AHWG Nr. 10


Në Romë, më datë 19 e 20 Shkurt 2018, u mbajt takimi i Grupit të Punës “AHWG Nr. 10”. Për herë të parë, me cilësinë e vendit anëtar, Shqipëria në këtë takim, u përfaqësua nga një ekspert i DSIK.

Grupi i Punës u përqendrua në gjetjen e praktikave dhe të procedurave adekuate për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Vizitë pune e Grupit të Punës së Republikës së Kosovës për ndryshimet ligjore në fushën e informacionit të klasifikuar

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, në vijim të bashkëpunimit ndërinstitucional me NSA e Kosovës, me datë 22 Shkurt 2018, priti në një takim pune, përfaqësues të Grupit Punës për ndryshimet ligjore në fushën e informacionit të klasifikuar, kryesuar nga Z. Hysen GASHI, Këshilltar për Sigurinë, i Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ekspertët e dy vendeve kanë ndarë së bashku eksperiencat më të mira për çështje me interes të veçantë në kuadrin e disiplinave për sigurimin e informacionit të klasifikuar.

Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK


Në kuadrin e një bashkorganizimi të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, më datë 20-21 Dhjetor, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në Tiranë, u mbajt Konferenca e përbashkët “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK”.
Në këtë aktiviteti me profil sigurie, morën pjesë dhe prezantuan aspekte me interes për çështjet e politikave dhe të standardeve të sigurimit të informacionit; përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova dhe Operatorë Ekonomikë nga të dy vendet.
Me shumë interes ishte mbështetja e këtij aktiviteti nga drejtues të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës; Znj. Ermonela Felaj, Znj. Ganimete Musliu dhe Z. Haxhi Shala, si dhe Këshilltarët respektivë për Çështjet e Sigurisë të Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, Zotërinjtë Sander Lleshaj e Hysen Gashi.

Konferenca e MISWG, Belgjikë, 2017

Nga data 04 – 07 Shtator 2017, në qytetin Ghent, Belgjikë, zhvilloi punimet Konferenca e 32 e MISWG në të cilën mori pjesë edhe një ekspert i fushës së sigurimit industrial nga DSIK. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës të vendeve anëtare të MISWG-ut, Zyrës së Sigurisë së NATO-s, të NSA-së dhe të strukturave të sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Belgjikës.

Kjo Konferencë u fokusua në nevojën e unifikimit të praktikave më mira të vendeve pjesëmarrëse në kuadrin e bashkëpunimit për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Vizitë pune në Gjermani

Në sajë të bashkëpunimit dhe të ftesës së ardhur nga DSA e Republikës Federale të Gjermanisë, më datën 17-21 Korrik 2017, tre punonjës nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), kanë kryer një vizitë pune tek Autoriteti Përgjegjës për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale dhe tek Operatori Ekonomik AIRBUS HELICOPTERS Deuschland GmbH, Donauworth. Kjo vizitë pune u krye në funksion të aftësimit të mëtejshëm dhe të përmiresimit të nivelit të ekspertizës tonë përmes përftimit të eksperiencës së shkëlqyer gjermane për të gjitha aspektet e sigurimit të informacionit të klasifikuar në fushën industriale nga institucionet shtetërore dhe Operatorët Ekonomike të interesuar.

“Trajnim i kryer nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO dhe BE”

Në kuadër të edukimit të sigurisë, më datë 12-13 Qershor 2017, dy përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK dhe Z. Enton Sadiku, Përgjegjës Sektori, kryen një trajnim dy ditor për personelin e Përfaqësisë së Përhershme të RSH pranë NATO, Bruksel dhe të Misionit të RSH në BE, që njihet me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Çështjet e diskutuara në këtë trajnim, u vlerësuan maksimalisht nga personeli i Përfaqësive të sipërpërmendura.

“Vizitë pune në Kosovë”

Me ftesë të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), një delegacion i DSIK i kryesuar nga Z. Dorian TOLA, me datë 15-17 Maj 2017, realizoi një vizitë pune në Prishtinë, lidhur me shkëmbimin e përvojave më të mira ndërmjet dy vendeve për aspektet e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar dhe të verifikimit të sigurisë. Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan takime pune me Zëvendësdrejtorin e AKI, Zotin Latif Merovci, Drejtorin e Departamentit të Verifikimit të Sigurisë, Zotin Izet Musa dhe stafin e NSA, si dhe me Zotin Shpen TERDEVA, Sekretar i Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë në Qeverinë e Kosovës. Në të gjitha takimet u riafirmua dëshira dhe vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional për shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave më të mira ndërmjet institucioneve tona për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar përmes standardeve të unifikuara. Gjatë kësaj vizite, u identifikuan drejtimet e mundshme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

“Trajnim i kryer nga Zyra e Sigurisë së NATO˗s (NOS) për standartet e aplikuara për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO˗s”

Më datë 14-15 Dhjetor 2016, dy përfaqësues të Zyrës së Sigurisë së NATO˗s (NOS), Zj. Maja Rozaj dhe Z. Pietro Di Leva, kryen një trajnim dy ditor për personelin e institucioneve shqiptare që njihen me informacion të klasifikuar të NATO˗s. Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë trajnimit ishin standartet e aplikuara për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO˗s.

“Takimi i 31-të i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurimin Industrial ( MISWG )”, Stokholm

Në Stokholm, më 12-15 Shtator 2016, u mbajt takimi i 31-të i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurimin Industrial. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të vendeve anëtare të MISWG-ut, Zyrës së Sigurisë së NATO-s, të NSA-së dhe të strukturave të sigurisë së Suedisë. Shqipëria u përfaqësua nga 2 ekspertë të fushës së Sigurisë Industriale. Gjatë takimit u diskutuan çështje lidhur me unifikimin e praktikave më të mira të shteteve në fushën e sigurisë industriale, si dhe u krye përditësimi i disa dokumenteve themelore në kuadrin e veprimtarisë së Grupeve të Punës. Përfaqësuesit e shteteve anëtare parashtruan vizionet e tyre lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për aspekte të veçanta. Takimi i radhës do të organizohet gjatë vitit 2017 nga NSA-ja e Mbretërisë së Belgjikës.

“Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të Informacionit të Klasifikuar” Tiranë

Në kuadër të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Zj. Frederica Mogherini nënshkruan më datë 3 Mars 2016 në ambientin e Kryeministrisë, “Marrëveshjen midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”. Raundi i parë i negociatave u zhvillua në Bruksel në zyrat e EEAS (External European Action Services) midis përfaqësuesëve të Strukturave të Sigurisë në BE dhe delegacionit të DSIK-së. Raundi i dytë u zhvillua në Tiranë më 15.5.2015, në përfaqësinë e BE-së në Shqipëri.

Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit Shqipëri ˗ BE në fushën e sigurisë.