MARREVESHJE ME LETONINE

LIGJ
Nr.10 245, datë 4.3.2010 PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË LETONISË PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONEVE TË KLASIFIKUARA”

Në  mbështetje  të  neneve  78,  83  pika  1  dhe  121  të  Kushtetutës,  me  propozimin  e
Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Neni 1

Ratifikohet  “Marrëveshja  ndërmjet  Këshillit të Ministrave  të Republikës së Shqipërisë  dhe
Qeverisë së Republikës së Letonisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacioneve të klasifikuara”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6474,  datë 25.3.2010  të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,  Bamir
Topi.

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË LETONISË MBI MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Letonisë, (këtu quhen palët kontraktuese);
Duke rënë dakord për të zhvilluar  bisedime  për çështjet politike dhe të sigurisë  dhe për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin e tyre reciprok;
Duke ditur ndryshimet  në situatën politike në botë dhe duke njohur  rolin e rëndësishëm  të bashkëpunimit  të  tyre  reciprok   për  forcimin   e  paqes,  sigurisë  ndërkombëtare   dhe  besimit  të përbashkët;
Duke  ditur  që  bashkëpunimi   i  mirë   mund  të  krijojë   shkëmbimin  e  informacionit   të klasifikuar ndërmjet palëve kontraktuese;
Me  synimin  për  të  siguruar  mbrojtjen  reciproke  të  gjithë  informacionit  të  klasifikuar, që është klasifikuar nga një palë kontraktuese dhe transferuar palës tjetër kontraktuese;
Me dëshirën për të vendosur rregulla mbi mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, që do të shtrihet tek të gjitha marrëveshjet mbi bashkëpunimin që do të përfundohet ndërmjet palëve kontraktuese   dhe  kontratat   që  do  të  jepen  ndërmjet   organizatave   të  palëve  kontraktuese,   që parashikojnë shkëmbimin e informacionit të klasifikuar,
kanë rënë dakord për sa më poshtë:

Neni 1
Përkufizime

Për qëllimet e kësaj marrëveshjeje:
1.  ”Informacion   i  klasifikuar”   është  informacioni,  dokumenti  apo  materiali  i  çdo  lloji, pavarësisht nga forma e paraqitjes,  mënyra dhe rrethanat  e gjenerimit që kërkon mbrojtje nga hyrjet e  paautorizuara  për arsyet  e interesit  publik dhe që është klasifikuar  nga një palë kontraktuese  në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj të brendshme.
2. “Palë  kontraktuese  marrëse” është pala, duke përfshirë çdo institucion publik ose privat, në të cilën transmetohet informacioni i klasifikuar.
3. “Palë  kontraktuese  e  origjinës”  është  pala,  duke  përfshirë  çdo  institucion  publik  ose privat, që nis informacionin e klasifikuar.
4.  “Kontratë  e  klasifikuar”  është  një  marrëveshje  që  përmban  informacion  të  klasifikuar ndërmjet subjekteve të shteteve të palëve kontraktuese  ose kontraktorëve  të palëve kontraktuese, që krijon ose përkufizon të drejta dhe detyrime të ekzekutueshme ndërmjet tyre.
5. “Organet kompetente të sigurisë”  janë institucionet e shtetit të secilës palë kontraktuese të autorizuar  dhe përgjegjëse  për  të siguruar  mbrojtjen  e informacionit  të klasifikuar  të transferuar, marrë  apo  gjeneruar   në  kuadrin  e  aktiviteteve  të  përbashkëta  të  realizuara   në  kuadrin  e  kësaj marrëveshjeje  në territorin  e tyre në pajtim me ligjet dhe rregulloret  e tyre të brendshme dhe për bashkërendimin e zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
6.  “Kontraktor”   është  një  person  fizik  ose  juridik  që  ka  zotësinë  juridike  për  të  lidhur kontrata të klasifikuara.
7. “Vizitori”  është një përfaqësues zyrtar i një prej palëve kontraktuese që duhet të vizitojë ambientet e palës tjetër kontraktuese,  i përfshirë  në aktivitete që kanë të bëjnë me informacionin  e klasifikuar.
8. “Certifikatë  sigurie personeli”  është një vendim pas një procedure  hetimore  të kryer  në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme të shtetit të një prej palëve kontraktuese,  mbi bazën e të cilit një  individ  është  i autorizuar  të ketë  të drejtën  për  të marrë  dhe  të trajtojë  informacionin  e klasifikuar deri në nivelin e përcaktuar në certifikatë.
9. “Certifikatë  sigurie strukture”  është një vendim pas një procedure hetimore që vërteton se një  kontraktor,  që  nuk  është  një  person  fizik, është  në  gjendje  të  marrë,  trajtojë  dhe  përpunojë informacion  të  klasifikuar  në  pajtim  me  ligjet  dhe  rregulloret  e  brendshme  të  shtetit  të  një  prej palëve kontraktuese deri në nivelin e përcaktuar në certifikatë.
10.  “Palë e tretë”  është një organizatë  ndërkombëtare,  çdo subjekt shtetëror  ose juridik  që
nuk është palë në këtë marrëveshje.
11. Parimi  i “nevojës  për  njohje”  është domosdoshmëria  për  të hyrë  në  informacionin  e klasifikuar në lidhje me detyrat zyrtare dhe/ose përmbushjen e një detyre specifike.
12.  “Shkelja  e  sigurisë”  është  një  veprim  ose  mosveprim  në  kundërshtim  me  ligjet  dhe rregulloret  e brendshme që rezulton ose mund të rezultojë në hyrje të paautorizuar  në informacionin e klasifikuar.

