Konferenca e Krerëve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 24 tetor, Tiranë

Konferenca e Krerëve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 24 tetor, Tiranë

 

Më datë 24 tetor 2019, nën drejtimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) në fushën e informacionit të klasifikuar dhe mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Tiranë, u zhvillua Mbledhja e Krerëve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Vëndeve të Evropës Juglindore.

Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Greqisë, Sllovenisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Moldavisë, Bullgarisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky takim u udhëhoq nga Z. Dorian Tola, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe z. Amer Kapetanovic, Kreu i Politikave të RCC. Në këtë takim, ishin të ftuar z. Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm, z. Donald Gonneville, Drejtori i ri i Zyrës së Sigurisë së NATO (NOS), z. Gent Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Agron Sojati, Koordinatori Kombëtar/Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe personalitete të tjera në fushën e sigurisë.

Konferenca e cila kontribon në  arkitekturën e sigurisë së Evropës, u fokusua mbi çështjet e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë të shteteve të Evropës Juglindore pjesëmarrëse në këtë format dhe konkretisht; vlerësim i përgjithshëm gjeostrategjik i sigurisë së rajonit të Evropës Juglindore duke u fokusuar tek sfidat e sigurisë që përballet rajoni; rëndësia e Sigurisë së Rajonit si e tërë në Arkitekturën e Sigurisë Evropiane dhe më gjerë; nevoja e ndarjes së informacioneve të klasifikuara mes vendeve të rajonit; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike; krijimit të një sistemi të detyrueshëm edukimi në fushën e sigurisë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; implementimit të standarteve të BE për sigurimin e informacionit të klasifikuar; sfidave të bashkëpunimit ndërmjet agjencive të sigurisë; shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Si konkluzion i kësaj konference edhe njëherë u vlerësua krijimi i besimit dhe mirëkuptimit reciprok ndërmjet pjesëmarrësve, si dhe njëkohësisht, në funksion të adresimit të çështjeve të ndryshme në fushën e sigurisë, u kërkua që të nxitet forumi që të kalojë në një formë më konkrete bashkëpunimi shoqëruar këto me produkte specifike.

 

VIZITA ZYRTARE E DREJTORIT TË ZYRËS SIGURISË SË NATO (NOS)

VIZITA ZYRTARE E DREJTORIT TË ZYRËS SIGURISË SË NATO (NOS)

VIZITA ZYRTARE E DREJTORIT TË ZYRËS SIGURISË SË NATO (NOS)

 

Me ftesë të z. Dorian Tola, drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), më datë 23-25 tetor 2019, Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO, /NOS/, njëherësh edhe Kryetar i Komitetit të Sigurisë së NATO, Zoti Gonneville, mori pjesë në “Konferencën e Krerëve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Europës Juglindore (SEENSA) dhe kreu një vizitë pune në Tiranë.

Gjatë këtyre ditëve, z. Gonneville realizoi disa vizita pune zyrtare në Shqipëri dhe konkretisht, me z. Cakaj, Ministër në Detyrë i MEPJ, znj. Ermonela Felaj, Kryetare e Komisonit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe z. Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve të drejtave të njeriut.

 

Gjatë takimeve të zhvilluara me drejtorin e NOS, pati shkëmbime mendimesh dhe diskutime për aspekte të veçanta në fushën e sigurisë dhe të punës së institucioneve tona shtetërore në fushën e sigurimit të informacionit të klasifikuar të NATO në Shqipëri.

 

Në vijim të vlerësimeve për veprimtarinë e DSIK, z. Gonneville nënvizoi dedikimin dhe profesionalizmin e stafit të DSIK në përmbushjen e detyrimeve dhe standarteve të rekomanduara nga strukturat e NATO.

Drejtori i NOS theksoi; ngritjen e nivelit të përgjithshëm të masave të sigurisë dhe implementimit të standarteve të NATO  për sigurimin e informacionit të klasifikuar, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (DSIK) me autoritet homologe dhe bashkëpunimin efikas ndërmjet DSIK dhe Shërbimeve Inteligjente në funksion të sigurimit të informacionit të klasifikuar.

 

 


 

Drejtori i NOS, shprehu besimin dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha disiplinat e sigurisë, si dhe ritheksoi mbështetjen e NOS dhe të NATO për DSIK dhe institucionet shqiptare.

