Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar

Më datë 4 korrik 2018 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, “Për zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët, shkëmbimin e përvojës dhe kryerjen e praktikave mësimore”. Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari dhe nga Drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola. Memorandumi ka për qëllim të nxisë kërkimin shkencor në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes së informacionit nëpërmjet zhvillimit të veprimtarive të përbashkëta, shkëmbimit të përvojës dhe zbatimit në praktikë të njohurive teorike.

“Vizita e Drejtorit të Zyrës së Sigurisë së NATO-s në Shqipëri” Tiranë, 18 Prill 2018

Drejtori i Zyrës së Sigurisë së NATO-s (NOS), njëkohësisht edhe kryetari i Komitetit të Sigurisë së NATO-s, Zj.Wendy A.Bashnan e shoqëruar nga kreu i degës për Politikat dhe Mbikqyrjen në NOS, Z.Marco Criscuolo, nga datat 17-19 prill 2018, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri.

Më datë 18 prill 2018, në takimin e zhvilluar me drejtorin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe stafin e ngushtë të DSIK, Zj.Bashnan vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha disiplinat e sigurisë. Në këtë takim u diskutua për çështje të sigurisë në tërësi, si dhe për aspekte të veçanta të punës së institucioneve tona shtetërore në fushën e sigurisë së informacionit të klasifikuar të NATO në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite drejtori i DSIK dhe drejtori i NOS, kryen një sërë takimesh të rëndësishme me; këshilltarin e Kryeministrit për Sigurinë, kryetarin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Në qëndër të bisedimeve ishin çështjet e ndryshme në fushën e sigurisë, ecuria e bashkëpunimit dypalësh, njëmendësia gjeostrategjike dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike.

AHWG Nr. 10


Në Romë, më datë 19 e 20 Shkurt 2018, u mbajt takimi i Grupit të Punës “AHWG Nr. 10”. Për herë të parë, me cilësinë e vendit anëtar, Shqipëria në këtë takim, u përfaqësua nga një ekspert i DSIK.

Grupi i Punës u përqendrua në gjetjen e praktikave dhe të procedurave adekuate për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Vizitë pune e Grupit të Punës së Republikës së Kosovës për ndryshimet ligjore në fushën e informacionit të klasifikuar

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, në vijim të bashkëpunimit ndërinstitucional me NSA e Kosovës, me datë 22 Shkurt 2018, priti në një takim pune, përfaqësues të Grupit Punës për ndryshimet ligjore në fushën e informacionit të klasifikuar, kryesuar nga Z. Hysen GASHI, Këshilltar për Sigurinë, i Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ekspertët e dy vendeve kanë ndarë së bashku eksperiencat më të mira për çështje me interes të veçantë në kuadrin e disiplinave për sigurimin e informacionit të klasifikuar.

Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK


Në kuadrin e një bashkorganizimi të Autoriteteve të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, më datë 20-21 Dhjetor, në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në Tiranë, u mbajt Konferenca e përbashkët “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK”.
Në këtë aktiviteti me profil sigurie, morën pjesë dhe prezantuan aspekte me interes për çështjet e politikave dhe të standardeve të sigurimit të informacionit; përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova dhe Operatorë Ekonomikë nga të dy vendet.
Me shumë interes ishte mbështetja e këtij aktiviteti nga drejtues të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës; Znj. Ermonela Felaj, Znj. Ganimete Musliu dhe Z. Haxhi Shala, si dhe Këshilltarët respektivë për Çështjet e Sigurisë të Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, Zotërinjtë Sander Lleshaj e Hysen Gashi.

Konferenca e MISWG, Belgjikë, 2017

Nga data 04 – 07 Shtator 2017, në qytetin Ghent, Belgjikë, zhvilloi punimet Konferenca e 32 e MISWG në të cilën mori pjesë edhe një ekspert i fushës së sigurimit industrial nga DSIK. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës të vendeve anëtare të MISWG-ut, Zyrës së Sigurisë së NATO-s, të NSA-së dhe të strukturave të sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Belgjikës.

Kjo Konferencë u fokusua në nevojën e unifikimit të praktikave më mira të vendeve pjesëmarrëse në kuadrin e bashkëpunimit për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale.

Vizitë pune në Gjermani

Në sajë të bashkëpunimit dhe të ftesës së ardhur nga DSA e Republikës Federale të Gjermanisë, më datën 17-21 Korrik 2017, tre punonjës nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), kanë kryer një vizitë pune tek Autoriteti Përgjegjës për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale dhe tek Operatori Ekonomik AIRBUS HELICOPTERS Deuschland GmbH, Donauworth. Kjo vizitë pune u krye në funksion të aftësimit të mëtejshëm dhe të përmiresimit të nivelit të ekspertizës tonë përmes përftimit të eksperiencës së shkëlqyer gjermane për të gjitha aspektet e sigurimit të informacionit të klasifikuar në fushën industriale nga institucionet shtetërore dhe Operatorët Ekonomike të interesuar.

“Trajnim i kryer nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO dhe BE”

Në kuadër të edukimit të sigurisë, më datë 12-13 Qershor 2017, dy përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola, Drejtor i DSIK dhe Z. Enton Sadiku, Përgjegjës Sektori, kryen një trajnim dy ditor për personelin e Përfaqësisë së Përhershme të RSH pranë NATO, Bruksel dhe të Misionit të RSH në BE, që njihet me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Çështjet e diskutuara në këtë trajnim, u vlerësuan maksimalisht nga personeli i Përfaqësive të sipërpërmendura.

“Vizitë pune në Kosovë”

Me ftesë të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), një delegacion i DSIK i kryesuar nga Z. Dorian TOLA, me datë 15-17 Maj 2017, realizoi një vizitë pune në Prishtinë, lidhur me shkëmbimin e përvojave më të mira ndërmjet dy vendeve për aspektet e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar dhe të verifikimit të sigurisë. Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan takime pune me Zëvendësdrejtorin e AKI, Zotin Latif Merovci, Drejtorin e Departamentit të Verifikimit të Sigurisë, Zotin Izet Musa dhe stafin e NSA, si dhe me Zotin Shpen TERDEVA, Sekretar i Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë në Qeverinë e Kosovës. Në të gjitha takimet u riafirmua dëshira dhe vullneti i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional për shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave më të mira ndërmjet institucioneve tona për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar përmes standardeve të unifikuara. Gjatë kësaj vizite, u identifikuan drejtimet e mundshme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

“Trajnim i kryer nga Zyra e Sigurisë së NATO˗s (NOS) për standartet e aplikuara për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO˗s”

Më datë 14-15 Dhjetor 2016, dy përfaqësues të Zyrës së Sigurisë së NATO˗s (NOS), Zj. Maja Rozaj dhe Z. Pietro Di Leva, kryen një trajnim dy ditor për personelin e institucioneve shqiptare që njihen me informacion të klasifikuar të NATO˗s. Çështjet kryesore që u diskutuan gjatë trajnimit ishin standartet e aplikuara për sigurimin e informacionit të klasifikuar të NATO˗s.