MARREVESHJE ME KOSOVEN

LIGJ
Nr. 5/2013  
PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË  REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR  SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT  TË KLASIFIKUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 14.2.2013

Shpallur me dekretin nr. 7957, datë 25.2.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
MARRËVESHJE
NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, këtu e mëposhtë “Palët”;

Duke rënë dakord për të zhvilluar bisedime mbi çështjet e politikave   të sigurisë dhe për të zgjeruar e forcuar bashkëpunimin e tyre reciprok;

Duke qenë të ndërgjegjshme për ndryshimet në situatën politike në botë dhe duke njohur rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit të tyre reciprok për ruajtjen e paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe besimit reciprok;

Të bindura që bashkëpunimi i mirë mund të kërkojë shkëmbimin e Informacionit të Klasifikuar ndërmjet Palëve;

Me synim garantimin e mbrojtjes reciproke të të gjithë Informacionit të Klasifikuar, që është klasifikuar nga një Palë dhe transferuar Palës tjetër;

Me dëshirën për të vendosur rregulla për mbrojtjen reciproke të Informacionit të Klasifikuar, që do të përfshihen tek të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit të lidhura ndërmjet Palëve dhe tek kontratat që u jepen organizmave të Palëve, të cilat  parashikojnë shkëmbimin e Informacionit të Klasifikuar;

Bien dakord si më poshtë:
Neni 1
Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje:

1. “Informacion i Klasifikuar” do të thotë:

- Për Republikën e Shqipërisë
Çdo informacion i klasifikuar “Sekret Shtetëror”, sipas ligjit,  ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të dëmtojë sigurinë kombëtare.
 ‘’Siguri Kombëtare’’ do të thotë mbrojtje e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues dhe marrëdhënieve me jashtë të Republikës së Shqipërisë.

- Për Republikën e Kosovës
’’Informacion i klasifikuar’’ – cdo informacion dhe material publikimi i paautorizuar i te cilave do te cenonte ne shkalle te ndryshme  interesat e sigurise se Republikes se Kosoves.
‘’Interesat e Sigurise’’ i referohen mbrojtjes, veprimtarive te zbatimit te ligjit dhe zbulimit, marredhenieve me jashte apo te sigurise te Republikes se Kosoves, perfshire integritetin e saj territorial, integritetin e institucioneve te saja, rregullin kushtetues si dhe stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.

2. “Material i klasifikuar” është çdo pjese makinerie, armësh, pajisje ose mjet i prodhuar apo në procesin e prodhimit, që ruan, përpunon ose transmeton Informacion të Klasifikuar.
3 “Dokument i klasifikuar” është çdo informacion i regjistruar pavarësisht nga forma ose karakteristikat e tij fizike, duke përfshirë, pa kufizim, material të shkruar me dorë ose të printuar, kartat e përpunimit të të dhënave dhe shiritat, hartat, tabelat, fotografitë, pikturat, vizatimet, gdhendjet, skicat, shënimet dhe letrat e punës, kopjet e karbonit dhe shiritat me ngjyra ose riprodhimet me çdo mjet ose proces dhe regjistrimet e tingujve, zërit, manjetike ose elektronike, apo optike ose video në çdo formë dhe pajisjet portative për përpunimin automatik të të dhënave me pajisje të palëvizshme të regjistrimit në kompjuter dhe mjetet portative të regjistrimit në kompjuter.
4. “Niveli i klasifikimit te sigurise ” është kategoria qe percakton  rëndësinë e Informacionit te Klasifikuar, shkallen e mbrojtjes reciproke te tij, ne perputhje me legjislacionin perkates te Paleve.
5. “Shenjezimi i klasifikimit” është një shënim mbi një Informacion të Klasifikuar, që tregon nivelin e klasifikimit të sigurisë.
6. “Pala Marrëse” është Pala, të cilës i transmetohet Informacioni ose materiali i Klasifikuar.
7. “Pala e Origjinës” është Pala e cila prodhon ose/dhe transmeton Informacionin ose materialin e Klasifikuar.
8. “Palë e Tretë” është një shtet ose organizatë ndërkombëtare, që nuk është palë në këtë Marrëveshje.
9. “Autoriteti Kompetent për Sigurinë” është autoriteti pergjegjes për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje ne perputhje, me  legjislacionin perkates te Paleve,
10. “Nevojë për njohje” është domosdoshmëria për të patur qasje/akses, tek Informacioni i Klasifikuar për përmbushjen e një detyre zyrtare.
11. “Kontraktor” është cdo person fizik ose  juridik, që ka zotësinë ligjore për të lidhur kontrate.
12. “Kontratë e Klasifikuar” është cdo kontrate e lidhur nga një institucion publik i njeres prej Paleve me nje ose me shume Kontraktore te Palës tjetër dhe qe permban informacion te klasifikuar.     
13. “Vizitor” eshte përfaqësuesi zyrtar i një Pale që kërkon të vizitojë objektet dhe ambientet e Palës tjetër,   qe kane lidhje me Informacionin ose materialin e Klasifikuar te shkembyer.
14. “Çertifikate Sigurie Personeli’’ ose ‘’Leje e Sigurisë” është dokumenti zyrtar, i dhënë nga Autoriteti Kompetent për Sigurinë, një shtetasi të një Pale, për qasje/akses tek Informacioni i Klasifikuar, në përputhje me legjislacionin përkatës të Palëve.
15. “Çertifikatë Sigurie Industriale’’ ose ‘’Leje e Sigurisë për Operatorët Ekonomik” është dokumenti zyrtar i dhënë nga Autoriteti Kompetent për Sigurinë, që vërteton  se një kontraktor është i autorizuar për qasje/akses tek Informacioni i Klasifikuar, në përputhje me  legjislacionin përkatës të Palëve.
16. “Deklasifikimi i Informacionit të Klasifikuar” është ndryshimi i autorizuar i statusit të informacionit, nga i klasifikuar në të paklasifikuar.
17. “Qasja/Aksesi i paautorizuar’’ është çdo formë e njohjes,ekspozimit apo publikimit të Informacionit të Klasifikuar ne kundërshtim me legjislacionin perkates te paleve,
18. “Shkelja e sigurisë” është cdo veprim ose mosveprim që rezulton ose mund të rezultojë në qasje/akses të paautorizuar në Informacionin e Klasifikuar.

