MARREVESHJE ME GJERMANINE

LIGJ
Nr.10 030, datë 11.12.2008

PËR RATIFIKIMIN E
"MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË
PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONEVE TË KLASIFIKUARA"

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacioneve të klasifikuara".

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5981, datë 29.12.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi

MARRËVESHJE NDËRMJETKËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË PËR MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONEVE TË KLASIFIKUARA

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë
dhe
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë -

me synimin për të garantuar mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara, të cilat shkëmbehen midis Autoriteteve Kompetente të Republikës Federale të Gjermanisë dhe të Republikës së Shqipërisë, si dhe me kontraktues në territorin e shtetit të Palës tjetër Kontraktuese ose midis kontraktuesish të të dyja Palëve Kontraktuese,

të shtyra nga dëshira për të krijuar dispozita ligjore për mbrojtjen reciproke të Informacioneve të Klasifikuara, të cilat gjejnë zbatim në të gjitha marrëveshjet për bashkëpunim dhe në kontratat, të cilat sjellin me vete një shkëmbim të Informacioneve të Klasifikuara, kanë rënë dakord si më poshtë vijon:

Neni 1
Përkufizime

(1) Sipas kuptimit të kësaj marrëveshjeje

1. Informacione të Klasifikuara janë:

a) në Republikën Federale të Gjermanisë:
fakte, objekte ose njohuri që duhen mbajtur sekret në interesin publik, pavarësisht nga forma e paraqitjes së tyre. Në përputhje me nevojën që kanë për t'u mbrojtur ato klasifikohen nga një instancë zyrtare ose me porosi të saj;

b) në Republikën e Shqipërisë:
"Sekret shtetëror" do të thotë Informacion i Klasifikuar, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të rrezikojë sigurimin kombëtar.
"Sigurim kombëtar" do të thotë mbrojtja e pavarësisë, integritetit territorial, rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe marrëdhenieve të saj me vende të huaja.

2. Një porosi lidhur me Informacion të Klasifikuar

është një kontratë ndërmjet një autoriteti ose një sipërmarrjeje nga shteti i njërës Palë Kontraktuese (porosidhënësi) dhe një sipërmarrjeje nga shteti i Palës tjetër Kontraktuese (kontraktuesi); në kuadër të një marrëveshjeje të këtij lloji, Informacione të Klasifikuara prej shtetit të porosidhënësit duhet t'i lihen kontraktuesit, të zhvillohen nga kontraktuesi ose të bëhen të shfrytëzueshme për bashkëpunëtorët e tij, të cilët duhet të kryejnë punë në institucionet e porosidhënësit.

(2) Për nivelet e klasifikimit të informacionit vlejnë këto përkufizime:

1. Në Republikën Federale të Gjermanisë Informacionet e Klasifikuara përkufizohen si më poshtë:

a) STRENG GEHEIM, kur ekspozimi i këtij informacioni tek personat e paautorizuar mund të rrezikojë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë ose interesa me rëndësi jetësore të Republikës Federale të Gjermanisë ose të njërit prej landeve të saj,

b) GEHEIM, kur ekspozimi i këtij informacioni tek personat e paautorizuar mund të rrezikojë sigurinë e Republikës Federale të Gjermanisë ose të njërit prej landeve të saj ose mund të dëmtojë rëndë interesat e tyre,

c) VS-VERTRAULICH, kur ekspozimi i këtij informacioni tek personat e paautorizuar mund të dëmtojë interesat e Republikës Federale të Gjermanisë ose të njërit prej landeve të saj,

d) VS-NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH, kur ekspozimi i këtij informacioni tek personat e paautorizuar mund të jetë i disfavorshëm për interesat e Republikës Federale të Gjermanisë ose të njërit prej landeve të saj.

