MARREVESHJE ME MAQEDONINE

LIGJ
Nr. 9479, datë 16.2.2006

PËR RATIFIKIMIN E "MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË PËR MBROJTJEN E PËRBASHKËT TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR"

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar".

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4801, datë 10.3.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS TË MAQEDONISË PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë, (këtu referuar si "Palët"); që kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtjen e ndërsjellë të të gjithë informacionit të klasifikuar, në shtetin e njërës Palë dhe të transferuar në shtetin e Palës tjetër, duke dëshiruar të vendosin rregulla për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, që do të shtrihen në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit të lidhura ndërmjet Palëve dhe në kontratat e vendosura ndërmjet organizatave të Shteteve Palë, të cilat sigurojnë shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, janë marrë vesh për sa më poshtë:

Neni 1
Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje:
1. "Informacion i klasifikuar" nënkupton çdo informacion, i cili kërkon mbrojtje ndaj aksesit ose përdorimit të     paautorizuar, të përcaktuar si të tillë nëpërmjet një klasifikimi sigurie.
2. "Palë marrëse" nënkupton Palën në këtë Marrëveshje, në të cilën transmetohet informacioni/materiali i     klasifikuar.
3. "Pala e origjinës" nënkupton Palën në këtë Marrëveshje që e dërgon informacionin/materialin e klasifikuar.
4. "Autoriteti kompetent i sigurisë" nënkupton autoritetin, i cili, në përputhje me rregullat dhe ligjet kombëtare,     përgjigjet për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.
5. "Kontraktues" nënkupton një individ apo një person juridik që ka kapacitetin ligjor për të lidhur kontrata.
6. "Kontratë e klasifikuar" nënkupton një marrëveshje ndërmjet dy apo më shumë subjektesh administrative,     individëve apo subjekteve ligjore që krijon dhe përcakton të drejta dhe detyrime të detyrueshme ndërmjet tyre,     e cila përmban apo përfshin informacion të klasifikuar.
7. "Palë e tretë" nënkupton një organizatë ndërkombëtare apo shtet të tretë që nuk është Palë e kësaj     Marrëveshjeje.
8. "Vizitorë" nënkupton përfaqësues zyrtarë të një Pale që kërkojnë të vizitojnë ambientet e Palës tjetër në këtë     Marrëveshje që janë të angazhuara në veprimtari që përfshijnë materiale dhe/ose informacion të klasifikuar.
9. "Certifikatë sigurie personeli" nënkupton dokumentin që lëshohet nga autoriteti kompetent i sigurisë për një     qytetar të një Pale për akses në materialin dhe/ose informacionin e klasifikuar, në përputhje me rregulloret     dhe ligjet respektive të sigurisë kombëtare.
10. "Certifikatë sigurie pajisjeje" nënkupton dokumentin që lëshohet nga autoriteti kompetent i sigurisë dhe që     provon se një kompani ose institucion ka aftësinë organizative dhe fizike të përdorë dhe të depozitojë material     dhe/ose informacion të klasifikuar, në përputhje me rregulloret dhe ligjet respektive të sigurisë kombëtare.

Neni 2
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Nivelet e klasifikimit të sigurisë dhe ekuivalentet e Palëve janë:

Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Maqedonise
Ekuivalenca ne anglisht
TEPER SEKRET
Drzavna Tajna
TOP SECRET
SEKRET
Strogo
SECRET
KONFIDENCIAL
Doverlivo
CONFIDENTIAL
------------------------
Interno
RESTRICTED/CONFIDENTIAL

 

Neni 3
Autoritetet kompetente të sigurisë

1. Autoritetet kompetente të sigurisë së Shteteve Palë, që përgjigjen për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, janë si     më poshtë:
        - Për Republikën e Shqipërisë: Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë            Kombëtare).
        - Për Republikën e Maqedonisë: Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

2. Autoritetet kompetente të sigurisë do t'i sigurojnë njëri-tjetrit kredencialet e tyre zyrtare.
3. Me qëllim që të arrihen dhe të mbahen standarde të krahasueshme sigurimi, autoritetet kompetente     respektive të sigurimit, sipas kërkesës, i sigurojnë njëri-tjetrit informacion rreth procedurave, praktikave dhe     standardeve të sigurimit për ruajtjen e informacionit të klasifikuar në Palën tjetër respektive.

