MARREVESHJE ME KROACINE

LIGJ
Nr.10 075, datë 12.2.2009
PËR RATIFIKIMIN E "MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR"

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar".

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6076, datë 27.2.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË
MBI MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kroacisë (këtu quhen palë),
duke rënë dakord për të zhvilluar bisedime mbi çështje politike dhe të sigurisë dhe për të zgjeruar dhe forcuar bashkëpunimin e tyre reciprok;
duke qenë të ndërgjegjshme për ndryshimet në situatën politike në botë dhe duke njohur rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit të tyre reciprok për stabilizimin e paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe besimit reciprok;
të bindura që bashkëpunimi i mirë mund të kërkojë shkëmbimin e informacionit të klasifikuar ndërmjet palëve;

me synim garantimin e mbrojtjes reciproke të të gjithë informacionit të klasifikuar, që është klasifikuar nga një palë dhe transferuar palës tjetër,
me dëshirën për të vendosur rregulla mbi mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar që do të shtrihen te të gjitha marrëveshjet mbi bashkëpunimin që përfundohen ndërmjet palëve dhe te kontratat që u jepen organizatave të palëve, që parashikojnë shkëmbimin e informacionit klasifikuar,
kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1
Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje:
1. "Informacion i klasifikuar" do të thotë:
- Për Republikën e Shqipërisë:
"Sekret shtetëror", në bazë të ligjit, do të thotë informacion i klasifikuar, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të dëmtojë sigurinë kombëtare. "Siguri kombëtare" do të thotë mbrojtje e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës së Shqipërisë.
- Për Republikën e Kroacisë:
Informacion i çfarëdo forme, natyre ose metode transmetimi, i prodhuar ose në procesin e prodhimit, i klasifikuar nga autoriteti kompetent, brenda procedurës së parashikuar dhe për të cilin është përcaktuar niveli i klasifikimit të sigurisë, dhe informacioni që është klasifikuar dhe dhënë i tillë Republikës së Kroacisë nga një vend tjetër, organizatë ndërkombëtare ose institucion me të cilin bashkëpunon Republika e Kroacisë.
2. "Material i klasifikuar" është çdo send makinerie ose armësh apo pajisje, ose mjet i prodhuar ose në procesin e prodhimit, që ruan, përpunon ose transmeton informacion të klasifikuar.
3. "Dokument i klasifikuar" është çdo informacion i regjistruar, pavarësisht nga forma ose karakteristikat e tij fizike, duke përfshirë, pa kufizim, material të shkruar me dorë ose të printuar, kartat e përpunimit të të dhënave dhe shiritat, hartat, tabelat, fotografitë, pikturat, vizatimet, gdhendjet, skicat, shënimet dhe letrat e punës, kopjet e karbonit dhe shiritat me ngjyra ose riprodhimet me çdo mjet ose proces dhe regjistrimet e tingujve, zërit, manjetike ose elektronike, apo optike ose video në çdo formë dhe pajisjet portative për përpunimin automatik të të dhënave me pajisje të palëvizshme të regjistrimit në kompjuter dhe mjetet portative të regjistrimit në kompjuter.
4. "Niveli i klasifikimit të sigurisë" është kategoria, në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme, që karakterizon rëndësinë e informacionit të klasifikuar, nivelin e kufizimit të aksesit në të dhe nivelin e mbrojtjes së tij nga palët dhe gjithashtu kategoria në bazë të të cilit është shënuar informacioni.
5. "Shënimi i klasifikimit" është një shënim mbi një informacion të klasifikuar, që tregon nivelin e klasifikimit të sigurisë.
6. "Pala pritëse" është pala, e përfaqësuar nga autoriteti kompetent për sigurinë, së cilës i transferohet informacioni ose materiali i klasifikuar.
7. "Pala e origjinës" është pala, e përfaqësuar nga autoriteti kompetent për sigurinë, ku ka origjinën ose që transmeton informacionin ose materialin e klasifikuar.
8. "Palë e tretë" është një organizatë ndërkombëtare ose një shtet i tretë që nuk është palë në këtë Marrëveshje.
9. "Autoriteti kompetent për sigurinë" është autoriteti kryesor që, në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme, është përgjegjës për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.
10. Parimi i "nevojës për njohje" është domosdoshmëria për të pasur akses në informacionin e klasifikuar në lidhje me detyrat zyrtare ose përmbushjen e një detyre konkrete zyrtare.
11. "Kontraktorët" është një individ ose një subjekt juridik që ka zotësinë ligjore për të lidhur kontrata.
12. "Kontratë e klasifikuar" është një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë kontraktorëve që krijojnë dhe përkufizon të drejta dhe detyrime të ekzekutueshme ndërmjet tyre, që përmban ose përfshin informacion të kualifikuar.
13. "Vizitorë" janë përfaqësuesit zyrtarë të një pale që kërkon të vizitojë objektet dhe ambientet e palës tjetër të përfshirë në aktivitete në lidhje me informacionin ose materialin e klasifikuar.
14. "Certifikata sigurie personeli" është dokumenti i dhënë nga autoriteti kompetent për sigurinë një shtetasi të një pale për akses në informacionin e klasifikuar, në pajtim me ligjet dhe rregulloret përkatëse të brendshme.
15. "Certifikatë sigurie industriale" është dokumenti i dhënë nga autoriteti kompetent për sigurinë, që vërteton që një shoqëri/subjekt është i autorizuar për akses në informacionin e klasifikuar, në pajtim me ligjet dhe rregulloret përkatëse të brendshme.
16. "Deklasifikimi i informacionit të klasifikuar" është heqja e nivelit të klasifikimit të sigurisë në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme.
17. "Aksesi i paautorizuar në informacionin e klasifikuar" është çdo formë e deklarimit të informacionit të klasifikuar, abuzimit, dëmtimit, paraqitjes, asgjësimit ose veprimit që rezulton në shkeljen e mbrojtjes ose humbjes së këtij informacioni, si dhe çdo veprim ose mosveprim tjetër që ka rezultuar në bërjen e informacionit të ditur një personi të paautorizuar.
18. "Shkelje e sigurisë" është një veprim ose mosveprim në kundërshtim me ligjet dhe rregullohet e brendshme, që rezulton ose mund të rezultojë në akses të paautorizuar në informacionin e klasifikuar.