2. Në Republikën e Shqipërisë Informacionet e Klasifikuara përkufizohen si më poshtë:

a) "Tepër sekret", kur ekspozimi i paautorizuar mund t'i shkaktojë dëme veçanërisht të rënda sigurisë kombëtare.

b) "Sekret", kur ekspozimi i paautorizuar mund t'i shkaktojë dëme serioze sigurise kombëtare.

c) "Konfidencial", kur ekspozimi i paautorizuar mund t'i shkaktojë dëme sigurisë kombëtare.

d) "I kufizuar", kur ekspozimi i paautorizuar mund të dëmtoje veprimtarinë ose efektivitetin e institucioneve shtetërore në fushën e sigurisë kombëtare".

Neni 2
Krahasueshmëria

Palët Kontraktuese vendosin që janë të krahasueshme këto nivele së ruajtjes të informacionit të klasifikuar:

Republika e Shqipërisë - Republika Federale e Gjermanisë
TEPËR SEKRET - STRENG GEHEIM
SEKRET - GEHEIM
KONFIDENCIAL - VS-VERTRAULICH
I KUFIZUAR - VS-NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH

 

Neni 3
Shenjëzimi

(1) Informacionet e Klasifikuara të transmetuara shenjëzohen nga autoriteti që mban kompetencën për marrësin e tyre ose me porosi të këtij autoriteti në përputhje me nivelin e klasifikimit te informacionit të krahasueshëm sipas Nenit 2.

(2) Detyrimi për shenjëzim vlen edhe për informacione të klasifikuara, të cilat krijohen rishtaz në shtetin marrës në lidhje me porositë, që kanë të bëjnë me Informacion të Klasifikuar, dhe për kopje të prodhuara në shtetin marrës.

(3) Me kërkesë të autoritetit kompetent të shtetit të origjinës, nivelet e ruajtjes së Informacionit te Klasifikuar ndryshohen ose shfuqizohen nga autoriteti kompetent për marrësin e informacionit përkatës të klasifikuar ose me porosi të këtij autoriteti. Autoriteti kompetent i shtetit të origjinës ia njofton autoritetit kompetent të Palës tjetër Kontraktuese qëllimin e tij për të ndryshuar ose shfuqizuar nivelin e klasifikimit të informacionit, gjashtë javë përpara.

 

Neni 4
Masat e brendshme shtetërore

(1) Palët Kontraktuese, në kuadër të dispozitave ligjore të brendshme, marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar ruajtjen e Informacioneve të Klasifikuara, të cilat krijohen, shkëmbehen ose ruhen në bazë të kësaj marrëveshjeje. Ato u sigurojnë këtyre informacioneve të klasifikuara, më e pakta, ruajtje të barabartë me atë që Pala tjetër Kontraktuese kërkon për Informacione të veta të Klasifikuara të një shkalle të krahasueshme të ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar.

(2) Informacionet e Klasifikuara përdoren ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar. Palës tjeter Kontraktuese i ndalohet t'i bëjë të njohura Informacionet e Klasifikuara, t'i përdorë dhe të lejojë publikimin ose përdorimin e tyre, me përjashtim të rastit kur kjo ndodh për qëllimet dhe me kufizimet eventuale, të cilat janë përcaktuar prej ose me porosi të Palës Kontraktuese të Origjinës. Për përjashtim nga ky rregull, Pala e Origjinës e Informacionit të Klasifikuar duhet të ketë dhënë aprovim me shkrim.

(3) Në Informacionet e Klasifikuara duhet t'u lejohet aksesi vetëm personave, që për shkak të detyrave të tyre plotësojnë kushtin "Njohuri vetëm në rast nevoje" dhe të cilët, me përjashtim të rastit të Informacioneve të Klasifikuara VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR, janë të autorizuar të kenë akses në Informacione të Klasifikuara të një niveli të krahasueshëm të ruajtjes së informacionit të klasifikuar. Autorizimi presupozon një kontroll paraprak sigurie, i cili duhet të jetë, më e pakta, aq i rreptë sa ai që kryhet për të mundësuar aksesin në informacione të brendshme shtetërore të klasifikuara të një shkalle të krahasueshme të ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar.