 

Neni 4
Aksesi tek informacioni i klasifikuar

1. Aksesi tek informacioni i klasifikuar do të jetë për ata persona që kanë nevojë për njohje dhe që janë     certifikuar nga autoriteti kompetent i sigurisë, në përputhje me rregullat dhe ligjet kombëtare të shteteve, që     korrespondojnë me nivelin e kërkuar të klasifikimit të sigurisë së informacionit që është për njohje.

2. Pala Marrëse:
    a) nuk do t'i japë informacion të klasifikuar një Pale të tretë pa miratimin paraprak me shkrim të Palës së          Origjinës;
    b) do t'i sigurojë informacionit të klasifikuar një nivel klasifikimi sigurie ekuivalent me atë të përcaktuar në          nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje dhe në vazhdimësi do t'i sigurojë një mbrojtje ekuivalente me atë të nivelit          korrespondues të klasifikimit të siguruar nga Pala e Origjinës;
    c) nuk do ta përdorë informacionin e klasifikuar për qëllime të tjera, përveç atij për të cilin ai është siguruar.

 

Neni 5
Transmetimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikuar do të transmetohet normalisht përmes shërbimit diplomatik, ushtarak dhe korrier, të     miratuar nga autoriteti kompetent i sigurisë. Pala Marrëse do të konfirmojë marrjen e informacionit të     klasifikuar.
2. Në qoftë se do të transmetohet një pako e madhe që përmban informacion të klasifikuar, autoriteti kompetent     respektiv duhet të jetë dakord dhe të miratojë mjetet e transmetimit, rrugën dhe masat e sigurimit për çdo rast     të tillë.
3. Mjete të tjera të miratuara të transmetimit apo shkëmbimit të informacionit të klasifikuar, përfshirë mjetet     elektromagnetike, mund të përdoren në qoftë se miratohet nga autoritetet kompetente.

 

Neni 6
Shenjëzimi i informacionit të klasifikuar

1. Pala Marrëse do të ruajë nivelin e klasifikimit të origjinalit dhe do të shenjëzojë informacionin e klasifikuar të     marrë sipas shenjëzimit të klasifikimit të sigurisë korrespondues, të përcaktuar në nenin 2 më sipër.
2. Kopjet dhe përkthimet e informacionit të klasifikuar të marrë, do të shenjëzohen dhe ruhen në të njëjtën     mënyrë si origjinali.
3. Kërkesat e shenjëzimit do të zbatohen gjithashtu për informacionin e klasifikuar të marrë mbështetur në një  kontratë të klasifikuar.

Neni 7
Shkatërrimi

1.Informacioni i klasifikuar do të shkatërrohet në mënyrë të tillë që të shmanget rindërtimi i pjesshëm apo i plotë    i tij.
2.Informacioni dhe materialet Tepër Sekret/Drzavna Tajna/Top Secret nuk do të shkatërrohen. Ato do të kthehen     tek autoriteti respektiv kompetent i sigurisë së Palës së Origjinës.