Neni 2
Nivelet e klasifikimit të sigurisë
Palët bien dakord që nivelet e mëposhtëm të klasifikimit të sigurisë janë të barasvlershme dhe përputhen me nivelet e klasifikimit të sigurisë të përcaktuar në legjislacionin perkates.  
Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Kosoves
TEPER SEKRET
TEPER SEKRET
SEKRET
SEKRET
KONFIDENCIAL
KONFIDENCIAL
I KUFIZUAR
I KUFIZUAR

 

Neni 3
Autoritetet Kompetente  për Sigurinë e Informacionit te Klasifikuar

1. Autoritetet Kompetente te  Sigurise  per  Palët  janë si më poshtë:

    Për Republikën e Shqipërisë

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurise Kombëtare për informacionin e Klasifikuar);

    Për Republikën e Kosovës

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë

2. Autoritetet Kompetente te  Sigurisë informojnë njëri-tjetrin për legjislacionin përkatës dhe zhvillojnë konsultime periodike në lidhje me procedurat e mbrojtjes së Informacionit të Klasifikuar.

3. Autoritetet Kompetente te  Sigurisë  zhvillojnë bisedime me kërkesë të njërës  Palë për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

4. Autoritetet Kompetente te Sigurise  bashkëpunojnë për trajnime në fushën e informacionit të klasifikuar dhe verifikimin e sigurisë, sipas interesave reciproke.  

Neni 4
Masat e brendshme dhe Qasja/Aksesi në Informacionin e Klasifikuar

1. Palët   zbatojnë të gjitha masat e përshtatshme për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar që shkëmbehet në bazë të kësaj Marrëveshjeje, konform nivelit të klasifikimit të sigurisë, në përputhje me legjislacionin përkatës.
2. Palët njohin dhe konfirmojnë reciprokisht “Certifikatën e Sigurisë së Personelit” ose  “Lejen e Sigurisë” për njohjen  e Informacionit të Klasifikuar.
3. Qasja/Aksesi në Informacionin e Klasifikuar lejohet për ata persona që kanë nevojë për njohje, dhe janë të autorizuar sipas legjislacionit përkates të Palëve.
4. Pala Marrëse :

a)     e përdor Informacionin e Klasifikuar vetëm për qëllimet e percaktuara;

b)     i jep Informacion të Klasifikuar një Pale të Tretë vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të Palës së Origjinës;

c)    siguron mbrojtjen e barazvlefshme të Informacionit të Klasifikuar, në përputhje me   nivelin e klasifikimit të sigurisë së dhënë nga Pala e Origjinës;   
d)   respekton të drejtat e pronësisë intelektuale dhe sekretit tregtar që përfshihet në Informacionin e Klasifikuar.

Neni 5
Shkëmbimi i Informacionit të Klasifikuar

1. Shkëmbimi i Informacionit të Klasifikuar kryhet nëpërmjet kanaleve diplomatike, me shërbime të korrierit ushtarak, mjeteve dhe pajisjeve ose çdo mënyrë tjetër të miratuar nga Autoritetet Kompetente të Sigurisë. Pala Marrëse  konfirmon me shkrim marrjen e Informacionit të Klasifikuar.