(4) Aksesi në Informacionet e Klasifikuara të nivelit të ruajtjes VS VERTRAULICH/KONFIDENCIAL dhe më lart i një personi me shtetësi të vetme të njërës Palë Kontraktuese mundësohet pa miratimin paraprak të Palës Kontraktuese të Origjinës.

(5) Kontrollet e sigurisë te shtetasit e Palës Kontraktore, të cilët janë me rezidencë në vendin e vet dhe kanë nevojë atje për akses në Informacione të Klasifikuara, ndërmerren nga organet e Sigurisë Kombëtare përkatësisht prej autoriteteve të ngarkuara të sigurisë ose prej autoriteteve të tjera kompetente.

(6) Kontrollet e sigurisë të shtetasve të njërës Palë Kontraktuese, të cilët janë me rezidencë të ligjshme në vendin e Palës tjetër Kontraktuese dhe që aplikojnë atje për një veprimtari që kërkon akses tek Informacioni i Klasifikuar, kryhen nga autoriteti kompetent i sigurisë i këtij shteti, e paralelisht me këtë, në rast nevoje merren informacione sigurie nga jashtë.

(7) Palët Kontraktuese kujdesen brenda territorit të shtetit të tyre për kryerjen e inspektimeve të nevojshme të sigurisë dhe respektimin e kësaj marrëveshjeje.

(8) Për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara të nivelit VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR, nenet 5 dhe 6 të kësaj marrëveshjeje nuk gjejnë zbatim

 

Neni 5
Dhënia e porosisë lidhur me Informacion të Klasifikuar

(1) Para dhënies së një porosie lidhur me Informacion të Klasifikuar, Pala Kontraktuese merr përmes autoritetit te saj kompetent, prej autoritetit kompetent për Palës tjetër Kontraktuese, një dokument sigurie, në mënyrë që të sigurohet, që kontraktuesi i planifikuar i nënshtrohet mbikëqyrjes për ruajtjen e Informacionit të Klasifikuar nga autoriteti kompetent i vendit të tij dhe që të sigurohet që ai i ka marrë masat e nevojshme të ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar për të zbatuar kontraten. Për rastin kur për një kontraktues nuk zbatohet ende përkujdesja për ruajtjen e Informacionit të Klasifikuar, mund të bëhet kërkesë përkatëse.

(2) Një dokument sigurie duhet marrë edhe në ato raste, kur një sipërmarrjeje i kërkohet dhënia e një oferte dhe në kuadër të proçedurës së tenderimit duhen përcjellë, që para dhënies së kontratës, Informacione të Klasifikuara.

(3) Në rastet e paragrafëve 1 dhe 2 gjen zbatim kjo procedurë:

1. Kërkesat për lëshimin e një dokumenti sigurie për kontraktues nga shteti i Palës tjetër Kontraktuese përmbajnë të dhëna për projektin, si dhe mënyrën, përmasat dhe nivelin e ruajtjes së Informacioneve të Klasifikuara, të cilat parashikohet t'i lihen për përdorim kontraktuesit ose që krijohen te ai.

2. Dokumentet e sigurisë, krahas përshkrimit të plotë të ndërmarrjes, adresës së saj postare, emrit të personit përgjegjës për çështjet e sigurisë, numrin e telefonit dhe faksit dhe në rast nevoje edhe adresën e e-mailit, duhet të përmbajë të dhëna veçanërisht për atë, se në ç'masë si dhe deri në cilin nivel të klasifikimit të informacionit janë marrë masat e sigurimit nga ndërmarrja respektive në bazë të rregullave të brendshme për ruajtjen e sekretit.

3. Autoritetet kompetente të Palëve Kontraktuese njoftojnë njëra-tjetrën nëse ndryshon gjendja faktike mbi të cilat lëshohen dokumentet e sigurisë.