Neni 8
Riprodhimi dhe përkthimi i dokumenteve të klasifikuara

1. Dokumentet e klasifikuara që përmbajnë informacion Tepër Sekret/Drzavna Tajna/Top Secret do të lejohen të     përkthehen dhe fotokopjohen vetëm me lejen me shkrim të autoritetit kompetent të sigurisë së Palës së     Origjinës.
2. Të gjitha kopjet e riprodhuara të dokumenteve të klasifikuara do të shenjëzohen me të njëjtin shenjëzim të     origjinalit. Ky informacion i riprodhuar do të mbrohet si informacioni origjinal. Numri i kopjeve do të kufizohet në     numrin e domosdoshëm për qëllimin zyrtar.
3. Të gjitha përkthimet e informacionit të klasifikuar do të bëhen nga persona të certifikuar me nivel të njëjtë me     informacionin e klasifikuar. Përkthimi do të shenjëzohet me të njëjtin shenjëzim të origjinalit dhe do të ketë një     shënim në gjuhën në të cilën është përkthyer se përkthimi përmban informacion të klasifikuar të Palës së     Origjinës.

Neni 9
Vizitat

1. Ekspertët e sigurisë së Autoriteteve Kompetente të Sigurisë mund të vizitojnë periodikisht njëri-tjetrin, me     qëllim që të diskutojnë procedurat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
2. Miratimi paraprak i Autoritetit Kompetent të Sigurisë së Palës pritëse do të kërkohet në lidhje me vizitorët, në      qoftë se aksesi tek informacioni i klasifikuar apo te mjediset ku informacioni i klasifikuar zhvillohet, ruhet apo      magazinohet, është i nevojshëm.
3. Procedurat që lidhen me vizitat do të zhvillohen dhe miratohen ndërmjet Autoriteteve Kompetente të Sigurisë.
4. Çdo Palë do të garantojë mbrojtjen e të dhënave personale të vizitorëve sipas rregullave dhe ligjeve      kombëtare respektive.

Neni 10
Kontratat e klasifikuara

1. Në qoftë se lidhet një kontratë e klasifikuar ndërmjet kontraktorëve të Palëve të kësaj Marrëveshjeje, do të     sigurohet më parë një garanci nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë në mënyrë që kontraktori i propozuar të ketë     një certifikatë sigurie që përputhet me nivelin e klasifikimit të sigurisë së kërkuar dhe që ka zbatuar     marrëveshje të përshtatshme sigurie për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
    Kjo garanci, gjithashtu, përfshin detyrimin për të siguruar që rregullat e sigurisë së kontraktorit të certifikuar të     korrespondojnë me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe që këto rregulla     mbikëqyren nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë.
2. Autoriteti Kompetent i Sigurisë përgjigjet për të siguruar që çdo pjesë e informacionit të klasifikuar, i cili i është     dhënë kontraktorit të Palës tjetër apo është prodhuar në lidhje me një kontratë të klasifikuar, ka të përcaktuar     klasifikimin e sigurisë. Me kërkesë të Autoritetit Kompetent të Sigurisë së kontraktorit, Autoriteti Kompetent i     Sigurisë së Palës tjetër do të sigurojë një listë kërkesash sigurie. Gjithashtu, Autoriteti Kompetent i Sigurisë     së Palës tjetër do të sigurojë Autoritetin Kompetent të Sigurisë së kontraktorit me një deklaratë njoftimi se     kontraktori ka marrë përsipër të respektojë legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.      Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës tjetër do të dorëzojë tek Autoriteti Kompetent i Sigurisë së kontraktorit      njoftimin përkatës të detyrimit të kontraktorit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
3. Autoriteti Kompetent i Sigurisë së kontraktorit do të konfirmojë me shkrim marrjen e listës së kërkesave të     kërkuara të sigurisë dhe do t'ia çojë këtë listë kontraktorit.
4. Në çdo rast, Autoriteti Kompetent i Sigurisë së kontraktorit do të sigurojë që kontraktori do të trajtojë pjesë të     caktuara të një kontrate, të cilat kërkojnë klasifikim, në të njëjtën mënyrë si informacioni i klasifikuar i shtetit të     kontraktorit në përputhje me nivelin e klasifikimit të fiksuar në listën e kërkesve të sigurisë.
5. Nëse Autoriteti Kompetent i Sigurisë miraton një nënkontratë të klasifikuar, do të veprojë në përputhje me     paragrafin 2 dhe 4 të këtij neni.
6. Palët do të sigurojnë që një kontratë e klasifikuar është lidhur apo eventualisht, puna në pjesët e klasifikuara     fillon vetëm pasi kontraktori ka zbatuar masat e sigurimit.

