Vizita zyrtare e Drejtorit të Zyrës Sigurisë së NATO (NOS)

Me ftesë të z. Dorian Tola, drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), më datë 23-25 tetor 2019, Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO, /NOS/, njëherësh edhe Kryetar i Komitetit të Sigurisë së NATO, Zoti Gonneville, mori pjesë në “Konferencën e Krerëve të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Europës Juglindore (SEENSA) dhe kreu një vizitë pune në Tiranë.

Gjatë këtyre ditëve, z. Gonneville realizoi disa vizita pune zyrtare në Shqipëri dhe konkretisht, me z. Cakaj, Ministër në Detyrë i MEPJ, znj. Ermonela Felaj, Kryetare e Komisonit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe z. Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve të drejtave të njeriut.

Gjatë takimeve të zhvilluara me drejtorin e NOS, pati shkëmbime mendimesh dhe diskutime për aspekte të veçanta në fushën e sigurisë dhe të punës së institucioneve tona shtetërore në fushën e sigurimit të informacionit të klasifikuar të NATO në Shqipëri.

Në vijim të vlerësimeve për veprimtarinë e DSIK, z. Gonneville nënvizoi dedikimin dhe profesionalizmin e stafit të DSIK në përmbushjen e detyrimeve dhe standarteve të rekomanduara nga strukturat e NATO.

Drejtori i NOS theksoi; ngritjen e nivelit të përgjithshëm të masave të sigurisë dhe implementimit të standarteve të NATO  për sigurimin e informacionit të klasifikuar, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Autoritetit të Sigurimit Kombëtar (DSIK) me autoritet homologe dhe bashkëpunimin efikas ndërmjet DSIK dhe Shërbimeve Inteligjente në funksion të sigurimit të informacionit të klasifikuar.

Drejtori i NOS, shprehu besimin dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha disiplinat e sigurisë, si dhe ritheksoi mbështetjen e NOS dhe të NATO për DSIK dhe institucionet shqiptare.

Menu