MARREVESHJE ME SLLOVENINE

MARRËVESHJE
NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË
MBI
SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe
Qeveria e Republikës së Sllovenisë,
më poshtë referuar si “Palët”,
Duke rënë dakord për të zhvilluar bisedime për çështjet e sigurisë dhe për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin e tyre reciprok,
Duke kuptuar që bashkëpunimi i mirë mund të kërkojë shkëmbimin e Informacionit të Klasifikuar ndërmjet Palëve,
Me dëshirën për të siguruar mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar të shkëmbyer ndërmjet Palëve ose ndërmjet subjekteve publike dhe private nën juridiksionin e tyre, në lidhje me interesat dhe sigurinë kombëtare,
Kanë rënë dakord për sa më poshtë:
NENI 1
PERKUFIZIME

Për qëllime të kësaj Marrëveshjeje këto tema kanë kuptimet e mëposhtme:

“Informacion i Klasifikuar”: Çdo informacion, dokument ose material, pavarësisht nga forma e emërtuar dhe e shënuar si e tillë sipas legjislacionit të brendshëm të secilës Palë dhe kërkon mbrojtje ndaj zbulimit të paautorizuar, abuzimit ose humbjes.

Kontratë e Klasifikuar”: një Kontratë ose nënkontratë, duke përfshirë bisedimet para-kontraktuale, që përmban Informacion të Klasifikuar ose ka të bëjë me aksesin e tij.

Palë e Origjinës”: Palë, duke përfshirë çdo subjekt publik ose privat nën juridiksionin e saj, që i jep Informacion të Klasifikuar Palës Marrëse.  

Palë Marrëse”: Palë, duke përfshirë çdo subjekt publik ose privat nën juridiksionin e saj, që merr Informacion të Klasifikuar nga Pala e Origjinës.  

Palë e Tretë”: Një Shtet, duke përfshirë çdo subjekt publik ose privat nën juridiksionin e tij, ose një organizatë ndërkombëtare që nuk është Palë në këtë Marrëveshje.

Nevoja për të ditur”: Një parim sipas të cilit mund t’i jepet akses në Informacionin e Klasifikuar një individi vetëm në lidhje me detyrat e tij/saj zyrtare.

Certifikatë Sigurie së Personelit”: Vendimi nga një Autoritet Kompetent për Sigurinë që një individ është i përshtatshëm për akses në Informacionin e Klasifikuar, në pajtim me legjislacionin e brendshëm.

Certifikatë Sigurie të Strukturës”: Vendimi nga një Autoritet Kompetent për Sigurinë që një subjekt juridik ka aftësinë fizike dhe organizative për të përmbushur kushtet e përshkruara për trajtimin e Informacionit të Klasifikuar në pajtim me legjislacionin e brendshëm.

Kontraktues”: Një subjekt publik dhe/ose privat që ka zotësinë juridike për të lidhur një Kontratë të Klasifikuar.

Vizitor”: Përfaqësues i subjekteve publike ose private nën juridiksionin e një Pale që kërkon të vizitojë ambiente të Palës tjetër të angazhuar në aktivitete që përfshijnë Informacion të Klasifikuar.

NENI 2
QELLIMI DHE OBJEKTI

Në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm të dy Palët marrin të gjitha masat e përshtatshme për të siguruar mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar që transmetohet ose prodhohet në pajtim me këtë marrëveshje.

Neni 3
AUTORITETET KOMPETENTE PËR SIGURINË

1. Autoritetet e Sigurisë Kombëtare të caktuara nga Palët si përgjegjëse për zbatimin në tërësi dhe kontrollet përkatëse të të gjithë aspekteve të kësaj marrëveshjeje janë:

Në Republikën e Sllovenisë:
Urad Vlade Republike Slovenije za varovanje tajnih podatkov (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare - NSA)Në Republikën e Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare - NSA).

2. Autoritetet e Sigurisë Kombëtare njoftojnë njëri-tjetrin për çdo Autoritet tjetër Kompetent për Sigurinë që është përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

3. Palët informojnë njëri-tjetrin për çdo ndryshim të mëvonshëm të Autoriteteve të Sigurisë Kombëtare.

Neni 4
KLASIFIKIMET E SIGURISË

1. Informacioni i Klasifikuar i dhënë sipas kësaj marrëveshjeje shënohet me nivelin e përshtatshëm të klasifikimit të sigurisë në bazë të legjislacionit të brendshëm të Palëve.