4. Shkëmbimi i këtyre njoftimeve midis Autoriteteve Kompetente të Palëve Kontraktuese kryhet në gjuhën e vendit të autoritetit që duhet të marrë njoftimet ose në gjuhën angleze.

5. Dokumentet e sigurisë dhe kërkesat për lëshimin e dokumenteve të sigurisë drejtuar autoriteteve kompetente të Palëve Kontraktuese duhet të transmetohen me shkrim.

Neni 6
Zbatimi i porosive lidhur me Informacion të Klasifikuar

(1) Porositë lidhur me Informacion të Klasifikuar duhet të përmbajnë një klauzolë të ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar, sipas së cilës kontraktuesi ka detyrimin që të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuar në përputhje me rregullat e brendshme për ruajtjen e sekretit.

(2) Klauzola e ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar duhet të përfshijë edhe këto përcaktime:

1. përkufizimin e konceptit "Informacione të Klasifikuara" dhe të shenjëzimeve të krahasueshme të ruajtjes së Informacionit të Klasifikuar dhe i nivelit të ruajtjes së informacionit i të dyja palëve kontraktuese në përputhje me këtë marrëveshje;

2. emrat e autoriteteve përkatëse kompetente të Palëve Kontraktuese, të cilat janë të autorizuara të japin aprovimin për dhënien dhe koordinimin e mbrojtjes së Informacioneve të Klasifikuara, që kanë lidhje me porosinë;

3. kanalet që përdoren për transmetimin e Informacioneve të Klasifikuara ndërmjet autoriteteve kompetente dhe kontraktuesve pjesëmarrës;

4. proçedurat dhe mekanizmat për njoftimin e ndryshimeve, të cilat mund të rezultojnë në lidhje me Informacionet e Klasifikuara për shkak të ndryshimeve të shenjëzimeve të mbajtjes sekret ose për shkak të skadimit të nevojës për t'i mbrojtur më tej;

5. procedurat për aprovimin e vizitave reciproke ose të aksesit të personelit të kontraktuesve;

6. procedurat për transmetimin e Informacioneve të Klasifikuara tek kontraktuesit, të cilët parashikohen të përdorin dhe ruajnë informacionet në fjalë;

7. kërkesën që kontraktuesi t'ja mundësojë aksesin tek Informacioni i Klasifikuar vetëm një personi, i cili plotëson kushtin "Njohuri vetëm në rast nevoje" dhe që është i ngarkuar me kryerjen e kontratës ose kontribuon në të, kur personi është verifikuar paraprakisht nga aspekti i sigurisë deri në nivelin përkatës të mbajtjës së sekretit, me përjashtim të rastit të Informacioneve të Klasifikuara ne nivelin VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR;

8. kërkesën, që një të treti mund t`i jepet akses tek Informacioni i Klasifikuar ose që përcjellja e këtij Informacioni të Klasifikuar mund të lejohet vetëm atëherë kur kjo është aprovuar nga qeveria që ka nxjerrë këtë informacion;

9. kërkesën, që kontraktuesi duhet të informojë menjëherë autoritetin e tij kompetent për çdo humbje të ndodhur ose të dyshuar, për një indiskrecion të kryer ose të dyshuar ose për një publikim të paautorizuar të Informacioneve të Klasifikuara, që kanë lidhje me porosinë.

(3) Autoriteti kompetent i porosidhënësit duhet t'i sigurojë Kontraktuesit të Palës tjetër një listë të veçante të të gjithë informacioneve që duhet të klasifikohen, të përcaktojë nivelin e kërkuar të klasifikimit dhe të bashkëlidhë këtë listë si shtojcë të porosisë lidhur me Informacion të Klasifikuar. Gjithashtu, autoriteti kompetent i porosidhënësit duhet ta transmetojë këtë listë ose të kujdeset per transmetimin e saj autoritetit kompetent të kontraktuesit.