2. Nëse duhet të transmetohet një dërgesë e madhe që përmban informacion të klasifikuar, Autoritetet përkatëse Kompetente të sigurisë bien dakord  dhe aprovojnë me shkrim mjetet e transportit, itinerarin dhe masat e sigurisë për çdo rast të tillë.
3. Shërbimet Informative të Palëve mund të shkëmbejnë drejtpërdrejt informacion operativ dhe analitik në përputhje me legjislacionin përkatës.

Neni 6
Riprodhimi dhe Përkthimi i Informacionit të Klasifikuar

1. Informacioni i Klasifikuar i nivelit ‘’TEPËR SEKRET’’ riprodhohet dhe përkthehet  vetëm me leje me shkrim të Palës së Origjinës.

2. Informacioni i Klasifikuar i riprodhuar mban të njëjtin nivel klasifikimi me origjinalin. Informacioni i Klasifikuar i riprodhuar trajtohet në të njëjtën shkallë sigurie si informacioni origjinal.

3.  Riprodhimi dhe përkthimi i Informacionit të Klasifikuar bëhet nga individë të autorizuar dhe të certifikuar përshtatshmërisht. Informacioni i Klasifikuar i përkthyer mban të njëjtin nivel klasifikimi me origjinalin.     

Neni 7
Shkatërrimi i Informacionit të Klasifikuar

1. Informacioni i Klasifikuar shkatërrohet në mënyrë që të parandalohet rindërtimi i plotë ose i pjesshëm i tij.

2. Informacioni i Klasifikuar i nivelit ‘’TEPËR SEKRET’’ nuk shkatërrohet. Ai i kthehet Palës së Origjinës.

3. Në raste krize, gjendje të jashtëzakonshme apo emergjencave të tjera civile, në të cilat  Informacioni i Klasifikuar është i pamundur të mbrohet ose të kthehet tek Pala e Origjinës, ai shkatërrohet menjëherë. Pala Marrëse njofton Palën e Origjinës me shkrim në lidhje me shkatërrimin e Informacionit të Klasifikuar.

Neni 8
Kontrata  e Klasifikuar  

1. Kontrata e Klasifikuar lidhet dhe zbatohet në perputhje me legjislacionin përkatës të secilës Palë.  

2. Palët njohin dhe konfirmojnë reciprokisht “Certifikatën e Sigurisë Industriale’’ ose ‘’Lejen e Sigurisë për Operatorin Ekonomik’’ si dhe “Certifikatën e Sigurisë se Personelit” ose “Lejen e Sigurise” të lëshuar prej tyre.

3. Në rastet kur ‘’Çertifikata e Sigurise Industriale’’ ose ‘’Leja e Sigurisë për Operatorin Ekonomik’’ kontraktues, nuk është në përputhje me nivelin e klasifikimit të kontratës,    Autoriteti Kompetent i Sigurisë i secilës Pale, i drejtohet me kërkesë Palës tjetër për të kryer procedurat  e certifikimit përshtatshmërisht.

4. Autoritetet Kompetente të Sigurisë të Palëve, i drejtohen me kërkesë të vecantë njëra- tjetrës për të pajisur me ’ Sigurie Personeli’’ ose ‘’Leje të Sigurisë’’ personelin shtese, në rastet e kërkuara për përmbushjen e detyrimeve të një kontrate të klasifikuar.

5. Kontrata e Klasifikuar përmban një aneks sigurie si pjesë përbërëse të saj nëpërmjet të cilit Kontraktori detyrohet të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

6. Kontrata e Klasifikuar e nivelit të klasifikimit të sigurisë I KUFIZUAR përmban një dispozitë të përshtatshme për sigurinë që përcakton masat minimale për mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Për këto kontrata nuk kërkohet ‘’ Sigurie Industriale’’ ose ‘’Leje Sigurie për Operatorin Ekonomik’’.

7. Detyrimet e Kontraktorit për të mbrojtur Informacionin e Klasifikuar, në lidhje me Kontratën e Klasifikuar përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:

    a)    Përdorimin e Informacionit të Klasifikuar vetëm për qëllimet që lidhen me objektin e Kontratës së Klasifikuar;

    b)    Listën e personave të cilët janë pajisur me ‘’Çertifikatë Sigurie Personeli’’ ose ‘’Leje të Sigurisë’’ që marrin pjesë në realizimin e kontratës.  

    c)    Transmetimin e Informacionit të Klasifikuar me mjetet e parashikuara në dispozitat e kësaj Marrëveshjeje;

    d)    Njoftimin në kohën e duhur te Autoritetit Kompetent të Sigurisë së Kontraktorit, për çdo incident ose tentativë të ndodhur ose të dyshuar, që përbën shkelje të sigurisë së Informacionit të Klasifikuar;

    dh)    Mosdhënien e informacionit në kuadër të Kontratës së Klasifikuar, një Pale të Tretë pa pëlqimin paraprak me shkrim të Palës së Origjinës.

