MARREVESHJE ME MALIN E ZI

LIGJ
Nr. 148/2013
PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 6.5.2013

Shpallur me dekretin nr. 8185, datë 21.5.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI MBI MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Malit të Zi (më poshtë quhet "Palët"),

Duke njohur rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit të tyre reciprok për stabilizimin e paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe besimit reciprok,

Duke njohur që bashkëpunimi i mirë kërkon shkëmbimin e Informacionit të Klasifikuar ndërmjet Palëve,

Duke njohur nevojën për vendosjen e rregullave për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar të shkëmbyer brenda sferës së bashkëpunimit politik, ushtarak, ekonomik, ligjor, shkencor dhe teknologjik apo tjetër, si dhe Informacionit të Klasifikuar që del në procesin e këtij bashkëpunimi,

Me synim sigurimin e mbrojtjes reciproke të të gjithë Informacionit të Klasifikuar, që është klasifikuar nga një Palë dhe transferuar Palës tjetër,

Me dëshirën për të vendosur rregulla për mbrojtjen reciproke të Informacionit të Klasifikuar, që do të shtrihet tek të gjithë marrëveshjet mbi bashkëpunimin që do të lidhen ndërmjet Palëve dhe kontratat që do të jepen ndërmjet organizatave të Palëve, që parashikojnë shkëmbimin e Informacionit të Klasifikuar,

Kanë rënë dakord si më poshtë:
Neni 1
Përkufizime

Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje:

(1) "Informacion i Klasifikuar" do të thotë:

- Për Republikën e Shqipërisë

 "Sekret Shtetëror", sipas ligjit, do të thotë informacioni i klasifikuar, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të dëmtojë sigurinë kombëtare. Siguri kombëtare do të thotë mbrojtje e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhëniet e huaja të Republikës së Shqipërisë.

 - Për Malin e Zi
  Informacion i Klasifikuar është informacioni zbulimi i të cilit tek personat e paautorizuar ka ose mund të ketë pasoja të dëmshme për sigurinë, interesat politike ose ekonomike të Malit të Zi dhe lidhet me mbrojtjen, sigurinë kombëtare, çështjet e jashtme, aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe sigurisë të agjencive të Malit të Zi, kërkimin shkencor, çështjet teknologjike, ekonomike dhe financiare me rëndësi për sigurinë publike, mbrojtjen, çështjet e huaja dhe sigurinë publike, dhe aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe sigurisë të agjencive të Malit të Zi dhe sistemet, instrumentet, projektet dhe planet me rëndësi për mbrojtjen, sigurinë publike, çështjet e huaja dhe aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe sigurisë së agjencive shtetërore të Malit të Zi.

(1) "Dokument i klasifikuar" është çdo informacion i regjistruar pavarësisht nga forma ose karakteristikat fizike, duke përfshirë, pa kufizim, çështjet e shkruara ose printuara, kartat e përpunimit të të dhënave dhe kasetat, hartat, tabelat, fotografitë, pikturat, vizatimet, gdhendjet, skicat, shënimet dhe letrat e punës, kopjet e karbonit dhe shiritat e bojës, ose riprodhimet me çdo mjet ose proces, dhe regjistrimet e tingujve, zanore, manjetike ose elektronike apo optike ose vizuale në çdo format dhe pajisjet portative të automatizuara të përpunimit të të dhënave me mjete komunikimi stacionare për ruajtje kompjuterike dhe mjete komunikimi portative të ruajtjes kompjuterike.

(2) "Material i klasifikuar" është ndonjë  pjesë makinerie, ose arme apo pajisjeje, ose mjeti, të prodhuar ose në proces prodhimi, që ruan, përpunon ose transmeton Informacion të Klasifikuar.

(3) "Palë Pritëse" është Pala së cilës i transmetohet Informacioni ose materiali i Klasifikuar.

(4) "Pala e Origjinës" është Pala që nis Informacionin ose materialin e Klasifikuar.

(5) "Palë e Tretë" është një organizatë ndërkombëtare ose një shtet i tretë që nuk është palë në këtë Marrëveshje.

(6) "Autoriteti Kompetent i Sigurisë" është autoriteti, i cili në pajtim me legjislacionin e brendshëm të Palës përkatëse, përmbush politikën kombëtare për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, ushtron kontroll të përgjithshëm në këtë sferë si dhe kryen zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Këto autoritete janë renditur në Nenin 4 të kësaj Marrëveshjeje.