Neni 2
Zbatueshmëria

Kjo marrëveshje  përfshin të gjitha aktivitetet në kuadrin e të cilave shkëmbehet informacion i  klasifikuar  ndërmjet  palëve  kontraktuese  apo  një  personi  fizik  ose  juridik  nën  juridiksionin  e shteteve të tyre, me qëllim që të përmbushin detyrat e tyre publike/zyrtare.

Neni 3
Klasifikimi i sigurisë

1. Shënimet e mëposhtme për klasifikimin e sigurisë së informacionit  të klasifikuar në bazë të kësaj marrëveshjeje janë ekuivalentë:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
REPUBLIKA E LETONISË
EKUIVALENTI NË ANGLISHT
TEPËR SEKRET
SEVISKI SLEPENI
TOP SECRET
SEKRET
SLEPENI
SECRET
KONFIDENCIAL
KONFIDENCIALI
CONFIDENTIAL
I KUFIZUAR
DIENESTA VAJADZIBAM
RESTRICTED

 

Neni 4
Autoritetet kompetente të sigurisë

1.   Autoritetet kompetente të sigurisë të palëve kontraktuese janë të mëposhtmet: Për Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurimeve të Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)
Këshilli i Ministrave
Blv. “Dëshmorët  e Kombit” Tiranë
Shqipëri
Për Qeverinë e Republikës së Letonisë: Byroja e Mbrojtjes Kushtetuese
Miera street 85a
Riga, LV 1013
Letoni
2. Autoriteti kompetent i sigurisë i jep informacion autoritetit tjetër kompetent të sigurisë, në lidhje  me  organizimin  e  tij  të  sigurisë  dhe  rregullat   procedurale,   me  qëllim  që  të  lehtësohet krahasimi i vazhdueshëm dhe të ruhen standarde të krahasueshme të sigurisë.
3. Autoritetet kompetente të sigurisë,  me kërkesë,  lehtësojnë inspektimet e përbashkëta,  me qëllim që të sigurohen që informacioni  i klasifikuar  i dhënë të mbrohet në mënyrën e mjaftueshme në shtetin e palës kontraktuese marrëse.
4. Autoritetet  kompetente  të  sigurisë  informojnë  menjëherë  njëra-tjetrën,   me  shkrim,  në lidhje me të gjitha ndryshimet  në ligjet dhe rregulloret  e brendshme të shteteve të tyre që ndikojnë mbi mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
5. Nëse është e nevojshme,  autoritetet  kompetente  të sigurisë  konsultohen më njëra-tjetrën mbi çështjet teknike mbi zbatimin e kësaj marrëveshjeje  dhe me masa reciproke,  mund të hartojnë protokolle ekzekutive shtesë.