 

Neni 2
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Palët bien dakord që nivelet e mëposhtme të klasifikimit të sigurisë janë të barasvlershme dhe përputhen me nivelet e klasifikimit të sigurisë, të përcaktuara në ligjet dhe rregulloret e brendshme të palës përkatëse.

Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Kroacise
Ekuivalenca ne anglisht
TEPER SEKRET
VRLO TAJNO
TOP SECRET
SEKRET
TAJNO
SECRET
KONFIDENCIAL
POVJERLJIVO
CONFIDENTIAL
------------------------
OGRANI?ENO
RESTRICTED/CONFIDENTIAL

 

Neni 3
Autoritetet kompetente për sigurinë

1. Autoritetet kompetente për sigurinë të palëve janë si më poshtë:
- Për Republikën e Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (autoriteti kombëtar për sigurinë).
- Për Republikën e Kroacisë:
- Zyra e Këshillit Kombëtar për Sigurinë (autoriteti kombëtar për sigurinë);
2. Autoritetet kompetente për sigurinë informojnë njëra-tjetrën për ligjet dhe rregulloret e brendshme në fuqi që rregullojnë informacionin e klasifikuar.
3. Me qëllim që të sigurohet bashkëpunimi i ngushtë në zbatim të kësaj Marrëveshjeje, autoritetet kompetente për sigurinë mund të zhvillojnë bisedime me kërkesë të bërë nga një prej tyre.
4. Me qëllim që të arrihen dhe të mbahen standarde të krahasueshme për sigurinë, autoritetet kompetente për sigurinë, me kërkesë, i japin njëra-tjetrës informacion në lidhje me standardet e sigurisë, procedurat dhe praktikat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nga pala përkatëse.