Aktivitete të përbashkëta ndërmjet Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës për sigurimin e informacionit të klasifikuar. Maj, Qershor 2019

Në kuadrin e zbatimit të Planit të Përbashkët të Bashkëpunimit Dypalësh ndërmjet Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, në Maj dhe Qershor 2019, u organizuan trajnime respektive, në Tiranë dhe Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të operatorëve ekonomikë të dy vendeve, lidhur me “Aspektet e sigurisë së informacionit të klasifikuar”.

Gjatë trajnimeve, përfaqësuesit e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, paraqiten standardet ligjore dhe përvojat më të mira të dy institucioneve për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të gjitha disiplinat e sigurisë.

Në kuadrin e këtyre aktiviteteve të përbashkëta, kontribut për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh për aspektet e sigurimit të informacionit të klasifikuar ndërmjet dy vendeve, ofruan edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

 

Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), 10 prill, Tiranë

Më datë 10 prill 2019, nën drejtimin dhe mbështetjen e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) në fushën e informacionit të klasifikuar dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Hotel Rogner, Tiranë, u zhvillua Mbledhja e Grupeve të Punës të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Vendeve të Evropës Juglindore.

Në këtë aktivitet, morën pjesë delegacionet e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtare të Sllovenisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Moldavisë, Bullgarisë, Bosnje e Hercegovinës dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme të Turqisë. Ky takim u udhëhoq nga Z. Dorian Tola, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe z. Amer Kapetanovic, Kreu i Politikave të RCC. Me ftesë të DSIK, morën pjesë edhe z. Besfort Lamallari, Zëvendësministri i Brendshëm, z. Artur Metani, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, znj. Vilma Tomço, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

Ky takim, i cili kontribuon në  arkitekturën e sigurisë së Evropës, u fokusua mbi çështjet e; forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë të shteteve të Evropës Juglindore pjesëmarrëse në këtë format; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike; krijimit të një sistemi të detyrueshëm edukimi në fushën e sigurisë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; implementimit të standardeve të BE për sigurimin e informacionit të klasifikuar; sfidave të bashkëpunimit ndërmjet agjencive të sigurisë; shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës

Takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar
të Shqipërisë dhe Kosovës
Tiranë, 19-21 shkurt 2019

Në zbatim të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar më datë 19-21 shkurt 2019 u organizua në Tiranë takimi i përbashkët ndërmjet autoriteteve të sigurimit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fokusin e çështjeve të diskutuara ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurimit të personelit, sigurimit industrial, sigurimit të informacionit, sigurimit të sistemeve të komunikimit dhe informacionit dhe në atë të edukimit të sigurisë.
Palët në takim, riafirmuan dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellët, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar duke u përballur me sfidat e përbashkëta dhe duke aplikuar praktikat dhe standardet më të mira në të gjitha disiplinat e sigurisë.

VIZITË PUNE NË PËRFAQËSINË USHTARAKE KOMBËTARE NË SHAPE, MONS, BELGJIKË

Më datë 12 tetor 2018, tre përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kryesuar nga Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK, kryen një vizitë pune në Përfaqësinë Ushtarake Kombëtare në SHAPE, Mons, Belgjikë. Në këtë kuadër, me stafin drejtues të Përfaqësisë, u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe u trajtuan aspekte të ndryshme në fushën e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” NATO, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

PJESËMARRJE NË TAKIMET E KOMITETIT TË SIGURISË SË NATO

Më datë 8-11 tetor 2018, tre përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kryesuar nga Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK, morën pjesë në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO në Selinë e NATO, Bruksel në tre formate dhe konkretisht, në Formatin e Politikbërjes, në Formatin Parimor (të Krerëve të NSA) të Sigurisë dhe në Formatin e Ekspertëve të Sistemeve të Komunikimit të Informacionit.

Komiteti i Sigurisë së NATO është krijuar nga Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe përbëhet nga, titullarët e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar dhe ekspertë të fushës së sigurisë të 29 vendeve anëtare të NATO. Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO, (NOS), aktualisht Znj. Wendy A. Bashnan, është Kryetar i Komitetit të Sigurisë së NATO. Në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO është e detyrueshme edhe prezenca e përfaqësuesit të Komitetit Ushtarak të NATO. Në raport me çështjet të cilat diskutohen, marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizmat civile dhe ushtarake të NATO. Duke marrë shkas nga ky aktivitet, më datë 10 tetor 2018, u festua 65 vjetori i themelimit të këtij Komiteti.