(4) Autoriteti kompetent i porosidhënësit duhet të sigurojë që kontraktuesi të ketë akses në Informacionin e Klasifikuar, vetëm kur është lëshuar dokumenti përkatës i sigurise nga autoriteti kompetent i kontraktuesit.

 

Neni 7
Transmetimi i Informacioneve të Klasifikuara

(1) Informacionet e klasifikuara të nivelit STRENG GEHEIM/TEPËR SEKRET duhet të transmetohen midis Palëve Kontraktuese vetëm me korrier diplomatik nga një shtet për në shtetin tjetër në përputhje me rregullat e brendshme për ruajtjen e sekretit.

(2) Informacionet e klasifikuara të nivelit VS VERTRAULICH/KONFIDENCIAL dhe GEHEIM/SEKRET transportohen nga një shtet për në shtetin tjetër me korrier zyrtar. Organet e Sigurisë Kombëtare përkatësisht autoritetet e ngarkuara të Sigurisë të palëve kontraktuese mund të bien dakord për kanale alternative transmetimi. Marrja në dorëzim e një Informacioni të Klasifikuar konfirmohet nga autoriteti kompetent ose me porosi të tij.

(3) Kur bëhet fjalë për një projekt të përcaktuar, autoritetet kompetente - në mënyrë të përgjithshme ose duke vendosur përkufizime - mund të bien dakord që Informacionet e Klasifikuara në nivelin VS VERTRAULICH/KONFIDENCIAL dhe GEHEIM/SEKRET të mos transportohen me korrier zyrtar, por në një mënyrë tjetër, në qoftë se përdorimi i korrierit zyrtar do të paraqiste vështirësi të paparashikueshme për transportim ose për kryerjen e porosisë. Në raste të tilla:

1. transportuesi duhet të jetë i pajisur me një autorizim të nivelit të Informacionit të Klasifikuar që ai transporton;

2. lista e Informacioneve të Klasifikuara të transmetuara duhet të qëndrojë te Pala Dërguese; një kopje e kësaj liste duhet t'i jepet marrësit për t'ia përcjellë autoritetit kompetent;

3. informacionet e klasifikuara duhet të jenë të paketuara sipas rregullave në fuqi për transportin brenda vendit;

4. dorëzimi i informacioneve të klasifikuara duhet të bëhet kundrejt një dëftese për marrjen në dorëzim;

5. transportuesi duhet të mbajë me vete dokumentin e korrierit, të cilin e kanë lëshuar autoritetet kompetente për institucionin dërgues ose marrës.

(4) Për transportimin e një sasie të madhe Informacionesh të Klasifikuara, transporti, mënyra e transportimit dhe shoqërimi mbrojtës duhet të përcaktohen për çdo rast të veçantë nga autoritetet kompetente në bazë të një plani të detajuar transporti.

(5) Informacionet e Klasifikuara të nivelit VS VERTRAULICH/
KONFIDENCIAL dhe më lart nuk lejohet të transmetohen të pashifruar në rrugë elektronike. Për shifrimin e Informacioneve të Klasifikuara të këtij niveli duhet të përdoren vetëm sisteme shifrimi, të lejuara nga autoritetet e sigurisë të Palëve Kontraktuese me miratim të ndërsjelltë.

(6) Informacionet e Klasifikuara të nivelit VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR mund të transmetohen vetëm duke mbajtur parasysh rregullat e brendshme për ruajtjen e sekretit tek marrësi në territorin e shtetit të Palës tjetër Kontraktuese nëpërmjet postës ose sherbimeve të tjera të shpërndarjes.

(7) Informacionet e Klasifikuara të nivelit VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR mund të transmetohen ose të hapen në rrugë elektronike me anë të paisjeve që mund të blihen në treg dhe që janë të miratuara nga një autoritet kompetent shtetëror i Palëve Kontraktuese. Një transmetim i pashifruar i Informacioneve të Klasifikuara të këtij niveli lejohet vetëm atëherë kur ai nuk pengohet nga rregullat e brendshme për ruajtjen e sekretit, kur nuk është në dispozicion një sistem i aprovuar shifrimi dhe kur transmetimi bëhet vetëm nëpërmjet sistemeve të telefonisë fikse dhe kur dërguesi e marrësi kanë rënë dakord më parë për këtë transmetim.