8. Kontrata e Klasifikuar përmban masat dhe procedurat për vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga humbjet e mundshme apo qasja/aksesi i paautorizuar në Informacionin e Klasifikuar.

9. Për nënkontraktoret vlejnë të gjitha masat e përcaktuara për Kontraktorët.

Neni 9
Vizitat

1. Autoriteti Kompetent për Sigurinë i Palës Marrese, lëshon autorizim paraprak për vizitat e vizitorëve që kanë “ Sigurie Personeli’’ ose ‘’Leje Sigurie’’ të përshtatshme, në rast se ata duhet të kenë qasje/akses tek Informacioni i Klasifikuar ose në ambientet ku ai administrohet.
2. Autoritetet Kompetente për Sigurinë bien dakord për procedurat e vizitave.
3. Kërkesa për vizitë përmban informacionin e mëposhtëm:

a)    emrin dhe mbiemrin e vizitorit, datën dhe vendin e lindjes, numrin e pasaportës ose të një dokumenti tjetër identifikimi;

b)    shtetësinë e vizitorit;

c)    funksionin/pozitën e vizitorit dhe emërtimin e institucionit që përfaqeson;

d)    “Certifikatën e Sigurisë së Personelit’’ ose ‘’Lejen e Sigurisë’’ të vizitorit ;

dh)    qëllimin, programin e propozuar të punës dhe datën e planifikuar të vizitës;

e)    emertimin e institucionit dhe ambientit që kërkohet të vizitohet;

ë)    të dhëna të tjera, nëse bihet dakord nga Autoritetet Kompetente për Sigurinë.

4. Autoritetet Kompetente për Sigurinë miratojnë listën e vizitorëve që mund të përsëritin vizitat brenda dymbëdhjetë muajve për qëllimin e përmbushjes së Kontratës së Klasifikuar.
5. Palët garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale të vizitorëve, sipas legjislacionit përkatës të tyre.

Neni 10
Shkeljet e Sigurisë

1. Autoriteti Kompetent i Sigurisë në shtetin e të cilit ka ndodhur shkelja njofton Autoritetin Kompetent të Sigurisë të Palës tjetër, menjëherë dhe siguron kushtet e nevojshme  për zhvillimin e hetimit përkatës. Pala tjetër, nëse kërkohet, bashkëpunon në hetim.

2. Autoriteti Kompetent i Sigurisë i Palës së Origjinës, merr masat e parashikuara ne paragrafin  1 të këtij Neni, në rastin kur shkelja e sigurisë ndodh  tek një Palë e Tretë.

3. Pala tjetër njoftohet me shkrim në lidhje me rezultatet përfundimtare të hetimit .

Neni  11
Shpenzimet
Palët mbulojne shpenzimet e tyre gjatë zbatimit të Marrëveshjes.

 

Neni 12
Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve

Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje  zgjidhet me konsultime dhe negociata ndërmjet Palëve pa iu drejtuar ndonjë juridiksioni të jashtëm.

Neni 13
Dispozita të fundit

1. Kjo Marrëveshje hyn në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim nëpërmjet të cilës Palët kanë njoftuar  njëra-tjetrën, nëpërmjet kanaleve diplomatike, që kërkesat e tyre të brendshme ligjore për hyrjen e saj në fuqi janë përmbushur .

2. Kjo Marrëveshje mund të ndryshohet me pëlqimin  me shkrim të Palëve. Ndryshimet hyjnë në fuqi në pajtim me dispozitat e paragrafit 1 të këtij Neni.

3. Kjo Marrëveshje lidhet për një afat të pacaktuar kohe. Secila Palë mund ta denoncojë këtë Marrëveshje duke i bërë Palës tjetër një njoftim me shkrim nëpërmjet kanaleve diplomatike. Në këtë rast, kjo Marrëveshje shfuqizohet 6 (gjashtë) muaj nga data në të cilën Pala tjetër ka marrë njoftimin e denoncimit.

4. Në rastin e shfuqizimit të kësaj Marrëveshjeje, i gjithë Informacioni i Klasifikuar  i shkëmbyer ndërmjet palëve, vazhdon të mbrohet në perputhje me dispozitat e saj.  

5. Aspekte të tjera teknike të bashkëpunimit mund të rregullohen më pëlqimin e  Palëve.

 

Bërë në ………, më ……………, në dy kopje origjinale, secila në shqip dhe serbisht ku të gjithë tekstet janë njëlloj autentikë. Në rast mospërputhjeje në interpretim, teksti që mbizotëron është ai në gjuhën shqipe.

Për Këshillin e Ministrave
të Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e
Republikës së Kosovë
s