(7) "Parimi "Nevojë për njohje" është domosdoshmëria për të patur akses në Informacionin e Klasifikuar në lidhje me detyrat zyrtare dhe/ose përmbushjen e një detyre zyrtare konkrete.
(8) "Kontraktor" është një subjekt fizik ose juridik që ka cilësinë juridike për të lidhur kontrata të Klasifikuara.

(9) "Kontratë e klasifikuar" është një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë autoriteteve shtetërore ose subjekteve juridike, që krijojnë ose përcaktojnë të drejta dhe detyrime të ekzekutueshme ndërmjet tyre, që përmbajnë ose përfshijnë Informacion të Klasifikuar.

(10) "Vizitorë" janë përfaqësues zyrtarë të një Pale që kërkojnë të vizitojnë objektet dhe mjediset e Palës tjetër, të përfshirë në aktivitete që kanë të bëjnë me Informacionin ose materialin e Klasifikuar.

(11) "Certifikatë Sigurie Personeli" është dokumenti i dhënë nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë, për një shtetas të një Pale për askes tek Informacioni ose materiali i Klasifikuar, në pajtim me legjislacionin përkatës të brendshëm.

(12) "Certifikatë Sigurie Industriale" është dokumenti i dhënë nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë që provon se një shoqëri/strukturë ka mundësinë fizike dhe organizative të përdorë dhe të depozitojë Informacionin ose materialin e Klasifikuar, në pajtim me legjislacionin përkatës të brendshëm.  

(13) "Shkelje e sigurisë" është një veprim ose mosveprim në kundërshtim me legjislacionin e brendshëm, që rezulton ose mund të rezultojë në akses të paautorizuar në Informacionin e Klasifikuar.
Neni 2
Zbatueshmëria
Kjo Marrëveshje përfshin të gjitha aktivitetet në kuadrin e të cilëve gjenerohet ose shkëmbehet Informacion i Klasifikuar ndërmjet Palëve ose një individi apo një subjekti juridik nën juridiksionin e Shteteve të tyre me qëllim që të përmbushin detyrat e tyre publike.
Neni 3
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Palët bien dakord që nivelet e mëposhtme të klasifikimit të sigurisë janë ekuivalente dhe përputhen me nivelet e klasifikimit të sigurisë, të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme të palës përkatëse:

Ne Republiken e Shqiperise
Ekuivalenca ne anglisht
Per Malin e Zi
TEPER SEKRET
TOP SECRET
STROGO TAJNO
SEKRET
SECRET
TAJNO
KONFIDENCIAL
CONFIDENTIAL
POVJERLJIVO
I KUFIZUAR
RESTRICTED
INTERNO

 

Neni 4
Autoritetet Kompetente të Sigurisë

1. Autoritetet Kompetente të Sigurisë së Palëve janë si më poshtë:

- Për Republikën e Shqipërisë
  Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)

- Për Malin e Zi
  Drejtoria për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)

2. Autoritetet Kompetente të Sigurisë njoftojnë njëra-tjetrën për legjislacionin e brendshëm në fuqi që rregullon mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

3. Me qëllim që të sigurohet bashkëpunim i ngushtë në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, Autoritetet Kompetente të Sigurisë mund të zhvillojnë konsultime me kërkesën e bërë nga një prej tyre.

4. Me qëllim që të arrijnë dhe të ruajnë standarde të  krahasueshme sigurie, Autoritetet Kompetente të Sigurisë, me kërkesë, i japin njëra-tjetrës informacion në lidhje me standardet, procedurat dhe praktikat e sigurisë për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

 

Neni 5
Parimet e Sigurisë

1. Në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, Palët zbatojnë të gjitha masat e përshtatshme për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, që gjenerohet ose shkëmbehet përgjithësisht sipas kësaj Marrëveshjeje. I njëjti nivel mbrojtjeje do të sigurohet për këtë Informacion të Klasifikuar, siç parashikohet dhe për Informacionin e Klasifikuar të brendshëm, me nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë.

