Pyetje të shpeshta.

 

Cilat janë kriteret për njohjen e informacionit të klasifikuar?

Kanë të drejtë të njihen, të ruajnë, të administrojnë e të transferojnë informacion të klasifikuar vetëm individët, që:

  1. sigurojnë të drejtën e njohjes nga titullari i ministrisë/institucionit ose Oficeri i Sigurimit Industrial i Kontraktorit për shkak të detyrës që kryejnë;
  2. kanë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. janë të brifuar më parë për njohjen e procedurave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe të përgjegjësive individuale për shkeljet e sigurisë;
  4. janë të pajisur me CSP, me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar”.

 

Çfarë është “Certifikata e sigurimit të personelit” (CSP) ?

CSP, është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

 

Çfarë kuptojmë me “verifikim të sigurisë” ?

“Verifikimi i sigurisë”, është tërësia e masave dhe e procedurave të aplikuara ndaj një individi, mbi bazën e të cilave do të vlerësohet lëshimi, refuzimi, pezullimi i përkohshëm ose heqja e “Certifikatës së sigurimit të personelit”.

 

Cilat janë afatet e lëshimit të CSP ?

Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit fillon vetëm pas paraqitjes së plotë dhe pranimit të dokumentacionit nga ana e DSIK-së dhe zgjat deri në 120 ditë kalendarike.

 

Ky afat mund të jetë më i gjatë kur verifikimet kushtëzohen nga kryerja e procedurave në bashkëpunim me autoritetet e sigurimit kombëtar të vendeve të tjera, ose kur drejtori i DSIK-së udhëzon kryerjen e verifikimeve shtesë.

 

Cilat janë nivelet dhe tipet e CSP ?

Nivelet e CSP janë:

  • “Konfidencial”;
  • “Sekret”;
  • “Tepër sekret”.

Tipet e CSP që lëshohen nga DSIK janë:

  • Për njohjen, ruajtjen, administrimin apo transferimin e informacioneve të klasifikuara të NATO-s; të informacioneve të klasifikuara të BE-së; të informacioneve të klasifikuara, të prodhuara nga institucionet tona shtetërore ose/dhe të përftuara në kuadrin e bashkëpunimit dy- ose shumëpalësh me shtete dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

 

Cilat janë afatet e vlefshmërisë së një CSP ?

CSP-ja e lëshuar nga niveli “Konfidencial” e lart, ka një afat vlefshmërie deri në 5 vite. Ndërsa për rastet e punonjësve të një OE, DSIK-ja e lëshon CSP-në me një afat vlefshmërie deri në 4 vite.

 

Si duhet vepruar, kur një punonjës i pajisur me CSP transferohet në një institucion tjetër, në një pozicion pune që kërkohet CSP e vlefshme ?

Në rastet kur një individ, i cili zotëron një CSP të vlefshme, transferohet në një vend pune që sipas listës së funksioneve organike të miratuar të institucionit të ri duhet të ketë CSP, atëherë DSIK-ja, pas kërkesës së arsyetuar me shkrim të institucionit të ri, bën konfirmimin e vlefshmërisë së CSP-së dhe modelimin e saj në përputhje me të dhënat e reja të pozicionit të punës.

 

Kush janë Autoritetet Verifikuese ?

“Autoritet verifikues”, është Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH), Agjencia e Inteligjencës dhe e Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në përbërje të të cilave janë ngritur njësitë strukturore të specializuara për kryerjen e verifikimeve të sigurisë ndaj individëve që do të njohin, do të prodhojnë, do të ruajnë, do të administrojnë, do të transportojnë dhe do të transmetojnë informacion të klasifikuar.

 

Cilat janë rastet e refuzimit, heqjes apo pezullimit te CSP ?

DSIK-ja ka të drejtë të marrë vendim për refuzimin, heqjen ose pezullimin e përkohshëm të CSP-së, në rastet kur nëpërmjet autoriteteve verifikuese ose/dhe strukturave shtetërore të përfshira në procesin e verifikimit është përftuar informacion, sipas të cilit vlerësohet se pajisja ose mbajtja e mëtejshme e CSP-së nga një individ i caktuar përbën rrezik të papranueshëm sigurie, referuar kërkesave të legjislacionit në fuqi. (Shiko nenet 13 e 14, të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”).

Njoftimi për vendimin e marrë nga DSIK-ja për refuzim, heqje ose pezullim të përkohshëm të CSP-së i komunikohet me shkrim titullarit të strukturës kërkuese.

 

Si është e rregulluar e drejta e ankimit për rastet kur një individi i refuzohet, hiqet apo pezullohet CSP ?

Njoftimi për vendimin e marrë nga DSIK-ja për refuzim, heqje ose pezullim të përkohshëm të CSP-së i komunikohet me shkrim titullarit të strukturës kërkuese, i cili ka të drejtë të paraqesë kërkesë me shkrim për rishqyrtimin e vendimit të marrë nga DSIK-ja.

Kjo kërkesë i adresohet titullarit të DSIK-së brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të vendimit për refuzimin, heqjen ose pezullimin e përkohshëm të CSP-së.

Titullari i DSIK-së e shqyrton dhe vendos për kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e pranimit të saj.

Në rastet e mospajtimit me përgjigjen e titullarit të DSIK-së, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit, titullari i strukturës kërkuese ka të drejtë ta ankimojë atë me shkrim tek Kryeministri.

Kryeministri, pas marrjes së ankesës, brenda 30 ditëve kalendarike, shprehet me akt të veçantë, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim nga DSIK-ja dhe struktura që ka bërë ankimin.

 

Si duhet të veprojë një individ i pajisur me CSP, pasi ai ndërpret marrëdhëniet e punës, apo transferohet në një pozicion që nuk kërkohet mbajtja e CSP ?

Individët e pajisur me CSP, në rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës apo të ndryshimit të funksionit organik, kur nuk kërkohet mbajtja e mëtejshme e CSP-së, dorëzojnë CSP-në tek oficeri i sigurisë ose struktura përgjegjëse e institucionit ku ato punojnë dhe u nënshtrohen procedurave të debrifimit, duke nënshkruar në dokumentin përkatës.

Ata janë përgjegjës për ruajtjen e informacionit të klasifikuar edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Institucionet ruajnë dhe administrojnë regjistrimet (rekordet) e individëve të brifuar dhe të debrifuar.

 

Si duhet të veproj për t’u pajisur me CSP kur më kërkohet për shkak të aplikimit për punë në një kompani të huaj apo organizatë ndërkombëtare ?

Në të tilla raste, pajisja me CSP realizohet vetëm pas kërkesës zyrtare që i adresohet DSIK nga Autoriteti i Sigurimit Kombëtar (NSA) i shtetit të huaj, (duhet të jetë vend anëtar i NATO-s, BE-së, ose vend me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar); apo përmes autoritetit kompetent të sigurisë së NATO-s, të një strukture të saj, apo të BE-së.

Aplikanti plotëson dokumentacionin e kërkuar dhe vihet në kontakt me DSIK.

DSIK kryen procedurat e verifikimit të sigurisë dhe në përfundim, nëse konkludon për lëshim e CSP, i adreson përgjigjen strukturës që ka paraqitur kërkesën.