 

Neni 4
Masat e brendshme dhe aksesi në informacionin e klasifikuar

1. Në pajtim me ligjet dhe rregulloret e tyre të brendshme, palët zbatojnë të gjitha masat e përshtatshme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që përgjithësisht gjenerohet ose shkëmbehet sipas kësaj Marrëveshjeje. Për këtë informacion të klasifikuar garantohet i njëjti nivel mbrojtjeje që parashikohet për informacionin e klasifikuar të brendshëm, me nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë.
2. Palët informojnë njëra-tjetrën me shkrim, në kohën e duhur, në lidhje me çdo ndryshim në ligjet dhe rregulloret e brendshme që prekin mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Në këto raste palët informojnë njëra-tjetrën në pajtim me nenin 3, paragrafi 3 dhe 4, të kësaj Marrëveshjeje, me qëllim që të ndikojnë ndryshimet e mundshme të kësaj Marrëveshjeje. Ndërkohë, informacioni i klasifikuar mbrohet në pajtim në dispozitat e kësaj Marrëveshjeje, përveç kur bihet dakord ndryshe me shkrim.
3. Aksesi në informacion e klasifikuar kufizohet tek ata persona që kanë nevojë për të ditur, pasi të jenë autorizuar nga autoriteti kompetent për sigurinë, në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme, që përputhet me nivelin e kërkuar të klasifikimit të sigurisë të informacionit që duhet të aksesohet.
4. Pala pritëse:
a) i paraqet informacion të klasifikuar një pale të tretë vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të palës së origjinës;
b) i jep informacionit të klasifikuar nivelin e klasifikimit të sigurisë të barasvlershëm me atë të parashikuar në nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje dhe për pasojë siguron mbrojtjen e barasvlershme me atë të dhënë nga pala e origjinës;
c) përdor informacionin e klasifikuar vetëm për qëllimet që ai është parashikuar;
d) respekton të drejtat e pronësisë intelektuale dhe të fshehtat tregtare që përfshihen në informacionin e klasifikuar.
5. Nëse një marrëveshjeje tjetër e përfunduar ndërmjet palëve përmban rregulla në rigoroze në lidhje me shkëmbimin ose mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, zbatohen këto rregulla.

 

Neni 5
Transmetimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikuar transmetohet nëpërmjet kanaleve diplomatike ose shërbimeve të korrierit ushtarak ose tjetër të miratuar nga autoriteti kompetent për sigurinë. Pala pritëse konfirmon me shkrim marrjen e informacionit të klasifikuar.
2. Nëse duhet të transmetohet një dërgesë e madhe që përmban informacion të klasifikuar, autoritetet përkatëse kompetente të sigurisë bien dakord reciprokisht dhe aprovojnë me shkrim mjetet e transportit, itinerarin dhe masat e sigurisë për çdo rast të tillë.
3. Masa të tjera të aprovuara të transmetimit ose shkëmbimit të informacionit të klasifikuar mund të përdoren nëse për këtë bihet dakord nga autoritetet kompetente të sigurisë.
4. Shërbimet e sigurisë dhe informative të palëve mund të shkëmbejnë drejtpërdrejt informacion operativ analitik në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme.

Neni 6
Shënimi i informacionit të klasifikuar

1. Pala pritëse shënon informacionin e klasifikuar të marrë me shënimin përkatës të klasifikimit në pajtim me nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje.
2. Kërkesat e shënimit zbatohen edhe për informacionin e klasifikuar të gjeneruar në lidhje me një kontratë të klasifikuar.

Neni 7
Riprodhimi dhe përkthimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikuar i shënuar me një nivel klasifikimi sigurie TEPËR SEKRET/TOP SECRET/VRLO TAJNO lejohet për t'u përkthyer dhe kopjuar vetëm me leje me shkrim të palës së origjinës.
2. Të gjitha kopjet e riprodhuara të informacionit të klasifikuar shënohen me një shënim origjinal klasifikimi. Ky informacion i riprodhuar vendoset në të njëjtin kontroll, si dhe informacioni origjinal. Numri i kopjeve është i kufizuar në atë që kërkohet për qëllime zyrtare.
3. Të gjitha përkthimet e informacionit të klasifikuar bëhen nga individë të autorizuar. Përkthimi shënohet me shënimin origjinal të klasifikimit dhe përmban një tekst të përshtatshëm në gjuhën në të cilën ai përkthehet që përkthimi përmban informacion të klasifikuar të palës së origjinës.