2. Palët njoftojnë njëra-tjetrën në kohën e duhur në lidhje me ndryshimet në legjislacionin që ndikon në mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Në këto raste, Palët njoftojnë njëra-tjetrën në pajtim me Nenin 4, paragrafët 3 dhe 4, të kësaj Marrëveshjeje me qëllim që të diskutojnë ndryshimet e mundshme të kësaj Marrëveshjeje. Ndërkohë, Informacioni i Klasifikuar mbrohet në pajtim me dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, përveç kur bihet dakord ndryshe me shkrim.     

3. Aksesi në Informacionin e Klasifikuar kufizohet tek ata persona që kanë Nevojë për Njohje, dhe janë certifikuar nga Autoriteti Kompetent i Sigurisë, në pajtim me legjislacionin e brendshëm, në përputhje me nivelin e kërkuar të klasifikimit të sigurisë të informacionit i cili aksesohet.

4. Pala Pritëse është e detyruar:
    a) të mos i japë Informacion të Klasifikuar një Pale të Tretë pa aprovimin e mëparshëm me shkrim të Palës së Origjinës;
    b) t'i vendosë Informacionit të Klasifikuar nivelin e klasifikimit të sigurisë të barasvlershëm me atë të parashikuar në Nenin 3 të kësaj Marrëveshjeje dhe në vazhdimësi të sigurojë mbrojtje;
  c) të mos e përdorë Informacionin e Klasifikuar për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat është dhënë;

    d) të respektojë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe sekretet tregtare që janë përfshirë në Informacionin e Klasifikuar.

Neni 6
Transmetimi i Informacionit të Klasifikuar 1. Informacioni i Klasifikuar transmetohet nëpërmjet shërbimeve diplomatike, ushtarake dhe shërbime të tjera postare të aprovuara nga Autoritetet Kompetente të Sigurisë. Pala Pritëse konfirmon me shkrim marrjen e Informacionit të Klasifikuar. 2. Nëse duhet të transmetohet një dërgesë e madhe që përmban Informacion të Klasifikuar, Autoritetet Kompetente të Sigurisë bien bashkërisht dakord dhe aprovojnë mjetet e transportit, itinerarin dhe masat e sigurisë për secilin rast. 3. Mjetet e tjera të aprovuara të transmetimit ose shkëmbimit të Informacionit të Klasifikuar, duke përfshirë mjetet elektro-manjetike mund të përdoren nëse bihet dakord nga Autoritetet Kompetente të Sigurisë.  

 

Neni 7
Shënjëzimi i  Informacionit të Klasifikuar

1. Pala Pritëse shenjëzon  Informacionin e Klasifikuar me shenjëzimin përkatës të klasifikimit në pajtim me Nenin 3.

2. Kopjet, riprodhimet dhe përkthimet e Informacionit të Klasifikuar të marrë, shenjëzohen  dhe trajtohen në të njëjtën mënyrë si dhe origjinalet.

3. Kërkesat për shenjëzim zbatohen gjithashtu, edhe për Informacionin e Klasifikuar të gjeneruar në lidhje me një Kontratë të Klasifikuar.  

Neni 8
Riprodhimi dhe Përkthimi i Informacionit të Klasifikuar

1. Informacioni i Klasifikuar i shenjëzuar  me një nivel të klasifikimit të sigurisë TEPËR SEKRET / TOP SECRET/ STROGO TAJNO lejohet për përkthim dhe kopjim vetëm me lejen me shkrim të Autoritetit Kompetent të Sigurisë së Palës së Origjinës.

2. Të gjitha kopjet e riprodhuara të Informacionit të Klasifikuar shenjëzohen  me shenjëzimin e  klasifikimit origjinal. Ky informacion i riprodhuar vendoset në të njëjtin kontroll si dhe informacioni origjinal. Numri i kopjeve kufizohet në atë që kërkohet për qëllime zyrtare.

3. Të gjitha përkthimet e Informacionit të Klasifikuar bëhen nga individë të certifikuar. Përkthimi shenjëzohet  me shenjën e klasifikimit origjinal dhe mban një shënim të përshtatshëm në gjuhën në të cilën është përkthyer, që përkthimi përmban Informacion të Klasifikuar të Palës së Origjinës.

