MARREVESHJE ME SLLOVAKINE

LIGJ
Nr.10 244, datë 4.3.2010
PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet  “Marrëveshja  ndërmjet  Këshillit të Ministrave  të Republikës së Shqipërisë  dhe Qeverisë  së  Republikës  së  Sllovakisë  për  mbrojtjen  e  ndërsjellë  të  informacionit  të  klasifikuar”, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij ligji.

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6473,  datë 25.3.2010  të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,  Bamir

Topi.
MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SLLOVAKE MBI MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
(Këtej e tutje të quajtura “Palët”)

Duke njohur nevojën e caktimit të rregullave  për mbrojtjen e informacionit  të klasifikuar që shkëmbehet brenda kuadrit të bashkëpunimit politik, ushtarak, ekonomik, ligjor, shkencor dhe teknologjik  apo  tjetër,  si  dhe  të  informacionit   të  klasifikuar   që  rrjedh   gjatë  procesit   të  një bashkëpunimi të tillë,
me synim mbrojtjen reciproke   të të gjithë informacionit të klasifikuar që është klasifikuar në shtetin e një pale dhe transmetuar në shtetin e palës tjetër,
me dëshirën për të krijuar një komplet rregullash  mbi mbrojtjen reciproke  të informacionit të klasifikuar të shkëmbyer ndërmjet shteteve të palëve,
duke konsideruar interesat  reciprokë  në mbrojtjen  e informacionit  të klasifikuar,  në pajtim me legjislacionin e shteteve të të dyja palëve,

kanë rënë dakord si më poshtë:.
Neni 1
Përkufizime

Për qëllimet e kësaj marrëveshjeje:
a) ”Informacion  i klasifikuar”  është informacioni  ose materiali,  pavarësisht  nga forma  ose natyra  e tij,  që i nënshtrohet  mbrojtjes  ndaj  manipulimit  të paautorizuar  dhe që është përcaktuar rregullisht nga klasifikimi i sigurisë, në pajtim me legjislacionin e brendshëm të shteteve të palëve;
b)  ”Autoritet   kompetent  për  sigurinë”   është  organi  i  sigurisë  kombëtare  përgjegjës  për zbatimin dhe mbikëqyrjen e kësaj marrëveshjeje;
c) ”Palë e origjinës”  është shteti i palës që transmeton informacion të klasifikuar në shtetin e palës tjetër;
d) ”Palë marrëse”  është shteti i palës të cilit i dërgohet informacioni i klasifikuar nga shteti i
palës tjetër;
e) ”Palë  e tretë”  është  çdo shtet ose organizatë  ndërkombëtare  që nuk është palë në këtë marrëveshje;
f) ”Kontratë  e klasifikuar”  është një marrëveshje  ndërmjet  dy ose më shumë kontraktorësh që krijojnë dhe përcaktojnë të drejta dhe detyrime të ekzekutueshme ndërmjet tyre që përmbajnë ose përfshijnë informacion të klasifikuar;
g) “Kontraktor”  është një individ ose subjekt juridik që ka cilësinë ligjore për të përfunduar kontrata të klasifikuara;
h) ”Nevojë për të ditur” është parimi nëpërmjet të cilit aksesi në informacionin e klasifikuar lejohet për individët në lidhje me punën dhe detyrat e tyre zyrtare;
i)  ”Certifikatë  sigurie  e  personelit”   është  dokumenti  i  dhënë  nga  autoriteti  kompetent  i sigurisë  një  shtetasi  të  shtetit  të  palës  për  akses  në  informacion  të  klasifikuar,  në  pajtim  me legjislacionin përkatës të brendshëm;
j) ”Certifikatë  sigurie strukture”  është dokumenti i dhënë nga autoriteti kompetent i sigurisë që provon që një subjekt juridik ka zotësinë fizike dhe organizative  për të përdorur  dhe depozituar informacion të klasifikuar në pajtim me legjislacionin përkatës të brendshëm.

