Historiku

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), është krijuar në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar.

AKSIK u krijua me Urdhërin e Kryeministrit, nr. 742, datë 14.2.2001. Drejtuesi i parë i saj ka qenë Z.Bajram Ibraj. Nga viti 2004 deri në vitin 2014 ka dhënë kontributin e tij 10 vjeçar Z. Shyqyri Dekavelli. Më pas, për periudhën 2014-2017 institucionin e drejtoi Z. Arben Seferi. Nga muaji Mars 2017 deri në Mars 2024 institucioni u drejtuar nga Z. Dorian Tola. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK), nga muaji Prill e në vazhdim drejtohet nga Z. Altin Jani.

Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO. Si pjesë e këtij Traktati dhe si shtet anëtar i NATO, Shqipëria përmbushi synimin strategjik dhe objektivin parësor të politikës së jashtme duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) ka dhënë kontributin e saj në përafrimin e legjislacionit në fushën e informacionit të klasifikuar me Dokumentin e Politikës së Sigurisë së NATO, implementimin e standardeve të sigurisë së NATO, ngritjen e Sistemit të Regjistrit për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar të NATO, etj.

Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 31.05.2001, “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare”, AKSIK është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në marrëdhënie me NATO, shtetet apo organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në vitin 2016, DSIK në zbatim të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u bë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm, ku në bashkëpunim me institucionet e rivlerësimit është autoritet përgjegjës për kontrollin e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve.

Misioni i AKSIK

Misioni i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar është organizimi, drejtimi e kontrolli i masave për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar.

Detyrat e AKSIK

AKSIK, në zbatim të misionit të tij, kryen dhe realizon këto detyra:

  1. Përgatit projektaktet nënligjore për çështjet që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar.
  2. Përcakton rregullat për elementet e sistemeve që administrojnë informacion të klasifikuar dhe bën rekomandime për përshtatshmërinë e tyre.
  3. Mbikëqyr dhe inspekton rregullat e sigurisë për informacionin e klasifikuar.
  4. Monitoron proceset e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe lëshon rekomandime për vendosjen e praktikave të standardizuara.
  5. Kryen certifikimin e personelit, i cili do të administrojë informacionin e klasifikuar.
  6. Kryen akreditimin e sigurisë së sistemit në të cilin prodhohet, administrohet, përpunohet dhe ruhet informacioni i klasifikuar.
  7. Kryen certifikimin e operatorëve ekonomikë me CSI-në.
  8. Inspekton operatorët ekonomikë në lidhje me zbatimin e masave të sigurisë të informacionit të klasifikuar.
  9. Rekomandon marrjen e masave dhe vendos masa administrative individuale në rastet kur konstaton shkelje të rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar kur këto rekomandime nuk plotësohen.
  10. Bashkëpunon me NATO-n, BE-në dhe me autoritetet kompetente të vendeve anëtare të këtyre organizatave për fushën të cilën mbulon.
  11. Merr pjesë dhe përgatit projektmarrëveshtjet mbi sigurinë e informacionit të klasifikuar me shtete apo organizata të tjera ndërkombëtare.
  12. Trajnon personelin që punon me informacion të klasifikuar.
  13. Kryen procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve”.
  14. Informon periodikisht Kryeministrin për çështjet në lidhje me informacionin e klasifikuar.
  15. I propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Menu