Neni 8
Asgjësimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikimit asgjësohet në masën që të parandalohet rindërtimi i plotë ose i pjesshëm.
2. Informacioni i klasifikuar i nivelit të klasifikimit të sigurisë TEPËR SEKRET/TOP SECRET/VRLO TAJNO nuk asgjësohet. Ai i kthehet palës së origjinës.
3. Pala e origjinës, me anë të shënimit shtesë ose dërgimit të mëvonshëm të shënimit me shkrim, mund të ndalojë shprehimisht riprodhimin, ndryshimin ose asgjësimin e informacionit të klasifikuar. Nëse asgjësimi i informacionit të klasifikuar ndalohet, ai i kthehet palës së origjinës.
4. Në rastin e një situate krize, informacioni i klasifikuar, që është i pamundur të mbrohet ose kthehet te pala e origjinës, mbrohet ose kthehet te pala e origjinës, asgjësohet menjëherë. Pala pritëse njofton palën e origjinës me shkrim në lidhje me asgjësimin e informacionit të klasifikuar.

Neni 9
Vizitat

1. Ekspertët e sigurisë të autoriteteve kompetente për sigurinë mund të zhvillojnë konsultime të rregullta për të diskutuar procedurat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
2. Autoriteti kompetent për sigurinë i palës pritëse lëshon autorizim paraprak për vizita për vizitorët që kanë autorizimin e përshtatshëm të sigurisë së personelit, në rast se ata duhet të aksesojnë informacionin e klasifikuar ose ambientet ku ka origjinën, trajtohet ose ruhet informacioni i klasifikuar.
3. Për procedurat e vizitave bihet dakord ndërmjet autoriteteve kompetente për sigurinë të palëve.
4. Kërkesa për vizitë përmban informacionin e mëposhtëm:
a) emrin dhe mbiemrin e vizitorit, datë dhe vendin e lindjes, numrin e pasaportës ose një numër dokumenti tjetër identifikimi;
b) shtetësinë e vizitorit;
c) titullin e postit të vizitorit dhe emrin e organizatës së përfaqësuar;
d) autorizimin e sigurisë së personelit të vizitorit, të nivelit të përshtatshëm të klasifikimit;
e) qëllimin, programin e propozuar të punës dhe datën e planifikuar të vizitës;
f) emrat e organizatave dhe ambienteve që kërkohet të vizitohen;
g) të dhëna të tjera nëse bihet dakord nga autoritetet kompetente për sigurinë.
5. Autoritetet kompetente për sigurinë e palëve aprovojnë listën e vizitorëve që mund të përsëritin vizita brenda dymbëdhjetë muajve për qëllimin e përmbushjes së kontratës së klasifikuar. Afatet e vizitave të veçanta rregullohen drejtpërdrejt nga autoritetet e përshtatshme të kontraktorëve.
6. Secila palë garanton mbrojtjen e të dhënave personale të vizitorëve, sipas ligjeve dhe rregulloreve përkatëse të brendshme.