Neni 2
Qëllimi

Autoritetet kompetente të sigurisë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje  janë:
Për Republikën e Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)
Për Republikën Sllovake:
Autoriteti i Sigurisë Kombëtare.
2.  Shtetet  e  palëve  informojnë   njëra-tjetrën,  nëpërmjet   kanaleve  diplomatike,   për  çdo modifikim në lidhje me autoritetet e tyre kompetente të sigurisë.

Neni 3
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Palët  bien dakord  që  nivelet  e mëposhtme  të  klasifikimit  të sigurisë  janë  ekuivalentë  dhe përputhen  me  nivelet  e  klasifikimit  të  sigurisë  të  përcaktuara  në  legjislacionin  e  brendshëm  të shteteve të tyre përkatëse:

Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Sllovakise
Ekuivalenca ne anglisht
TEPER SEKRET
PRISNE TAJNE
TOP SECRET
SEKRET
TAJNE
SECRET
KONFIDENCIAL
DOVERNE
CONFIDENTIAL
I KUFIZUAR
VYHRADENE
RESTRICTED

 

Neni 4
Parimet e Sigurise

1. Shtetet  e palëve  marrin  të gjitha  masat  e duhura,  në pajtim  me legjislacionin  e tyre  të brendshme,  për  të  mbrojtur  informacionin  e klasifikuar  të  përmendur  në  këtë  marrëveshje.  Këtij informacioni   të  klasifikuar  i  jepet  e  njëjta  mbrojtje  që  i  jepet  informacionit  të  klasifikuar  të brendshëm në nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë.
2. Palët shënojnë të gjithë informacionin e klasifikuar të transmetuar, prodhuar ose zhvilluar në pajtim me këtë marrëveshje,  sipas nenit 3.
3.  Autoriteti  kompetent  i  sigurisë  i  palës  pritëse  e  ndryshon  shënimin  e  klasifikimit  të sigurisë  ose  e anulon  atë  vetëm  kur  kjo i kërkohet  nga autoriteti  kompetent  i sigurisë  i palës  së origjinës.
4. Informacioni  i klasifikuar  i transmetuar  përdoret  vetëm për qëllimet për të cilat ai është dhënë.
5.  Aksesi në informacionin  e klasifikuar  kufizohet  në individë mbi bazën e nevojës për të ditur që kanë certifikatën përkatëse të sigurisë së personelit,  sipas legjislacionit të brendshëm dhe që janë instruktuar përkatësisht.
6. Pala marrëse nuk lejon akses në informacionin e klasifikuar sipas kësaj marrëveshjeje  nga një palë e tretë pa aprovimin paraprak me shkrim nga pala e origjinës.
7. Me qëllim që të arrihen  dhe të ruhen  standarde  të krahasueshme  të sigurisë,  autoritetet kompetente  të  sigurisë,   me  kërkesë,   i  japin  njëra-tjetrës   informacion  në  lidhje  me  standardet, procedurat dhe praktikat e tyre të sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
8.   Autoritetet  kompetente  të   sigurisë    informojnë    njëra-tjetrën    për   ndryshimet    në legjislacionin e tyre të brendshëm përkatës dhe, për të siguruar bashkëpunim të ngushtë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje,  ato mund të zhvillojnë konsultime me kërkesë të njërit prej tyre.

 

Neni 5
Ndihma në procedurat e verifikimit

1. Me  kërkesë,  autoritetet  kompetente  të  sigurisë,  duke  marrë  parasysh  legjislacionin  e brendshëm të shteteve të tyre, ndihmojnë njëra-tjetrën  gjatë procedurave  të verifikimit të qytetarëve të tyre me banim ose strukturave që gjenden në territorin e shtetit të palës tjetër që paraprin lëshimin e certifikatave të sigurisë së personelit ose strukturave.
2. Palët njohin certifikatat e sigurisë së personelit dhe strukturave  të lëshuara,  në pajtim me legjislacionin e brendshëm të shtetit të palës tjetër. Certifikatat e sigurisë janë ekuivalente,  në pajtim me nenin 3.
3. Autoritetet kompetente të sigurisë i komunikojnë njëra- tjetrës çdo informacion tjetër, në lidhje me ndryshimet në certifikatat e sigurisë së personelit dhe strukturave,  veçanërisht në lidhje me rastet e tërheqjeve ose uljes së nivelit të klasifikimit të sigurisë.