Neni 9
Asgjësimi i Informacionit të Klasifikuar

1. Informacioni i Klasifikuar asgjësohet deri në atë masë sa të pengohet rindërtimi i plotë ose i pjesshëm i tij.

2. Informacioni i Klasifikuar me nivel klasifikimi sigurie si TEPËR SEKRET / TOP SECRET / STROGO TAJNO nuk asgjësohet. Ai kthehet Autoritetit Kompetent të Sigurisë, të Palës së Origjinës.

3. Pala e Origjinës, me anë të shenjëzimeve shtesë ose dërgimit të njoftimit pasues me shkrim, mund të ndalojë shprehimisht kopjet, riprodhimin, ndryshimin ose asgjësimin e Informacionit të Klasifikuar. Nëse ndalohet asgjësimi i Informacionit të Klasifikuar, ai i kthehet Palës së Origjinës.

4. Në rastin e një situate krize, Informacioni i Klasifikuar i cili është i pamundur për t’u mbrojtur  ose  kthyer  Palës së Origjinës, asgjësohet menjëherë. Pala Pritëse njofton Palën e Origjinës në lidhje me asgjësimin e Informacionit të Klasifikuar.  

Neni 10
Kontratat e Klasifikuara

1. Kontratat e Klasifikuara lidhen dhe zbatohen në pajtim me legjislacionin e brendshëm të secilës Palë. Me kërkesë Autoriteti Kompetent i Sigurisë i secilës Pale jep konfirmimin, që një kontraktues i propozuar është pajisur me një Certifikatë të përshtatshme kombëtare Sigurie Industriale, sipas nivelit të kërkuar për klasifikimin e sigurisë. Nëse kontraktori i propozuar nuk ka Certifikatën e përshtatshme të Sigurisë Industriale, Autoriteti Kompetent i Sigurisë i secilës Palë mund të kërkojë që ai kontraktor të certifikohet.

2. Një klauzolë sigurie do të jetë pjesë integrale e çdo Kontrate të Klasifikuar ose nën-kontrate nëpërmjet të cilës kontraktori i Palës së Origjinës specifikon se cili Informacion i Klasifikuar do t'i jepet ose gjenerohet nga Pala Pritëse dhe  nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë i cili i është caktuar këtij informacioni.

3. Detyrimet e kontraktorit për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar sipas një Kontrate të Klasifikuar u referohen, të paktën, sa më poshtë:
a) zbulimi i Informacionit të Klasifikuar ekskluzivisht personave që janë pajisur paraprakisht me Certifikatën e përshtatshme të Sigurisë së Personelit, të cilët kanë Nevojë për njohje dhe që janë punësuar ose përfshirë në përmbushjen e kontratës;

b) transferimi i Informacionit të Klasifikuar me mjete sipas dispozitave të kësaj Marrëveshjeje;

c) procedurat dhe mekanizmat e komunikimit të ndryshimeve që mund të lindin në lidhje me Informacionin e Klasifikuar për shkak të ndryshimeve në nivelin e klasifikimit të sigurisë ose në rastin e deklasifikimit;

d) detyrimin  për të njoftuar në kohën e duhur Autoritetin Kompetent të Sigurisë së kontraktorit, për çdo akses faktik, në tentativë ose të dyshuar, të paautorizuar në Informacionin e Klasifikuar të kontratës;

e) përdorimi i Informacionit të Klasifikuar sipas kontratës vetëm për qëllimet në lidhje me objektin e kontratës;

f) respektimi rigoroz i dispozitave të kësaj Marrëveshjeje në lidhje me procedurat për asgjësimin e Informacionit të Klasifikuar;

g) dhënien e Informacionit të Klasifikuar sipas një Kontrate të Klasifikuar një Pale të Tretë vetëm me  pëlqimin paraprak me shkrim të Palës së Origjinës.

4. Masat e kërkuara për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar si dhe procedura për vlerësimin dhe zhdëmtimin për humbje të mundshme të shkaktuara kontraktorëve nga aksesi i paautorizuar në Informacionin e Klasifikuar duhet të specifikohet me më shumë hollësi në Kontratën e Klasifikuar përkatëse.

5. Kontrata e Klasifikuar me nivel klasifikimi sigurie I KUFIZUAR / RESTRICTED / INTERNO përmban një klauzolë të përshtatshme të sigurisë që identifikon masat minimale për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Për këto kontrata nuk kërkohet Certifikatë Sigurie Industriale.  

