PJESËMARRJE NË TAKIMET E KOMITETIT TË SIGURISË SË NATO

Më datë 8-11 tetor 2018, tre përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kryesuar nga Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK, morën pjesë në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO në Selinë e NATO, Bruksel në tre formate dhe konkretisht, në Formatin e Politikbërjes, në Formatin Parimor (të Krerëve të NSA) të Sigurisë dhe në Formatin e Ekspertëve të Sistemeve të Komunikimit të Informacionit.

Komiteti i Sigurisë së NATO është krijuar nga Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe përbëhet nga, titullarët e Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar dhe ekspertë të fushës së sigurisë të 29 vendeve anëtare të NATO. Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO, (NOS), aktualisht Znj. Wendy A. Bashnan, është Kryetar i Komitetit të Sigurisë së NATO. Në takimet e Komitetit të Sigurisë së NATO është e detyrueshme edhe prezenca e përfaqësuesit të Komitetit Ushtarak të NATO. Në raport me çështjet të cilat diskutohen, marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizmat civile dhe ushtarake të NATO. Duke marrë shkas nga ky aktivitet, më datë 10 tetor 2018, u festua 65 vjetori i themelimit të këtij Komiteti.

Disa nga përgjegjësitë e Komitetit të Sigurisë së NATO themeluar nga NAC në vitin 1953, janë:

  1. Hartimi, amendimi dhe miratimi i Dokumentit të Politikës së Sigurisë së NATO dhe Direktivave Mbështetëse.
  2. Trajtimi i problematikave dhe çështjeve të rëndësishme të sigurisë të ngritura nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC), Vendet Anëtare, Komiteti Ushtarak i NATO ose organizmat civile dhe ushtarake të NATO.
  3. Përgatitja e rekomandimeve të përshtatshme për çështjet e sigurisë për Këshillin e Atlantikut të Veriut.
Artikujt e Fundit
Menu