Disa nga përgjegjësitë e Komitetit të Sigurisë së NATO themeluar nga NAC në vitin 1953, janë:

  1. Hartimi, amendimi dhe miratimi i Dokumentit të Politikës së Sigurisë së NATO dhe Direktivave Mbështetëse.
  2. Trajtimi i problematikave dhe çështjeve të rëndësishme të sigurisë të ngritura nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC), Vendet Anëtare, Komiteti Ushtarak i NATO ose organizmat civile dhe ushtarake të NATO.
  3. Përgatitja e rekomandimeve të përshtatshme për çështjet e sigurisë për Këshillin e Atlantikut të Veriut.

Konferenca e MISWG, Spanjë, 2018

Nga data 17-20 shtator 2018, në Madrid, Spanjë, zhvilloi punimet Konferenca e radhës e MISWG me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Zyrës së Sigurisë së NATO-s, strukturave të sigurisë të BE dhe të përfaqësuesve të NSA spanjolle, me cilësinë e mikpritësve të këtij aktiviteti.
Në këtë Konferencë dhe në formatin e Grupit të Punës AHWG 10, morën pjesë edhe ekspertë nga DSIK.
Në fokusin e diskutimeve të pjesëmarrësve u trajtuan çështje lidhur me unifikimin e praktikave më të mira për të gjitha aspektet e sigurimit të informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Gjeorgjisë mbi shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar

Më datë 18.09.2018 në Tbilisi, Gjeorgji, është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Gjeorgjise mbi shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasfikuar.

Marrëveshja është nënshkruar nga Z.Vakhtang Gomelauri, drejtor i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë së Gjeorgjisë (SSSG) dhe Z. Dorian Tola, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, (Autoritet i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë).

Ajo marrëveshje ka për qëllim krijimin e bazës së nevojshme ligjore e cila rregullon mbrojtjen e ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar që mund të shkëmbehet ndërmjet dy vendeve.

Ajo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve në përballjen  me kërcënimet dhe sfidat aktuale të sigurisë.

Konferenca e 8 e Drejtuesve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Vendeve të Evropës Juglindore (SEENSA), Bled, Slloveni

Më datë 11 shtator 2018, nën drejtimin dhe mbështetjen e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (NSA) të Sllovenisë dhe të Sekretariatit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), në Bled, Slloveni, u zhvillua Konferenca e 8 e Drejtuesve të Autoriteteve të Sigurisë Kombëtare të Vendeve të Evropës Juglindore. Delegacioni shqiptar kryesohej nga z. Dorian Tola, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Kjo konferencë gjithashtu, ishte pjesë integrale e “Konferencës Ndërkombëtare të 13 të Forumit Strategjik të Bledit (BSF)”.

Në këtë aktivitet, morën pjesë delegacionet e Autoriteteve të Sigurisë Kombëtare të Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Bullgarisë. Ky takim u udhëhoq nga; z. Dobran Bozic, drejtor i NSA së Sllovenisë dhe z. Goran Svilanovic, Sekretar i Përgjithshëm i RCC. Njëkohësisht, me ftesë të RCC, morën pjesë edhe Asistenti i Sekretarit të Përgjthshëm të NATO, Zëvendëspresidenti i Divizionit të Raketave në Industrinë e Hapësirës të Izraelit.

Takimi u fokusua mbi çështjet e; bashkëpunimit rajonal në fushën e Sigurisë Kibernetike dhe rolin e NSA të Evropës Juglindore në implementimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë  Kibernetike; procedurat e ndjekura për vetting-ut të paraqitura përpara trupit gjykues; krijimi i një sistemi të detyrueshëm edukimi për sigurinë për individët të cilët njihen me informacion të klasifikuar; praktikat më të mira për zhvillimin e një liste kriteresh për refuzimin e Certifikatës Personale të Sigurisë; çfarë duhet bërë për të reduktuar mbiklasifikimin e informacionit të klasifikuar; rolin e Sekretariatit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe kontributin e saj ndaj Europës Juglindore në të ardhmen, etj., si dhe tek çështjet e shkëmbimit të përvojave më të mira dhe të përshtatjeve ligjore në të gjitha disiplinat e sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Takimi i  9 i drejtuesve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Evropës Juglindore për vitin 2019, do të mbahet në Shqipëri.