 

Neni 6
Përkthimi,  riprodhimi dhe asgjësimi

1.  Informacioni  i  klasifikuar  përkthehet  dhe  riprodhohet   në  pajtim  me  legjislacionin  e brendshëm të palës marrëse.
2. Informacioni  i klasifikuar  i shënuar  TEPËR  SEKRET  përkthehet ose riprodhohet  vetëm me aprovim me shkrim të autoritetit kompetent të sigurisë së palës së origjinës.
3.  Përkthimet   kanë  një  shënim  në  gjuhën  e  përkthimit   që  tregon   që  ato  përmbajnë informacion të klasifikuar të palës së origjinës.
4.  Përkthimi   i  informacionit  të  klasifikuar  dhe  informacioni   i  klasifikuar  i  riprodhuar vendoset nën të njëjtën mbrojtje,  si dhe origjinali.  Numri i kopjeve kufizohet në ata që kërkohet për qëllime zyrtare.

5. Informacioni  i klasifikuar  asgjësohet,  në  pajtim  me  legjislacionin e brendshëm,  për  të parandaluar rindërtimin e tij të pjesshëm ose të plotë.
6.  Informacioni  i  klasifikuar  i  shënuar  TEPËR  SEKRET  nuk  asgjësohet;   ai  i  kthehet autoritetit kompetent të sigurisë të palës së origjinës.

7. Autoritetit  kompetent  të  sigurisë  të  palës  së  origjinës  i  jepet  një  kopje  e  raportit  të asgjësimit të informacionit të klasifikuar.
Neni 7
Transmetimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikuar normalisht  transmetohet me rrugë diplomatike ose me rrugë të tjera të rëna paraprakisht dakord nga autoritetet kompetente të sigurisë.
2. Pala marrëse konfirmon me shkrim marrjen e informacionit të klasifikuar.
3. Palët mund të transmetojnë informacion të klasifikuar me mjete elektronike në pajtim me procedurat e sigurisë të rëna reciprokisht dakord nga autoritetet kompetente të sigurisë.

4. Për dorëzimin e sendeve ose sasive të mëdha të informacionit të klasifikuar të rregulluar rast pas rasti, bihet dakord me shkrim, nga autoritetet kompetente të sigurisë

 

