MARREVESHJE ME FRANCEN

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPERISË
DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FRANCËS
NË LIDHJE ME
SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Qeveria e Republikës Franceze, Këtu të quajtura “Palët”,

Me dëshirën për të siguruar mbrojtjen e informacionit dhe materialeve të klasifikuara të shkëmbyera ose të prodhuara ndërmjet dy Shteteve ose ndërmjet institucioneve publike ose private, të cilat i nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të tyre kombëtare përkatëse,

Kanë rënë dakord për përcaktimet e mëposhtme
NENI 1
PERKUFIZIMET

Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje:

    1. "Informacion i Klasifikuar” është informacioni, dokumentet dhe materialet, pavarësisht nga forma, natyra ose mënyra e transmetimit të tyre, të përgatitura ose që përgatiten, për të cilat është caktuar një shkallë klasifikimi ose nivel sensitiviteti dhe që, në interes të sigurisë kombëtare dhe në pajtim me ligjet dhe rregulloret kombëtare të Palëve, kërkon mbrojtjen ndaj çdo shkeljeje, shkatërrimi, përvetësimi, përhapjeje, humbjeje ose aksesi nga ndonjë individ i paautorizuar ose një lloj tjetër kompromentimi.

2. "Autoritet i Sigurisë Kombëtare” (ASK) është autoriteti i brendshëm, përgjegjës për kontrollin e përgjithshëm dhe zbatimin e kësaj Marrëveshjeje për secilën prej Palëve.

3. "Autoritete Kompetente të Sigurisë” (AKS) është çdo Autoritet i Emëruar për Sigurinë (AES) ose çdo autoritet tjetër kompetent i autorizuar në pajtim me ligjet dhe rregulloret kombëtare të Palëve që është përgjegjës për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje sipas fushave përkatëse.

4. "Kontratë e Klasifikuar" është një kontratë, një nën-kontratë ose projekt, përgatitja ose zbatimi i të cilit kërkon akses në Informacionin e Klasifikuar ose përdorimin dhe prodhimin e Informacionit të Klasifikuar.

5. "Palë Kontraktuese" është çdo individ ose subjekt juridik që ka zotësinë ligjore për të negociuar dhe lidhur Kontrata të Klasifikuara.

6. "Pala e Origjinës", është Pala, duke përfshirë çdo institucion publik ose privat i cili i nënshtrohet ligjeve dhe rregullave të saj kombëtare, që lëshon ose jep Informacion të Klasifikuar për Palën tjetër.

7. "Pala Marrëse" është Pala, duke përfshirë çdo institucion publik ose privat i cili i nënshtrohet ligjeve dhe rregullave të saj kombëtare, të cilit/të cilës i transmetohet Informacion i Klasifikuar.

8. “Palë e Tretë” është çdo Shtet, duke përfshirë subjektet juridike ose individët nën juridiksionin e tij ose organizatë ndërkombëtare që nuk është palë në këtë Marrëveshje.

9. "Pala Pritëse" është Pala në territorin e së cilës zhvillohet një vizitë.

10. "Nevojë për njohje” është nevoja për të pasur akses në Informacionin e Klasifikuar në kuadrin e një pozicioni të caktuar zyrtar dhe me qëllim përmbushjen e një detyre specifike.

NENI 2
Fusha e zbatimitAUTORITETET KOMPETENTE TE SIGURIMIT

kjo Marrëveshje përcakton rregullat e përgjithshme të sigurisë që zbatohen për çdo shkëmbim të Informacionit të Klasifikuar ndërmjet Palëve ose ndërmjet institucioneve të tyre publike ose private të cilat i nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të tyre kombëtare.

NENI 3
Autoritetet e Sigurisë Kombëtare

Autoriteti i Sigurisë Kombëtare për secilën Palë është:

Për Republikën e Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK)
Këshilli i Ministrave
Bul. “Dëshmorët e Kombit”
Tiranë

Për Republikën Franceze:
Secrétariat général de la défense et de la sécurité nationale (S.G.D.S.N.)
51, bd de La Tour-Maubourg
75700 PARIS 07 SP

Palët informojnë njëra-tjetrën për çdo ndryshim në lidhje me Autoritetin e tyre të Sigurisë Kombëtare si dhe Autoritetet e tyre Kompetente të Sigurisë.