Neni 5
Parimet e sigurisë

1. Palët kontraktuese, në pajtim me ligjet dhe rregulloret  e tyre të brendshme të shteteve të tyre  dhe  në  pajtim  me  këtë  marrëveshje,   marrin  të  gjitha  masat  e  nevojshme  për  të  mbrojtur informacionin  e klasifikuar  të  transferuar, të  marrë  ose  të  gjeneruar  në  kuadrin  e aktiviteteve  të përbashkëta të kryera në kuadrin e kësaj marrëveshjeje.
2.  Palët   kontraktuese,   në  pajtim   me   nenin  3  të  kësaj   marrëveshjeje,    në  lidhje   me informacionin  e klasifikuar  të  përkufizuar  në  paragrafin  1  të  këtij  neni,  sigurojnë  nivel  të  njëjtë mbrojtjeje si ai që sigurohet për informacionin e vet të klasifikuar.
3. Klasifikimi  i sigurisë  së  informacionit  të  klasifikuar  të  marrë  mund  të ndryshohet  me pëlqimin paraprak me shkrim të palës kontraktuese të origjinës.
4. Pala  kontraktuese  e  origjinës  informon  palën  kontraktuese  marrëse,  në  lidhje  me  çdo ndryshim në shënimet e klasifikimit të sigurisë së informacionit të klasifikuar të transferuar.
5.  Përveç  shënimit  të  klasifikimit  të  sigurisë,   periudha  e  vlefshmërisë  për  klasifikimin përcaktohet  edhe në informacionin  e klasifikuar të transferuar  ose nëse kjo nuk është e mundur për shkak  të natyrës  së  informacionit  të  klasifikuar  në  një  dokument  të  veçantë.  Gjithashtu  mund  të specifikohet  edhe  çdo  udhëzim  tjetër  për  trajtimin  nga  pala  kontraktuese  e  origjinës,  që  kufizon përdorimin e informacionit të dhënë. Shënimet dhe udhëzimet e sipërpërmendura  tregohen nga pala kontraktuese marrëse edhe në gjuhën e saj zyrtare.
6. Palët  kontraktuese,  me  anë  të  autoriteteve  të  tyre  kompetente  të  sigurisë,  informojnë njëra-tjetrën  në lidhje me udhëzimet e tjera të trajtimit të përmendura  në paragrafin  5 të këtij neni, për çdo ndryshim të tyre dhe u përmbahet atyre.
7.      Marrja e informacionit të  klasifikuar  të   shënuar  me  KONFIDENCIAL    / KONFIDENCIALI / CONFIDENTIAL dhe më sipër, dhe për vendndodhjet dhe pajisjet ku ky informacion  i klasifikuar  gjenerohet,  përpunohet ose mbahet,  është e kufizuar për individët që janë pajisur me një certifikatë  të sigurisë së personelit të përshtatshme  dhe të vlefshme dhe në këtë rast zbatohet parimi i nevojës për të ditur.
8. Mundësia për informacionin e klasifikuar të shënuar i KUFIZUAR/DIENESTA VAJADZIBAM/RESTRICTED kufizohet për individë, në rastin e të cilëve zbatohet parimi i nevojës për të ditur.
9. Informacioni i klasifikuar i marrë në bazë të kësaj marrëveshjeje  mund të përdoret  vetëm për  qëllimet  për  të  cilat  ai  është  dhënë.   Informacioni   i  klasifikuar  i  gjeneruar   në  kuadrin  e aktiviteteve të përbashkëta  mund të përdoret  vetëm për qëllimet  e përcaktuara  në marrëveshjen  që është baza e atij aktiviteti.

