkohësisht, me ftesë të RCC, morën pjesë edhe Asistenti i Sekretarit të Përgjthshëm të NATO, Zëvendëspresidenti i Divizionit të Raketave në Industrinë e Hapësirës të Izraelit.

Takimi u fokusua mbi çështjet e; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike dhe rolin e NSA të Evropës Juglindore në implementimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë  Kibernetike; procedurat e ndjekura për vetting-ut të paraqitura përpara trupit gjykues; krijimi i një sistemi të detyrueshëm edukimi për sigurinë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; praktikat më të mira për zhvillimin e një liste kriteresh për refuzimin e Certifikatës Personale të Sigurisë; çfarë duhet bërë për të reduktuar mbiklasifikimin e informacionit të klasifikuar; rolin e Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe kontributin e saj ndaj Europës Juglindore në të ardhmen, etj., si dhe tek çështjet e shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Takimi i  9 i drejtuesve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Evropës Juglindore për vitin 2019, do të mbahet në Shqipëri.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar

Më datë 4 korrik 2018 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, “Për zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët, shkëmbimin e përvojës dhe kryerjen e praktikave mësimore”. Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari dhe nga Drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola. Memorandumi ka për qëllim të nxisë kërkimin shkencor në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes së informacionit nëpërmjet zhvillimit të veprimtarive të përbashkëta, shkëmbimit të përvojës dhe zbatimit në praktikë të njohurive teorike.