NENI 4
Parimet e Sigurisë

    1. Në pajtim me ligjet dhe rregulloret e tyre kombëtare përkatëse, Palët marrin masat përkatëse për të mbrojtur Informacionin e Klasifikuar të transmetuar, marrë ose krijuar në bazë të përcaktimeve të kësaj Marrëveshjeje dhe i jep atij informacioni një nivel mbrojtjeje të barasvlershëm me atë që i është dhënë Informacionit të Klasifikuar të vet të brendshëm, sipas përcaktimit në Nenin 5, paragrafi 5.1.

    2. Pala Marrëse i vendos Informacionit të Klasifikuar të marrë nga Pala e Origjinës klasifikimin e vet të brendshëm, në pajtim me barasvlershmërinë përcaktuar në Nenin 5, paragrafi 5.1.

    3. Aksesi në Informacionin e Klasifikuar u rezervohet rigorozisht qytetarëve të Palëve që janë pajisur me çertifikatë të përshtatshme dhe detyrat e të cilëve e kanë të rëndësishme aksesin në atë informacion mbi bazën e Nevojës për Njohje.

    4. Pala Marrëse nuk e ul nivelin apo deklasifikon Informacionin e Klasifikuar të transmetuar pa pëlqimin paraprak me shkrim të Palës së Origjinës.

    5. Palët informojnë menjëherë njëra-tjetrën për çdo ndryshim që ndikon në mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, të shkëmbyer ose të prodhuar në bazë të kësaj Marrëveshjeje.

    6. Informacioni i Klasifikuar i transmetuar nuk mund të përdoret për qëllime ndryshme nga ato për të cilat është transmetuar.

    7. Palët sigurojnë që të respektohet çdo kërkesë që lind nga ligjet dhe rregulloret e tyre kombëtare të sigurisë në lidhje me sigurinë e agjencive, zyrave dhe strukturave nën juridiksionin e tyre, në veçanti nëpërmjet inspektimeve.

NENI 5
Klasifikimet dhe Barasvlefshmëria e sigurisë

    1. Palët marrin përsipër të mbrojnë Informacionin e Klasifikuar të shkëmbyer dhe miratojnë barasvlershmërinë e niveleve të klasifikimit të sigurisë të përcaktuar në tabelën e mëposhtme:

SHQIPËRI
FRANCË
TEPËR SEKRET
TRES SECRET DEFENSE
SEKRET
SECRET DEFENSE
KONFIDENCIAL
CONFIDENTIEL DEFENSE
I KUFIZUAR
(shih paragrafët 5.2 dhe 5.3 më poshtë)

    2. Republika Franceze përpunon dhe mbron informacionin e shënuar "I KUFIZUAR" të transmetuar nga Republika e Shqipërisë në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj kombëtare në fuqi në lidhje me informacionin e mbrojtur por të paklasifikuar, si "DIFFUSION RESTREINTE".

    3. Republika e Shqipërisë përpunon dhe mbron informacionin e paklasifikuar por të shënuar si të mbrojtur, si "DIFFUSION RESTREINTE" të transmetuar nga Republika Franceze në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj kombëtare në fuqi në lidhje me mbrojtjen e informacionit “I KUFIZUAR”.

    4. ASK-të ose AKS-të informojnë njëra-tjetrën për çdo klasifikim të ri sigurie ose ndryshim klasifikimi lidhur me informacionin që mund të shkëmbehet ose prodhohet në bazë të kësaj Marrëveshjeje.

    5. Për shkaqe të sigurisë specifike, nëse Pala e Origjinës kërkon që aksesi në Informacionin e Klasifikuar të kufizohet për personat që kanë ekskluzivisht shtetësinë e Palëve, ky informacion do të mbajë shënimin shtesë “SPECIAL FRANCE – ALBANIA”.

    6. Me qëllim që të ruhen standardet e barasvlershme të sigurisë, me kërkesë të njërës prej Palëve, secila Palë jep të gjithë informacionin e kërkuar në lidhje me ligjet, rregulloret dhe procedurat kombëtare të sigurisë që zbatohen për të siguruar sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Secila Palë bie dakord të lehtësojë kontaktet ndërmjet ASK-ve dhe AKS-ve të tyre përkatëse.

NENI 6
Procedura e certifikimit të sigurisë

    1. Për akses në informacionin e klasifikuar KONFIDENCIAL / CONFIDENTIEL DEFENSE ose në një nivel më të lartë, secila Palë zbaton një procedurë të çertifikimit të sigurisë në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj kombëtare.

    2. Për çertifikatën e sigurisë së një qytetari të një prej Palëve që ka qëndruar ose që vazhdon të jetë në territorin e Palës tjetër, ASK-ja ose AKS-ja e secilës prej Palëve ndihmojnë njëra-tjetrën në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj kombëtare.