2. Barasvlershmëria e shënimeve të klasifikimit të sigurisë kombëtare është si më poshtë:
Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Sllovenise
Ekuivalenca ne anglisht
TEPER SEKRET
STROGO TAJNO
TOP SECRET
SEKRET
TAJNO
SECRET
KONFIDENCIAL
ZAUPNO
CONFIDENTIAL
I KUFIZUAR
INTERNO
RESTRICTED

 

Neni 5
AKSESI NË INFORMACIONIN E KLASIFIKUAR

1. Aksesi në informacionin e klasifikuar si I KUFIZUAR kufizohet për personat që kanë Nevojë për të Ditur dhe që janë instruktuar përkatësisht.

2. Aksesi në informacionin e klasifikuar si KONFIDENCIAL dhe më lart kufizohet për personat që kanë Nevojë për të Ditur dhe që kanë një Certifikatë Sigurie së Personelit përkatëse.

3. Palët njohin bashkërisht Certifikatat përkatëse të Sigurisë së Personelit dhe Certifikatat e Sigurisë së Strukturës. Paragrafi 2 i Nenit 4 zbatohet përkatësisht.
Neni 6
PARIMET E SIGURISË

1. Palët i japin Informacionit të Klasifikuar të përmendur në këtë marrëveshje të njëjtën mbrojtje si edhe informacionit të tyre të nivelit përkatës të klasifikimit të sigurisë.

2. Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës së Origjinës:

    a) siguron që Informacioni i Klasifikuar të shënohet me një shënim të përshtatshëm të klasifikimit të sigurisë në pajtim me legjislacionin e tij të brendshëm, dhe

    b) informon Palës Marrëse

      - për çdo kusht të dhënies ose kufizim në përdorimin e Informacionin e Klasifikuar, dhe
   - për çdo ndryshim të mëvonshëm në nivelin e klasifikimit.

3. Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës Marrëse:

    a) siguron që Informacioni i Klasifikuar të shënohet me një shënim klasifikimi të barasvlershëm në pajtim me Paragrafin 2, Neni 4;

    b) siguron që niveli i klasifikimit nuk ndryshon, përveç kur autorizohet me shkrim nga Pala e Origjinës;

    c) përdor Informacionin e Klasifikuar vetëm për qëllimin për të cilin është dhënë dhe brenda kufizimeve të caktuara nga Pala e Origjinës, dhe

d) nuk ia jep Informacionin e Klasifikuar një Pale të Tretë pa pëlqimin paraprak me shkrim të Palës së Origjinës.
Neni 7
TRANSMETIMI I INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
    1. Informacioni i Klasifikuar transmetohet ndërmjet Palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike ose ushtarake ose nëpërmjet kanaleve të tjera të aprovuar nga Autoritetet e tyre Kompetente të Sigurisë në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm.  

    2. Informacioni i klasifikuar si I KUFIZUAR mund të transmetohet edhe me postë ose një shërbim tjetër dorëzimi në pajtim me legjislacionin e brendshëm.

    Neni 8
    RIPRODHIMI, PËRKTHIMI DHE ASGJËSIMI I INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

    1. Të gjitha riprodhimet dhe përkthimet kanë shënimet e përshtatshme të klasifikimit të sigurisë dhe ato mbrohen si Informacioni i Klasifikuar origjinal. Përkthimet dhe numri i riprodhimeve kufizohen në minimumin e kërkuar për një qëllim zyrtar.

    2. Të gjitha përkthimet përmbajnë një shënim të përshtatshëm, në gjuhën e përkthimit, duke treguar që ato përmbajnë Informacion të Klasifikuar të Palës së Origjinës.

    3. Informacioni i Klasifikuar me shënimin TEPËR SEKRET përkthehet ose riprodhohet vetëm me lejen me shkrim të Palës së Origjinës.