Neni 8
Kontratat e klasifikuara

1. Para  fillimit  të  bisedimeve  parakontraktuale  ndërmjet  kontraktorëve  të  mundshëm  me synim nënshkrimin e kontratave të klasifikuara,  secili kontraktor informon autoritetin e tij kompetent të sigurisë, në lidhje me nivelin e klasifikimit të sigurisë të informacionit të klasifikuar përkatës.
2. Me kërkesë  të një prej  autoriteteve  kompetente të sigurisë,  autoriteti  tjetër  kompetent  i sigurisë  konfirmon  me  shkrim  që  kontraktorët  e  propozuar,  si  dhe  individët  që  marrin  pjesë  në bisedimet parakontraktuale ose në zbatimin e kontratës së klasifikuar të kenë certifikatë të sigurisë së personelit ose strukturës të nivelit të përshtatshëm të klasifikimit të sigurisë.
3. Çdo kontratë e klasifikuar e përfunduar,  në pajtim me këtë marrëveshje, përfshin:
a) Detyrimin  e kontraktorit  për të siguruar  që ambientet e tij kanë kushtet e nevojshme për trajtimin  dhe  ruajtjen  e  informacionit  të  klasifikuar  të  nivelit  të  përshtatshëm  të  klasifikimit  të sigurisë;
b) Detyrimin  e kontraktorit  për të siguruar që personat që përmbushin  detyrat që kërkojnë akses në informacionin e klasifikuar të kenë certifikatën e përshtatshme të sigurisë së personelit;
c)  Detyrimin   e  kontraktorit   për  të  siguruar   që  të  gjithë  personat   që  kanë  akses  në informacionin  e  klasifikuar  të  jenë  të  informuar  për  përgjegjësinë  e  tyre  kundrejt  mbrojtjes  së informacionit të klasifikuar, në pajtim me legjislacionin e brendshëm;
d)  Detyrimin e kontraktorit për të kryer inspektime periodike të sigurisë në ambientet e tij;
e)  Listën  e  informacionit  të  klasifikuar  dhe  listën  e  fushave  në  të  cilat  mund  të  lindë informacioni i klasifikuar;
f)  Procedurën   e  komunikimit   të  ndryshimeve   në  nivelin   e  klasifikimit   të  sigurisë   të informacionit të klasifikuar;
g) Mjetet e komunikimit për transmetimin;
h) Procedurën për transportin e informacionit të klasifikuar;
i) Individët ose subjektet juridike të përshtatshme dhe të autorizuara, përgjegjëse për bashkërendimin e ruajtjes së informacionit të klasifikuar në lidhje me kontratën e klasifikuar;
j) Detyrimin për të njoftuar çdo humbje, rrjedhje ose komprometim faktik ose të dyshuar të informacionit të klasifikuar;
k)  Detyrimin  e  kontraktorit  për  të  respektuar  procedurat  e  trajtimit  të  informacionit  të klasifikuar.
4. Çdo nënkontraktor duhet të përmbushë të njëjtat detyrime sigurie si kontraktori.
5. Një kopje e çdo kontrate të klasifikuar i jepet autoritetit kompetent të sigurisë të shtetit të palës ku kryhet puna, për të mundësuar mbikëqyrjen dhe kontrollin e përshtatshëm të sigurisë.
6. Përfaqësuesit  e  autoriteteve  kompetente  të  sigurisë  mund  të  vizitojnë  njëri-tjetrin,   me qëllim  që   të   analizojnë   efikasitetin   e   masave   të   zbatuara   nga   kontraktori   për   mbrojtjen   e informacionit  të  klasifikuar  të  përfshirë  në  kontratën  e  klasifikuar.  Njoftimi  për  vizitën  bëhet  të paktën njëzet ditë më parë.

Neni 9
Vizitat

1. Vizitat që përfshijnë  aksesin në informacionin  e klasifikuar  nga shtetasit e shtetit të një pale në shtetin e palës tjetër i nënshtrohet  aprovimit paraprak  me shkrim nga autoriteti kompetent i sigurisë së palës pritëse.
2. Vizitat që përfshijnë aksesin në informacionin  e klasifikuar  lejohen nga shteti i një pale
për vizitorët nga shteti i palës tjetër, vetëm nëse atyre:
a) u është dhënë certifikata e përshtatshme e sigurisë së personelit nga autoriteti kompetent i sigurisë i shtetit kërkues;
b) u është dhënë autorizim  për të marrë  dhe pasur akses në informacionin  e klasifikuar  në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm.
3. Vizitat  që përfshijnë  aksesin në informacionin  e klasifikuar  nga shtetasit e një shteti të tretë autorizohen vetëm nga një marrëveshje e përbashkët ndërmjet shteteve të palëve.
4. Autoriteti kompetent i sigurisë i shtetit kërkues njofton autoritetin kompetent të sigurisë të shtetit pritës për vizitën e planifikuar nëpërmjet një kërkese për vizitë,  që duhet të merret të paktën njëzet ditë para se vizita të ndodhë.
5. Në rastet urgjente, kërkesa për vizitë transmetohet të paktën shtatë ditë më parë.
6. Kërkesa për vizitë përfshin:
a)  emrin  dhe  mbiemrin   e  vizitorit,   vendin  dhe  datën  e  lindjes,  shtetësinë,  numrin  e pasaportës ose të dokumentit të identifikimit;
b) emrin e subjektit juridik që përfaqëson vizitori ose të cilit i përket vizitorit;
c) emrin dhe adresën e subjektit juridik që duhet të vizitohet;
d) konfirmimin e certifikatës së sigurisë së personelit të vizitorit dhe vlefshmërinë e saj;
e) objektin dhe qëllimin e vizitës;
f) datën dhe kohëzgjatjen  e pritshme  të kërkesës  së kërkuar,  në rastin  e vizitave periodike jepet periudha e plotë që mbulohet nga vizitat;
g) datën, nënshkrimin dhe vulën zyrtare të autoritetit kompetent të sigurisë.
7. Me aprovimin  e vizitës,  autoriteti  kompetent i sigurisë  i shtetit pritës  i jep një kopje të kërkesës për vizitë subjektit ligjor që duhet të vizitohet.
8. Vlefshmëria e aprovimit të vizitës nuk është më shumë se një vit.