Neni 10
Kontratat e klasifikuara

1. Kontratat e klasifikuara përfundohen dhe zbatohen në pajtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme të secilës palë. Me kërkesë të autoritetit kompetent për sigurinë të secilës palë jep një konfirmim që një kontraktori të propozuar i është dhënë një autorizim i përshtatshëm kombëtar sigurie subjekti, që përputhet me nivelin e klasifikimit të kërkuar të sigurisë. Nëse kontraktori i propozuar nuk ka autorizimin e përshtatshëm sigurie subjekti, autoriteti kompetent i sigurisë i secilës palë mund të kërkojë që ky kontraktor të autorizohet.
2. Një aneks sigurie është gjithmonë pjesë përbërëse e secilës kontratë ose nënkontratë të klasifikuar, nëpërmjet së cilës kontraktori i palës së origjinës përcakton se cili informacion i klasifikuar duhet të jepet ose gjenerohet nga pala pritëse dhe se cili nivel përkatës i klasifikimit të sigurisë i është dhënë këtij informacioni.
3. Detyrimet e kontraktorit për të mbrojtur informacionin e klasifikuar në lidhje me kontratën e klasifikuar i referohet të paktën sa më poshtë:
a) deklarimit të informacionit të klasifikuar, përjashtimisht personave të cilëve u është dhënë më parë autorizimi i përshtatshëm i sigurisë së personelit, që kanë nevojë për të ditur dhe që janë përfshirë në përmbushjen e kontratës së klasifikuar;
b) transmetimit të informacionit të klasifikuar me mjetet e parashikuara në dispozitat e kësaj Marrëveshjeje;
c) procedurave dhe mekanizmave për komunikimin e ndryshimeve që mund të dalin në lidhje me informacionin e klasifikuar;
d) detyrimit për të njoftuar në kohën e duhur autoritetin kompetent të sigurisë së kontraktorit për çdo akses të kryer, në tentativë ose të dyshuar, në informacionin e klasifikuar të kontratës;
e) përdorimit të informacionit të klasifikuar sipas kontratës së klasifikuar vetëm për qëllimet që lidhen me objektin e kontratës;
f) respektimit rigoroz të dispozitave të kësaj Marrëveshjeje në lidhje me procedurën për trajtimin e informacionit të klasifikuar;
g) dhënies së informacionit në bazë të një kontrate të klasifikuar çdo pale të tretë vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të palës së origjinës.
4. Masat e kërkuara për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, si dhe procedura për vlerësimin dhe zhdëmtimin për humbjet e mundshme të shkarkuara kontraktorëve nga aksesi i paautorizuar në informacionin e klasifikuara, përcaktohet më me hollësi në kontratën përkatëse të klasifikuar.
5. Kontrata e klasifikuar e nivelit të klasifikimit të sigurisë I KUFIZUAR /RESTRICTED/ OGRANI?ENO përmban një dispozitë të përshtatshme për sigurinë që përcakton masat minimale për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Për këto kontrata nuk kërkohet autorizim sigurie subjekti.

Neni 11
Shkelja e sigurisë

1. Në rastin e një shkeljeje të sigurisë, autoriteti kompetent i sigurisë në shtetin e të cilit ka ndodhur shkelja e sigurisë njofton autoritetin kompetent të sigurisë të palës tjetër në kohën e duhur dhe siguron hetimin e përshtatshëm. Pala tjetër, nëse kërkohet, bashkëpunon në hetim.
2. Në rastin e ndodhjes së shkeljes së sigurisë tek një palë e tretë, autoriteti kompetent i sigurisë i palës së origjinës merr masat sipas paragrafit 1 të këtij neni, sipas rastit.
3. Pala tjetër njoftohet në lidhje me rezultatet e hetimit dhe merr deklarimet përfundimtare në lidhje me shkaqet e ngjarjes dhe masën e dëmit.

Neni 12
Shpenzimet

Secila palë mbulon shpenzimet e veta të shkarkuara gjatë zbatimit të Marrëveshjes.

Neni 13
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje mund të zgjidhet me konsultime dhe negociata ndërmjet palëve pa iu drejtuar juridiksionit të jashtëm.

Neni 14
Dispozita të fundit

1. Kjo Marrëveshje hyn në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim nëpërmjet së cilës palët kanë informuar njëra-tjetrën, nëpërmjet kanaleve diplomatike, që kërkesat e tyre të brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi janë përmbushur.
2. Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet me pëlqimin reciprok me shkrim të palëve. Ndryshimet hyjnë në fuqi në pajtim me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni.
3. Kjo Marrëveshje përfundohet për një afat të përcaktuar kohe. Secila palë mund ta denoncojë këtë Marrëveshje duke i bërë palës tjetër një njoftim me shkrim nëpërmjet kanaleve diplomatike. Në këtë rast, kjo Marrëveshje shfuqizohet gjashtë muaj nga data në të cilën pala tjetër ka marrë njoftimin e denoncimit.
4. Në rastin e shfuqizimit të kësaj Marrëveshjeje, i gjithë informacioni i klasifikuar i transmetuar në pajtim me këtë Marrëveshje vazhdon të mbrohet në pajtim me dispozitat që gjenden në të.
5. Aspekte të tjera teknike të bashkëpunimit mund të rregullohen me pëlqimin reciprok të palëve.

Bërë në Tiranë, më 19 dhjetor 2008, në dy kopje origjinale, secila në shqip, anglisht dhe kroatisht, ku të gjitha tekstet janë njëlloj autentike. Në rast mospërputhjeje në interpretim, mbizotëron teksti në anglisht.

Për Këshillin e Ministrave të
Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e Republikës
së Kroacisë