Neni 8
Vizitat

(1) Vizitorëve nga territori i shtetit të njërës Palë Kontraktuese u mundësohet aksesi në Informacionet e Klasifikuara si dhe institucionet, në të cilat punohet për to, në territorin e shtetit të Palës Kontraktuese, vetëm me autorizim paraprak të autoritetit kompetent të Palës Kontraktuese që vizitohet. Ai u jepet vetëm personave, që plotësojnë kushtin "Njohuri vetëm në rast nevoje" dhe që - me përjashtim të rastit të Informacioneve të Klasifikuara në nivelin VS NUR FÜR DEN DIENSTGEBRAUCH/I KUFIZUAR - janë të autorizuar të kenë akses në Informacionet e Klasifikuara.

(2) Njoftimet për vizita duhet t'i paraqiten autoritetit kompetent të kësaj Pale Kontraktuese në kohën e duhur dhe në përputhje me rregullat e Palës Kontraktuese, në territorin e shtetit të së cilës dëshirojnë të udhëtojnë vizitorët. Autoritetet kompetente i njoftojnë njëri-tjetrit hollësitë e njoftimit të vizitës dhe garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale.

(3) Njoftimet për vizita duhet të paraqiten në gjuhën e vendit që do të vizitohet ose në gjuhën angleze dhe me këto të dhëna:

1. Emri dhe mbiemri, datëlindja dhe vendlindja si dhe numri i pasaportës ose i letërnjoftimit të vizitorit;

2. Shtetësia e vizitorit;

3. Përshkrimi i funksionit të vizitorit dhe emri i autoritetit ose i instancës që ai përfaqëson;

4. Niveli i autorizimit të vizitorit për akses në Informacione të Klasifikuara;

5. Qëllimi i vizitës dhe data e parashikuar e vizitës;

6. Të dhëna për instancat, personat e kontaktit dhe institucionet që kërkohen të vizitohen.

Neni 9
Konsultime

(1) Autoritetet kompetente të Palëve Kontraktuese marrin në konsideratë rregullat për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara, të cilat vlejnë në territorin e secilës Pale tjetër Kontraktuese.

(2) Për të garantuar një bashkëpunim të ngushtë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, autoritetet kompetente konsultohen me njëri-tjetrin me kërkesë të njërit prej këtyre autoriteteve.

Çdo palë kontraktuese i jep lejen Organit e Sigurisë Kombëtare përkatësisht autoritetit të ngarkuar të sigurisë të Palës tjetër Kontraktuese ose çdo autoriteti publik të përcaktuar me miratim reciprok, për të bërë vizita në territorin e saj, për të sqaruar me autoritetet e saj të Sigurisë metodat dhe pajisjet e saj për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara, të cilat i janë vënë asaj në dispozicion nga pala tjetër kontraktuese. Çdo Palë Kontraktuese e mbështet këtë autoritet lidhur me konstatimin, nëse Informacione të tilla të Klasifikuara, të cilat i janë vënë asaj në dispozicion nga Pala tjetër Kontraktuese, mbrohen në një masë të mjaftueshme. Hollësitë e vizitave përcaktohen nga autoritetet kompetente.

Neni 10
Shkeljet e dispozitave të mbrojtjes reciproke të Informacioneve të Klasifikuara

(1) Kur nuk mund të përjashtohet një publikim i paautorizuar i Informacioneve të Klasifikuara, kur kjo dyshohet ose konstatohet, duhet të njoftohet menjëherë Pala tjetër Kontraktuese.