Neni 11
Vizitat

1. Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës pritëse lëshon autorizim paraprak për vizitë për të gjithë vizitorët e Palës tjetër, të cilët kanë Certifikatë Sigurie Personeli të përshtatshme, në rast se  atyre u nevojitet të kenë akses në Informacionin e Klasifikuar ose në mjedise ku ka origjinën, trajtohet ose ruhet Informacioni i Klasifikuar.

2. Për procedurat e vizitave bihet dakord ndërmjet Autoriteteve Kompetente të Sigurisë së Palëve.

3. Kërkesa për vizitë përmban të paktën informacionin e mëposhtëm:

a. emrin dhe mbiemrin e vizitorit, datën dhe vendin e lindjes, numrin e pasaportës;

b. kombësinë/shtetësinë e vizitorit;

c. emërtesën e pozicionit të vizitorit dhe emrin e organizatës që përfaqëson;

ç. Certifikatën e Sigurisë së Personelit të vizitorit me nivelin e përshtatshëm të klasifikimit;

d. qëllimin, programin e propozuar të punës dhe datën e planifikuar të vizitës;

dh. emrin e organizatave dhe strukturave që kërkohen të vizitohen.

4. Autoritetet Kompetente të Sigurisë së Palëve aprovojnë listën e vizitorëve që mund të përsërisin vizitat brenda dymbëdhjetë muajve për qëllimin e përmbushjes së një Kontrate të Klasifikuar. Kushtet e vizitave specifike përcaktohen drejtpërdrejt me autoritetet përkatëse të kontraktorëve.

5. Secila Palë garanton mbrojtjen e të dhënave personale të vizitorëve, sipas legjislacionit përkatës të brendshëm.

Neni 12
Shkelja e Sigurisë

1. Në rastin e shkeljes së sigurisë, Autoriteti Kompetent i Sigurisë në shtetin e të cilit ka ndodhur shkelja e sigurisë njofton Autoritetin Kompetent të Sigurisë të Palës tjetër në kohën e duhur dhe siguron hetim të përshtatshëm. Nëse kërkohet, Pala tjetër bashkëpunon në hetim.

2. Në rast se shkelja e sigurisë ndodh në një Palë të Tretë, Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës Pritëse ndërmerr të gjitha veprimet sipas paragrafit 1 të këtij Neni, sipas rastit.

3. Pala tjetër njoftohet për rezultatet e hetimit dhe merr një deklaratë përfundimtare në lidhje me shkaqet e ngjarjes dhe masën e dëmit. 

Neni 13
Shpenzimet

Secila Palë mbulon shpenzimet e veta të bëra gjatë zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Neni 14
Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje zgjidhet me konsultime dhe bisedime ndërmjet Palëve dhe nuk i paraqitet asnjë gjykate ndërkombëtare apo një Pale të Tretë.  

Neni 15
Dispozita të fundit

1. Kjo Marrëveshje hyn në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim nëpërmjet të cilit Palët kanë njoftuar njëra-tjetrën, nëpërmjet kanaleve diplomatike që kërkesat e tyre të brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi janë përmbushur.

2. Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet me pëlqimin e përbashkët me shkrim të Palëve. Ndryshimet hyjnë në fuqi në pajtim me dispozitat e paragrafit 1 të këtij Neni.

3. Kjo Marrëveshje lidhet për një periudhë të pacaktuar kohe. Secila Palë mund të denoncojë këtë Marrëveshje duke i bërë Palës tjetër njoftim me shkrim nëpërmjet kanaleve diplomatike. Në këtë rast, kjo Marrëveshje përfundon gjashtë (6) muaj nga data në të cilën Pala tjetër ka marrë njoftimin e denoncimit.

4. Në rastin e përfundimit të kësaj Marrëveshjeje, i gjithë informacioni i klasifikuar i transferuar ndërmjet Palëve vazhdon të mbrohet në pajtim me dispozitat e parashikuara në të.

 

Bërë në ............................ më ....................... në dy kopje origjinale, secila në gjuhën shqipe, malazeze dhe angleze, ku të gjithë tekstet janë njëlloj të barasvlershëm. Në rastin e mospërputhjes në interpretim, mbizotëron teksti në anglisht.

Për Këshillin e Ministrave
të Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e Malit te Zi