Neni 6
Certifikatat e sigurisë

1. Palët  kontraktuese  njohin  reciprokisht  certifikatat  e  sigurisë  së  personelit  të  tyre  dhe certifikatat e sigurisë së strukturave  të lëshuara në pajtim me ligjet dhe rregulloret  e brendshme të shteteve të tyre. Ekuivalenca e certifikatave  të sigurisë duhet të përcaktohet në pajtim me nenin 3 të kësaj marrëveshjeje.
2. Autoritetet  kompetente  të sigurisë,  me kërkesë dhe në pajtim me ligjet dhe rregulloret  e brendshme të shteteve të palëve kontraktuese,  ndihmojnë njëra-tjetrën  me procedurat  e verifikimit, me  qëllim  lëshimin  e  certifikatave   të  sigurisë  së  personelit  dhe  të  certifikatave  të  sigurisë  së strukturës.
3. Autoritetet  kompetente  të sigurisë  kanë  të drejtë    të përpunojnë  të dhënat  personale  të përfshira në certifikatat e sigurisë së personelit në masën që është e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.  Të dhënat personale të marra mbrohen në pajtim me ligjet dhe rregulloret  e shteteve të palëve kontraktuese.

Neni 7
Tregimi i informacionit të klasifikuar një pale të tretë

1. Informacioni i klasifikuar i marrë në kuadrin e kësaj marrëveshjeje,  mund t’i tregohet një pale të tretë vetëm me pëlqimin me shkrim të palës kontraktuese  të origjinës.  Kjo leje kërkohet nga autoritetet kompetente të sigurisë.
2. Dispozitat e paragrafit  1 të këtij neni zbatohen  edhe për  informacionin  e klasifikuar  të gjeneruar  në  kuadrin  e aktiviteteve  të përbashkëta,  me  kushtin që  pëlqimi  paraprak  me  shkrim  i palës tjetër është i nevojshëm për tregimin.

Neni 8
Riprodhimi dhe përkthimi

1. Informacioni i klasifikuar i shënuar TEPËR SEKRET/SEVISKI  SLEPENI/TOP SECRET mund të riprodhohet  ose përkthehet  me pëlqimin me shkrim të palës kontraktuese  të origjinës duke treguar numrin maksimal të kopjeve.
2. Me  përjashtim  të informacionit  të klasifikuar,  në pajtim  me paragrafin  1 të këtij  neni, numri i kopjeve të informacionit me shënime të tjera të klasifikimit të sigurisë mbetet i kufizuar për aq sa kërkohen për qëllime zyrtare.
3. Kopjet  dhe  përkthimet  e informacionit  të  klasifikuar  të  palës  kontraktuese  të  origjinës shënohen me të njëjtat shënime klasifikimi dhe mbrohen si origjinale.
4. Përkthimi  i informacionit  të klasifikuar  bëhet vetëm nga persona që kanë një certifikatë sigurie të personelit të vlefshme dhe të nivelit të përshtatshëm. Informacioni i klasifikuar i përkthyer mban një shënim të klasifikimit  të përshtatshëm  të sigurisë dhe një shënim në gjuhën e përkthimit nga e cila bëhet e qartë se ajo përmban informacion të klasifikuar me origjinë nga shteti i palës tjetër kontraktuese.

Neni 9
Asgjësimi

1. Informacioni i klasifikuar asgjësohet në mënyrë që të parandalojë  rindërtimin  e plotë ose të pjesshëm.
2. Informacioni i klasifikuar i shënuar TEPËR SEKRET/SEVISKI  SLEPENI/TOP SECRET nuk asgjësohet. Ai i kthehet autoritetit kompetent të sigurisë së origjinës.
3.  Nëse nuk është rënë dakord  ndryshe nga autoritetet  kompetente  të sigurisë,  subjektet  e autorizuara  të palës kontraktuese  marrëse  mund të shkatërrojnë  informacionin  e klasifikuar  që nuk është përcaktuar  në paragrafin  2 të këtij neni me kalimin e periudhës  së vlefshmërisë  të përcaktuar nga  pala  kontraktuese  e  origjinës  apo  nëse  nuk  është  më  i  nevojshëm.  Për  këtë  informohet  me shkrim autoriteti kompetent i sigurisë së origjinës.