    3. Palët njohin reciprokisht çertifikatat e sigurisë të lëshuara për qytetarët e tyre në kuadër të aksesit në Informacionin e Klasifikuar.

    4. Nëse ASK-ja ose AKS-ja e një prej Palëve është e mendimit që një shoqëri e regjistruar në territorin e saj kombëtar është në pronësi ose kontrollohet nga një Shtet i tretë, qëllimet e të cilit nuk janë në pajtueshmëri me interesat e saj, asaj shoqërie nuk i lëshohet çertifikatë sigurie. Për rrjedhojë, ASK-të ose AKS-të e Palëve që kanë kërkuar çertifikatë sigurie për një strukturë njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur.

    5. ASK-të ose AKS-të njoftojnë njëra-tjetrën për ndryshimet që ndikojnë mbi çertifikatat e sigurisë të qytetarëve të tyre në bazë të kësaj Marrëveshjeje, veçanërisht, në rastin e tërheqjes së çertifikatës ose uljes së nivelit të saj.

NENI 7
Përdorimi i Informacionit të Klasifikuar

    1. Pala Marrëse nuk mund të përhapë Informacionin e Klasifikuar të shkëmbyer ose përgatitur sipas kësaj Marrëveshjeje një Pale të tretë, pa pëlqimin paraprak me shkrim të ASK-së ose AKS-ve të Palës së Origjinës.

    2. Informacioni i Klasifikuar i përgatitur së bashku nga Palët sipas marrëveshjeve, kontratave ose në kuadër të një aktiviteti të përbashkët nuk mund të ulet në nivel sigurie, de-klasifikohet ose t’i dërgohet një Palë të Tretë pa pëlqimin paraprak me shkrim të Palës tjetër.

    Para transmetimit të një Informacioni të Klasifikuar të marrë nga Pala e Origjinës tek Palët Kontraktuese, ASK-ja ose AKS-të e Palës Marrëse duhet:

a) të sigurojnë që Palët Kontraktuese dhe strukturat e tyre janë në gjendje të japin mbrojtje të përshtatshme për Informacionin e Klasifikuar;

b) të japin nivelin e përshtatshëm të çertifikimit për strukturat e Palëve përkatëse Kontraktuese;

c) të japin nivelin e përshtatshëm të çertifikatës për individët në pajtim me parimin “Nevojë për njohje”;

d) të sigurojnë që të gjithë individët që kanë akses në Informacionin e Klasifikuar janë instruktuar në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që rrjedhin nga ligjet dhe rregulloret e zbatueshme të kombëtare.

e) të kryejnë kontrollet e sigurisë të strukturave përkatëse.

NENI 8
Përkthimi, Riprodhimi dhe Shkatërrimi

    1. Pala Marrëse i shënon riprodhimet dhe përkthimet e bëra si origjinalet dhe u jep atyre të njëjtën mbrojtje.

    2. Informacioni i klasifikuar TEPËR SEKRET / TRES SECRET DEFENSE as nuk riprodhohet as nuk përkthehet. Dokumente origjinale dhe përkthime shtesë mund të jepen pas kërkesës me shkrim drejtuar Palës së Origjinës.

    3. Informacioni i klasifikuar TEPËR SEKRET / TRES SECRET DEFENSE nuk duhet të shkatërrohet, përveç kur shkatërrimi është i autorizuar shprehimisht nga Pala e Origjinës. Ai i kthehet Palës së Origjinës në pajtim me paragrafët 9.1 ose 9.2 më poshtë, pasi të jetë njohur më tej i panevojshëm ose me skadimin e vlefshmërisë së tij.

    4. Përkthimi dhe riprodhimi i informacionit të klasifikuar SEKRET / SECRET DEFENSE autorizohet vetëm me pëlqimin me shkrim të ASK-së ose AKS-ve së Palës së Origjinës.

    5. Informacioni i Klasifikuar shkatërrohet në mënyrë të tillë që të jetë e pamundur për ta rindërtuar atë plotësisht ose pjesërisht.

    6. Në situata krizash kur bëhet e pamundur të mbrohet dhe kthehet Informacioni i Klasifikuar i gjeneruar ose i dhënë në pajtim me këtë Marrëveshje, Informacioni i Klasifikuar shkatërrohet menjëherë. ASK-ja e Palës Marrëse njofton ASK-në e Palës së Origjinës në lidhje me shkatërrimin e Informacionit të Klasifikuar sa më shpejt të jetë e mundur.