(2) Shkeljet e dispozitave për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara hetohen dhe ndiqen nga autoritetet kompetente dhe gjykatat e Palës Kontraktuese, të cilët kanë kompetencën, në bazë të ligjeve të kësaj Pale Kontraktuese. Pala tjetër Kontraktuese duhet t'i mbështesë këto hetime nëse i kërkohet dhe duhet të informohet për rezultatin.

Neni 11
Shpenzimet

Secila nga Palët Kontraktuese i mbulon vetë shpenzimet që i shkaktohen nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Neni 12
Autoritetet kompetente

Palët kontraktuese informojnë njëra-tjetrën mbi autoritetet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Neni 11
Shkeljet e sigurisë

1. Në rast se një shkelje e rregullave të sigurimit rezulton në kompromentimin e sigurt apo të dyshuar të     informacionit të klasifikuar të marrë nga Pala tjetër, Autoriteti Kompetent i Sigurisë i shtetit ku ndodhi     kompromentimi do të informojë Autoritetin Kompetent të Sigurisë së Palës tjetër sa më shpejt të jetë e     mundur dhe do të bëjë hetimet përkatëse. Pala tjetër, nëse kërkohet, do të bashkëpunojë për hetimin.
2. Në rast se kompromentimi ndodh në një shtet tjetër jo palë, Autoriteti Kompetent i Sigurisë së Palës dërguese     do të ndërmarrë veprimet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Pala tjetër do të informohet për rezultatet e hetimit dhe do t'i sigurohet një raport përfundimtar si për arsyet e     ngjarjes ashtu edhe për shkallën e dëmtimit.

 

Neni 12
Shpenzimet

Çdo Palë do të mbulojë vetë shpenzimet që do të bëjë ajo vetë në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Neni 13
Raporti me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me memorandumet e mirëkuptimit

Të gjitha marrëveshjet dhe ujditë që ekzistojnë midis Palëve Kontraktuese ose autoriteteve kompetente për mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara nuk preken nga kjo marrëveshje, për aq kohë sa ato nuk janë në kundërshtim me këtë marrëveshje.

Neni 14
Dispozitat e fundit

(1) Kjo marrëveshje hyn në fuqi në ditën, kur Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë njofton me anë të një note verbale Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë se janë plotësuar kushtet e brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Përcaktuese është data e mbërritjes së njoftimit me notë verbale.

(2) Kjo marrëveshje lidhet për një afat të pakufizuar kohor.

(3) Kjo marrëveshje mund të ndryshohet pas miratimit me shkrim të të dyja Palëve Kontraktuese. Secila nga Palët Kontraktuese mund të paraqesë në çdo kohë me shkrim kërkesën për ndryshimin e kësaj marrëveshjeje. Kur njëra nga Palët Kontraktuese paraqet një kërkesë të tillë, Palët Pontraktuese nisin negociata për ndryshimin e marrëveshjes.

(4) Secila nga Palët Kontraktuese mund ta anulojë këtë marrëveshje me shkrim në rrugë diplomatike brenda një afati gjashtëmujor. Në rastin e anulimit të kësaj marrëveshjeje, Informacionet e Klasifikuara të transmetuara ose të krijuara te kontraktuesi duhet të trajtohen edhe më tej në përputhje me Nenin 4.

(5) Regjistrimi i kësaj marrëveshjeje te Sekretariati i Kombeve të Bashkuara në bazë të Nenit 102 të Kartës së Kombeve të Bashkuara organizohet menjëherë pas hyrjes së saj në fuqi nga Republika e Shqipërisë. Pala tjetër Kontraktuese informohet duke i njoftuar Numrin e Regjistrimit të OKB së që regjistrimi është kryer, menjëherë pasi ky është konfirmuar nga Sekretariati i Kombeve të Bashkuara.

 

Bërë në Tiranë, më 18.9.2008 në dy kopje origjinale, secila në gjuhën shqipe dhe gjermane, duke pasur secili tekst fuqi të barabartë.

Për Këshillin e Ministrave të
Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e Republikës
Federale të Gjermanisë