    4. Informacioni i Klasifikuar me shënimin TEPËR SEKRET nuk asgjësohet. Ai i kthehet Palës së Origjinës. Nëse, në rastin e një situate krize, nuk është e mundur të mbrohet Informacioni i Klasifikuar me shënimin TEPËR SEKRET ose t’i kthehet Palës së Origjinës, ai asgjësohet menjëherë. Pala Marrëse njofton Palën e Origjinës për asgjësimin e Informacionit të Klasifikuar.

    5. Informacioni i klasifikuar si SEKRET ose më poshtë asgjësohet pasi të mos konsiderohet më i nevojshëm për Palën Marrëse, në pajtim me legjislacionin e brendshëm.

    NENI 9
    KONTRATAT E KLASIFIKUARA

    1. Nëse Autoriteti Kompetent për Sigurinë i Palës së Origjinës synon të lejojë bisedime për lidhjen e një Kontrate të Klasifikuar me një kontraktues nën juridiksionin e Palës Marrëse, ai, me kërkesë, merr të gjitha Certifikatat përkatëse të Sigurisë së Personelit dhe Certifikatat e Sigurisë së Strukturës nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës Marrëse.

    2. Në rastin e një tenderi të klasifikuar të hapur Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës Marrëse mund t’i japë Autoritetit Kompetent të Sigurisë të Palës së Origjinës Certifikatat përkatëse të Sigurisë së Personelit dhe Certifikatat e Sigurisë së Strukturës edhe pa një kërkesë.

    3. Nën-kontraktuesit u nënshtrohen të njëjtave kërkesa të sigurisë si kontraktuesi që ka lidhur Kontratën kryesore të Klasifikuar.

    4. Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës së Origjinës mund të propozojë dhe marrë pjesë në inspektimet e sigurisë që kryhen nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës Marrëse në ambiente për të siguruar respektimin e kësaj marrëveshjeje.

    NENI 10
    VIZITAT

    1. Vizitat që kërkojnë akses në Informacionin e Klasifikuar i nënshtrohen lejes paraprake të Autoritetit Kompetent të Sigurisë të Palës pritëse.

    2. Një kërkesë për vizitë i paraqitet Autoritetit Kompetent të Sigurisë të paktën 20 ditë para fillimit të vizitës. Të dhënat e mëposhtme përdoren vetëm për qëllim të vizitës. Kërkesa për vizitë përmban:

      a) emrin, datën dhe vendin e lindjes, shtetësinë dhe numrin e kartës së identitetit/pasaportës së vizitorit;

      b) pozicionin e vizitorit, me një specifikim të punëdhënësit që përfaqëson vizitori;

      c) një përcaktim të projektit në të cilin merr pjesë vizitori;

      ç) vlefshmërinë dhe nivelin e Certifikatës së Sigurisë së Personelit, nëse kërkohet;

      d) emrin, adresën, numrin e telefonit dhe faksit, e-mail-in, pikën e kontaktit të strukturës që vizitohet;

      dh) qëllimin e vizitës, duke përfshirë nivelin më të lartë të Informacionit të Klasifikuar që përfshihet;

      e) datën dhe kohëzgjatjen e vizitës. Në rastin e vizitave të përsëritura, cilësohet periudha e përgjithshme që mbulohet nga vizitat;

      ë) datën dhe nënshkrimin e Autoritetit dërgues Kompetent të Sigurisë.

    3. Në raste urgjente, Autoritetet Kompetente të Sigurisë mund të bien dakord për një periudhë më të shkurtër të paraqitjes së kërkesës për vizitë.

    4. Autoritetet Kompetente të Sigurisë mund të bien dakord për një listë të vizitorëve të caktuar për vizita të përsëritura. Lista është e vlefshme për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj. Një kërkesë për vizita të përsëritura paraqitet në pajtim me paragrafin 2 të këtij Neni. Sapo të aprovohet një listë, vizitat mund të planifikohen drejtpërdrejt nga strukturat e interesuara.

    5. Çdo Informacion i Klasifikuar i përftuar nga një vizitor konsiderohet si Informacion i Klasifikuar sipas kësaj marrëveshjeje.