9. Shtetet  e palëve  mund të përpilojnë  lista  të  individëve  të autorizuar  për  të bërë  vizita periodike.  Listat  janë  të  vlefshme  për  një  periudhë  fillestare  prej  dymbëdhjetë  muajsh.  Afatet  e vizitave përkatëse rregullohen drejtpërdrejt me pikat e përshtatshme të kontaktit te subjekti juridik që duhet të vizitohet nga këta individë, në pajtim me kushtet dhe afatet e rëna dakord.

 

Neni 10
Shkelja dhe komprometimi i sigurisë

1. Në rastin e shkeljes ose komprometimit të sigurisë që rezulton në një komprometim faktik ose të dyshuar të informacionit të klasifikuar me origjinë ose të marrë nga shteti i palës tjetër ose të dyshimit  që  informacioni   i  klasifikuar   është  deklaruar   te  personat   e  paautorizuar,  autoriteti kompetent  i  sigurisë  i  shtetit  të  palës  ku  shkelja  ose  komprometimi   është  realizuar   informon autoritetin kompetent të sigurisë së shtetit të palës tjetër dhe kryen hetimin përkatës.
2. Nëse shkelja ose komprometimi i sigurisë ndodh në një palë të tretë, autoriteti kompetent i sigurisë së palës së origjinës ndërmerr veprimet në pajtim me paragrafin 1.
3. Shteti i palës tjetër, me kërkesë, bashkëpunon në hetim.

4. Në çdo rast, shteti i palës tjetër informohet për rezultatet e hetimit dhe merr raportin final mbi shkaqet dhe masën e dëmit.

 

Neni 11
Shkaqet

Secila palë mbulon shpenzimet e veta që shkaktohen në lidhje me zbatimin dhe mbikëqyrjen e kësaj marrëveshjeje.

Neni 12
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje,  në lidhje me interpretimin  ose zbatimin e masave të përshkruara  në këtë marrëveshje,  zgjidhet nëpërmjet bisedimeve të autoriteteve kompetente të sigurisë.

 

Neni 13
Dispozita të fundit

1.  Kjo marrëveshje  përfundohet për një afat të pacaktuar  kohe dhe hyn në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas marrjes  së njoftimit të fundit me shkrim të palëve me rrugë diplomatike, që konfirmon përmbushjen e procedurave të brendshme për hyrjen e saj në fuqi.
2. Kjo marrëveshje  ndryshohet  në çdo kohë mbi bazën e aprovimit  reciprok  me shkrim të palëve.
3. Secila  palë,  në  çdo  moment,  mund  ta  prishë  këtë  marrëveshje  me  njoftim  me  shkrimnëpërmjet  kanaleve  diplomatike.  Në  këtë  rast,  prishja  hyn  në  fuqi  gjashtë  muaj  pas  marrjes  së njoftimit përkatës.
4. Pavarësisht  prishjes së kësaj marrëveshjeje,  i gjithë informacioni i klasifikuar vazhdon të mbrohet,  përveç kur pala e origjinës e liron palën marrëse nga ky detyrim.

Bërë në Tiranë,  më 18.6.2009, në dy kopje origjinale,  secila një në shqip, sllovakisht dhe anglisht,  ku secili tekst është njëlloj autentik. Në rast ndryshimi në interpretim, mbizotëron teksti në anglisht.

    Për Këshillin e Ministrave të        Për Qeverinë e Republikës Sllovake
     Republikës së Shqipërisë