Neni 10
Transferimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni  i klasifikuar  i shkëmbyer  ndërmjet  palëve kontraktuese  në kuadrin e kësaj marrëveshjeje transferohet me anë të kanaleve diplomatike. Informacioni i klasifikuar mund të transmetohet  edhe  i  kriptuar  me  anë  të  sistemeve  kabllore  ose  jokabllore  të  transmetimit  të  të dhënave.
2.  Mund  të përdoren  edhe mjete për  transferimin  e informacionit  të klasifikuar, nëse kjo aprovohet paraprakisht nga autoritetet kompetente të sigurisë.

Neni 11
Vizitat

1.  Vizitat  në  vendndodhjen  e  një  prej  palëve  kontraktuese,   ku  trajtohet  informacioni  i klasifikuar apo kryhen programet  ose kontratat e klasifikuara, lejohen për vizitorë nga shteti i palës tjetër kontraktuese,  pasi të jetë marrë një leje me shkrim nga autoriteti kompetent i sigurisë i shtetit të palës kontraktuese  që pret vizitorët.  Kjo leje mund të lëshohet vetëm për personat që përmbushin kriteret e përcaktuara në paragrafët 7-8  të nenit 5.
2.   Procedurat,   në  lidhje  me  vizitat,   përcaktohen  dhe  miratohen   ndërmjet   autoriteteve kompetente  të  sigurisë,  në  pajtim  me  ligjet  dhe  rregulloret   e  brendshme  të  shteteve  të  palëve kontraktuese.
3. Kërkesa me shkrim për vizitë përfshin të dhënat e mëposhtme:
a) të dhënat dhe qëllimin e vizitës; organizatat dhe mjetet që duhet të vizitohen;
b) mbiemrin dhe emrin e vizitorit,  vendin dhe datën e lindjes së tij/saj,  shtetësinë,  numrin e pasaportës,  ose një dokumenti tjetër të identitetit, emrin e punëdhënësit;
c) vërtetimi  i certifikatës  së sigurisë  së personelit  e nivelit  të përshtatshëm  për  vizitorin  i
lëshuar nga autoriteti kompetent i sigurisë.
4. Palët kontraktuese  garantojnë  mbrojtjen e të dhënave personale  të vizitorëve,  në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme të shteteve të tyre.

Neni 12
Kontratat dhe kontraktorët e klasifikuar

1.Nëse  një  palë  kontraktuese,  institucion  shtetëror  ose  kontraktor  kryen  një  kontratë  të klasifikuar  në territorin  e shtetit të palës tjetër kontraktuese,  autoriteti  kompetent i sigurisë  i kësaj pale tjetër  kontraktuese  merr  përgjegjësi  për  mbrojtjen  e informacionit  të klasifikuar  të marrë  në bazë të kontratës.
2.Para se njëra nga palët kontraktuese,  t’ia tregojë informacionin e klasifikuar të marrë  nga pala tjetër  kontraktuese  kontraktorit,  autoriteti  kompetent  i sigurisë  i shtetit  të palës  kontraktuese marrëse sigurohet që:
a) kontraktorët janë mbajtës të certifikatave të përshtatshme të sigurisë së strukturës;
b)  të  gjithë  personat,  detyra  e  të  cilëve  kërkon  hyrjen  në  informacionin  e  klasifikuar  të marrë,  janë  mbajtës  të  certifikatave  të  sigurisë  së  personelit  të  përshtatshme  dhe  janë  trajnuar rregullisht në lidhje me përgjegjësitë dhe detyrat e tyre për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
3. Të gjitha kontratat e klasifikuara përmbajnë një listë të informacionit të klasifikuar me të dhëna të përshtatshme për identifikimin unik të informacionit të klasifikuar të transferuar  në bazë të kontratës.
4.  Autoriteti  kompetent  i  sigurisë  i  shtetit  ku  kryhet  puna  për  kontratën  e  klasifikuar, mbikëqyr përputhjen e masave të sigurisë të zbatuara me ligjet dhe rregulloret  e saj të brendshme.
5. Kontraktori  ka të drejtë, me pëlqimin  me shkrim  të autoritetit  kompetent të sigurisë  të shtetit,   të  angazhojë  nënkontraktorët   në  kontratën   e  klasifikuar.  Nënkontraktori   i  mundshëm përmbush të njëjtat kërkesa sigurie si dhe kontraktori.
6. Autoritetet  kompetente të sigurisë  të palëve  kontraktuese  informojnë  njëra-tjetrën  për të
gjithë kontraktorët dhe nënkontraktorët  e angazhuar në kontratën e klasifikuar.
7. Palët kontraktuese mbrojnë të drejtat e pronësisë intelektuale,  në lidhje me informacionin e klasifikuar të shkëmbyer ndërmjet tyre.