    NENI 11
    BASHKËPUNIMI I SIGURISË

    1. Me qëllim që të arrihen dhe ruhen standarde të krahasueshme të sigurisë, Autoritetet Kompetente të Sigurisë, me kërkesë, i japin njëri-tjetrit informacion mbi standardet, procedurat dhe praktikat e tyre kombëtare të sigurisë për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Për këtë qëllim, autoritetet Kompetente të Sigurisë mund të vizitojnë njëri-tjetrin.

    2. Autoritetet Kompetente të Sigurisë informojnë njëri-tjetrin për rreziqet përjashtimorë të sigurisë që mund të rrezikojnë Informacionin e Klasifikuar të dhënë.

    3. Me kërkesë, Autoritetet Kompetentë të Sigurisë, në pajtim me legjislacionin e brendshëm, asistojnë njeri-tjetrin në zbatimin e procedurave të certifikimit të sigurisë.

    4. Autoritetet Kompetente të Sigurisë informojnë menjëherë njëri-tjetrin për çdo ndryshim në Certifikatat e njohura bashkërisht të Sigurisë së Personelit dhe të Sigurisë së Strukturës.

    5. Shërbimet e sigurisë të Palëve mund të shkëmbejnë informacion operativ ose/dhe të fshehtë drejtpërdrejt në pajtim me legjislacionin kombëtar.

    6. Bashkëpunimi sipas kësaj marrëveshjeje do të kryhet në gjuhën angleze.

    NENI 12
    SHKELJA E SIGURISË

    1. Secila Palë njofton menjëherë Palën tjetër për çdo dyshim ose zbulim të një shkeljeje ose komprometimi të sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.

    2. Pala kompetente merr të gjitha masat e përshtatshme të mundshme sipas legjislacionit të saj të brendshëm për të kufizuar pasojat e shkeljes ose komprometimit të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni dhe për të parandaluar shkeljet e mëtejshme. Me kërkesë, Pala tjetër jep asistencë në hetim; ajo informohet për rezultatin e hetimit dhe masave të marra për shkak të shkeljes.  

    NENI 13
    SHPENZIMET

    Secila Palë mbulon shpenzimet e veta që shkaktohen gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Neni 14
    ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE

    Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj marrëveshjeje zgjidhet me konsultime dhe bisedime ndërmjet Palëve dhe nuk i paraqitet ndonjë gjykate ndërkombëtare apo Pale të Tretë.   

    Neni 15
    DISPOZITA TË FUNDIT

    1. Kjo marrëveshje lidhet për një periudhë të pacaktuar kohe. Ajo i nënshtrohet aprovimit në pajtim me procedurat e brendshme ligjore të Palëve dhe hyn në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas marrjes së njoftimit të fundit që kërkesat e nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje janë përmbushur.

    2. Kjo marrëveshje ndryshohet në çdo kohë me pëlqimin me shkrim të të dy Palëve. Këto ndryshime hyjnë në fuqi në pajtim me Paragrafin 1 të këtij Neni.

    3. Çdo Palë ka të drejtën për ta përfunduar këtë marrëveshje me shkrim në çdo kohë. Në një rast të tillë, vlefshmëria e marrëveshjes mbaron 6 muaj pas ditës në të cilën merret njoftimi për përfundimin nga Pala tjetër.

    4. Pavarësisht përfundimit të marrëveshjes, i gjithë Informacioni i Klasifikuar i dhënë sipas kësaj marrëveshjeje vazhdon të mbrohet në pajtim me dispozitat e përcaktuara në këtë marrëveshje derisa Pala e Origjinës e përjashton Palën Marrëse nga një detyrim i tillë.

    5. Kjo marrëveshje nuk cenon të drejtat dhe detyrimet e Palëve që rrjedhin nga marrëveshjet e tjera ndërkombëtare.

    6. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje mund të vendosen masa zbatuese.

     

    Bërë në …………………, më ……………………… në dy kopje origjinale, në gjuhën sllovene, shqipe, dhe angleze, ku secili tekst është njëlloj i barasvlershëm. Në rast mospërputhje në interpretim, mbizotëron teksti në gjuhën angleze.

     

    Në dëshmi të kësaj të poshtëshënuarit, duke qenë rregullisht të autorizuar, kanë nënshkruar këtë marrëveshje.

     

    Në emër të Këshillit të Ministrave
    të Republikës së Shqipërisë
    Në emër të Qeverisë
    së Republikës së Sllovenisë