Historiku dhe Misioni

Historiku

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), është krijuar në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar.

DSIK u krijua me Urdhërin e Kryeministrit,  nr. 742,  datë 14.2.2001. Drejtuesi i parë i saj ka qenë  Z.Bajram Ibraj. Nga viti 2004 deri në vitin 2014 ka dhënë kontributin e tij 10 vjeçar Z. Shyqyri Dekavelli. Më pas, për periudhën 2014-2017 institucionin e drejtoi Z. Arben Seferi. Nga muaji Mars 2017 e në vazhdim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, drejtohet nga Z.Dorian Tola.

Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO. Si pjesë e këtij Traktati dhe si shtet anëtar i NATO, Shqipëria përmbushi  synimin strategjik dhe objektivin parësor të politikës së jashtme duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave kombëtare.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka dhënë  kontributin e saj në përafrimin e legjislacionit në fushën e informacionit të klasifikuar me Dokumentin e Politikës së Sigurisë së NATO, implementimin e standardeve të sigurisë së NATO, ngritjen e Sistemit të Regjistrit për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar të NATO, etj.

Anëtarësimi në NATO ka krijuar mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike, për rrjedhojë edhe me sigurinë kombëtare. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 377, datë 31.05.2001, “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare”, DSIK është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në marrëdhënie me NATO, shtetet apo organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në vitin 2016, DSIK  në zbatim të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u bë pjesë e një procesi shumë të rëndësishëm, ku në bashkëpunim me institucionet e rivlerësimit është autoritet përgjegjës për kontrollin e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve.

 

Misioni

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK)  ka si mision të saj hartimin e politikave,  programeve e procedurave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, mbikëqyrjen e institucioneve dhe operatorëve ekonomik të interesuar, ndjekjen e procedurave, edukimin dhe sigurimin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në të gjitha disiplinat e tij.

Drejtori i saj emërohet nga Kryeministri dhe përgjigjet përpara tij për drejtimin e institucionit në lidhje me mbikëqyrjen e  zbatimit të legjislacionit në fushën e  informacionit të klasifikuar   “sekret shtetëror”,  politikën e sigurisë së NATO-s dhe direktivat mbështetëse të saj nga ministritë dhe institucionet shtetërore. Gjithashtu, ai përgjigjet për përfaqësimin e DSIK në marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit, për negocimin dhe nënshkrimin e  marrëveshjeve ndërkombëtare për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar me NATO, shtetet apo organizatat e tjera ndërkombëtare.

Detyrat kryesore të DSIK janë:

  1. Harton politika, programe e procedura për sigurimin e informacionit të klasifikuar dhe kontrollon zbatimin e tyre prej institucioneve. U rekomandon drejtuesve të institucioneve marrjen e masave të shpejta dhe të përshtatshme për korrigjimin e shkeljeve të vërejtura.
  2. Mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, dhe anën teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre.
  3. Harton procedura për parimet e klasifikimit, shenjëzimit, trajnimit dhe edukimit profesional, si dhe udhëzime për klasifikimin e deklasifikimin.
  4. Kryen rishikimin e programeve të secilit institucion, kërkon raporte nga këto institucione dhe bashkëpunon për përmbushjen e përgjegjësive.
  5. Bën certifikimin e personelit i cili administron informacionin e klasifikuar.
  6. Kryen procesin e rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve”.
  7. Informon të paktën një herë në gjashtë muaj Kryeministrin për çështjet e mësipërme.
  8. I propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e  informacionit të  klasifikuar.