Neni 13
Shkelja e sigurisë

1.  Në  rastin  e  shkeljes  së  sigurisë  ose  komprometimit  të  informacionit  të  klasifikuar, autoriteti  kompetent i sigurisë i palës kontraktuese  marrëse  informon autoritetin  tjetër kompetent të sigurisë  të palës  kontraktuese  të origjinës  për  këtë pa vonesë  dhe siguron  hetim të përshtatshëm. Palët kontraktuese bashkëpunojnë në hetim.
2. Autoriteti  kompetent  i sigurisë  i shtetit të palës kontraktuese  të origjinës  informohet  në
lidhje me masat e marra  për  të kufizuar  dëmin e shkaktuar  nga komprometimi  i informacionit  të klasifikuar,   përfundimin   dhe  rezultatet   e  hetimit,  shkaqet  e  incidentit   dhe  masën  e  dëmit  të shkaktuar.

Neni 14
Shpenzimet

Secila palë kontraktuese  mbulon shpenzimet e veta të shkaktuara  në kuadrin  e zbatimit  të kësaj marrëveshjeje.

Neni 15
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje  që rrjedh  nga interpretimi  ose zbatimi i kësaj marrëveshjeje,  zgjidhet me anë të konsultimeve ndërmjet  autoriteteve  kompetente të sigurisë të palëve kontraktuese,  në rast se nuk arrihet mirëkuptimi, nëpërmjet kanaleve diplomatike.

Neni 16
Dispozita të fundit

1. Kjo  marrëveshje  hyn  në  fuqi  në  ditën  e  30  (tridhjetë)  pas  marrjes  së  notës  së  fundit diplomatike,  në të cilën  palët kontraktuese  njoftojnë  njëra-tjetrën  për  përmbushjen  e kërkesave  të tyre të brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi.
2. Kjo marrëveshje lidhet për një periudhë të pacaktuar kohe.
3. Kjo marrëveshje   mund të ndryshohet me pëlqimin reciprok të palëve kontraktuese.  Këto amendime  mund të propozohen  me anë të kanaleve diplomatike  me shkrim  dhe hyjnë  në fuqi në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni.
4. Kjo marrëveshje  mund të prishet nga njëra prej palëve kontraktuese  me anë të njoftimit me shkrim drejtuar  palës tjetër kontraktuese  me anë të kanaleve diplomatike.  Në një rast të tillë kjo marrëveshje shfuqizohet gjashtë muaj pas datës së marrjes së njoftimit për prishjen e saj.
5. Pas prishjes së kësaj marrëveshjeve, i gjithë informacioni i klasifikuar i dhënë në kuadrin e kësaj marrëveshjeje,  vazhdon të trajtohet dhe mbrohet në pajtim me këtë marrëveshje dhe i kthehet palës kontraktuese të origjinës.
6.  Me  prishjen  e  kësaj  marrëveshjeje,   informacioni  i  klasifikuar,   që  është  marrë  nga autoriteti kompetent i sigurisë,  bazuar mbi masat e mëparshme me detyrimin e rikthimit,  i rikthehet palës kontraktuese të origjinës.
Bërë në Tiranë, më 16.12.2009, në dy kopje origjinale,  secila në gjuhën shqipe, letone dhe angleze,  ku të gjitha tekstet janë njëlloj autentike.  Në rast mospërputhje  në interpretim,  mbizotëron teksti në gjuhën angleze.

Në emër të Këshillit të Ministrave
të Republikës së Shqipërisë
Në emër të Qeverisë së
Republikës së Letonisë