Neni 11
Shkeljet e sigurisë

1. Në rast se një shkelje e rregullave të sigurimit rezulton në kompromentimin e sigurt apo të dyshuar të     informacionit të klasifikuar të marrë nga Pala tjetër, Autoriteti Kompetent i Sigurisë i shtetit ku ndodhi     kompromentimi do të informojë Autoritetin Kompetent të Sigurisë së Palës tjetër sa më shpejt të jetë e     mundur dhe do të bëjë hetimet përkatëse. Pala tjetër, nëse kërkohet, do të bashkëpunojë për hetimin.
2. Në rast se kompromentimi ndodh në një shtet tjetër jo palë, Autoriteti Kompetent i Sigurisë së Palës dërguese     do të ndërmarrë veprimet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Pala tjetër do të informohet për rezultatet e hetimit dhe do t'i sigurohet një raport përfundimtar si për arsyet e     ngjarjes ashtu edhe për shkallën e dëmtimit.

 

Neni 12
Shpenzimet

Çdo Palë do të mbulojë vetë shpenzimet që do të bëjë ajo vetë në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

 

Neni 13
Dispozitat e fundit

1. Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim, nëpërmjet të cilit Palët     informojnë njëra-tjetrën nëpërmjet kanaleve diplomatike që kërkesat e legjislacionit kombëtar për hyrjen e saj     në fuqi janë plotësuar.
2. Kjo Marrëveshje është përfunduar për një periudhë të pakufizuar kohe. Ajo mund të përfundojë nga një Palë     duke i dërguar Palës tjetër një njoftim me shkrim për përfundimin e saj. Përfundimi do të hyjë në fuqi 6     (gjashtë) muaj pas datës së marrjes së njoftimit për përfundim.
3. Pas përfundimit të kësaj Marrëveshjeje, i gjithë informacioni i klasifikuar i siguruar gjatë zbatimit të kësaj     Marrëveshjeje, do të vazhdojë të mbrohet në përputhje me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, derisa Pala e     Origjinës të përjashtojë Palën Marrëse nga ky detyrim.
4. Çdo Palë do të njoftojë Palën tjetër për ndonjë ndryshim të rregulloreve dhe ligjeve të saj që mund të ndikojnë      në mbrojtjen e informacionit të klasifikuar sipas kësaj Marrëveshjeje. Në një rast të tillë, Palët do të      konsultohen për ndryshimet e mundshme të kësaj Marrëveshjeje. Ndërkohë, informacioni i klasifikuar do të      vazhdojë të ruhet siç është përshkruar këtu, përderisa nuk është kërkuar ndryshe me shkrim nga Pala e      Origjinës.
5. Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet në bazë të miratimit të shkruar të të dyja Palëve. Këto ndryshime do të     hyjnë në fuqi në përputhje me procedurat për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje.
6. Ndonjë mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet me      konsultim ndërmjet Palëve pa iu drejtuar juridiksionit të jashtëm.
7. Aspektet të tjera teknike të bashkëpunimit mund të ndryshohen me pëlqimin reciprok të Palëve.
    Bërë në Tiranë, më 16 nëntor 2005, në dy kopje origjinale, secila në gjuhët shqip, maqedonisht dhe anglisht,     të gjitha tekstet njësoj autentike. Në rast mosmarrëveshjesh në interpretimin e dispozitave të kësaj     Marrëveshjeje, teksti në gjuhën angleze do të ketë përparësi.

Per Keshillin e Ministrave 
te Republikes se Shqiperise
 Per Qeverine e Republikes 
 se Maqedonise