NENI 9
Transmetimi i Informacionit ndërmjet Palëve

    1. Informacioni i klasifikuar dërgohet nga njëra Palë tek tjetra nëpërmjet kanaleve diplomatike në pajtim me ligjet dhe rregulloret kombëtare të Palës së Origjinës.

    2. ASK-të ose AKS-të, me marrëveshje të përbashkët, mund të bien dakord që Informacioni i Klasifikuar mund të dërgohet me mjete të ndryshme nga ato të kanaleve diplomatike nëse kjo metodë transmetimi duket e papërshtatshme ose e vështirë.

    3. Transmetimi duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme:

    a) Korrieri ka çertifikatë të përshtatshme sigurie. Korrieri është një punonjës i përhershëm i shoqërisë dërguese ose marrëse ose i përket administratës dhe ka një çertifikatë sigurie të paktën të nivelit të Informacionit të Klasifikuar që transmetohet;

b) Korrieri ka një certifikatë korrieri të dhënë nga ASK-ja ose AKS-ja e dërguesit ose marrësit;

c) Pala e Origjinës mban një regjistër të Informacionit të Klasifikuar të transmetuar dhe një ekstrakt nga regjistri i jepet Palës Marrëse me kërkesë;

ç) Informacioni i Klasifikuar paketohet dhe vuloset në pajtim me ligjet dhe rregulloret kombëtare të Palës së Origjinës;

d) Marrja e Informacionit të Klasifikuar konfirmohet me shkrim sa më shpejt që të jetë e mundur.

    4. Transmetimi i një sasie të konsiderueshme Informacioni të Klasifikuar organizohet ndërmjet ASK-ve dhe AKS-ve rast pas rasti.

    5. Informacioni i Klasifikuar transmetohet elektronikisht në formë të kriptuar, duke përdorur metodat dhe mjetet kriptografike të pranuara bashkërisht nga ASK-të ose AKS-të përkatëse.

NENI 10
Kontratat e Klasifikuara

    1. ASK-ja ose AKS-të e Palës së Origjinës njoftojnë ASK-në ose AKS-të e Palës Marrëse për çdo Kontratë të Klasifikuar para shkëmbimit të Informacionit të Klasifikuar. Ky njoftim mund të specifikojë nivelin më të lartë të klasifikimit të informacionit të përfshirë në Kontratë.

    2. Pala që ka ndër mend të lidhë ose të autorizojë një prej Palëve të saj Kontraktuese të lidhë një Kontratë të Klasifikuar me një Palë Kontraktuese të Palës tjetër kontrollon nëpërmjet ASK-së ose AKS-ve të kësaj Pale që kjo Palë Kontraktuese ka nivelin e përshtatshëm të çertifikatës për të përmbushur Kontratën. Në mungesë të një çertifikate të tillë, ASK-ja ose AKS-të e Palës Marrëse fillojnë një procedurë çertifikimi në nivelin e përshtatshem.

    3. Para lidhjes së një Kontrate të Klasifikuar me një Palë Kontraktuese e cila ndodhet në juridiksionin e Palës tjetër, apo autorizimit të një prej Palëve të veta Kontraktuese për të lidhur një Kontratë të Klasifikuar në territorin e Palës tjetër, një Pale i jepet së pari garanci me shkrim nga AKS-ja ose ASK-të të Palës tjetër që, Palës Kontraktuese të propozuar i është dhënë një nivel çertifikate të përshtatshme dhe që ajo ka marrë të gjitha masat e përshtatshme të sigurisë që kërkohen për të mbrojtur Informacionin e Klasifikuar.

    4. Për një Kontratë të Klasifikuar, hartohet një shtojcë sigurie. Në këtë shtojcë, ASK-ja ose AKS-të e Palës së Origjinës specifikojnë se çfarë duhet të mbrohet nga Pala Marrëse si dhe nivelin përkatës të zbatueshëm të klasifikimit. Vetëm Pala e Origjinës mund të modifikojë nivelin e klasifikimit të informacionit të përcaktuar në shtojcën e sigurisë.

    5. Të gjitha Kontratat e Klasifikuara përmbajnë informacion në lidhje me udhëzimet e sigurisë si dhe një udhëzim klasifikimi. Këto udhëzime janë në pajtim me ato të dhëna nga ASK-ja ose AKS-të e Palës së Origjinës.

    6. ASK-ja ose AKS-të e Palës së Origjinës i dërgojnë një kopje të shtojcës së sigurisë AKS-së ose ASK-ve të Palës tjetër.

    7. ASK-ja ose AKS-të e Palëve në territorin e të cilave duhet të kryhet puna duhet të sigurojnë, në kuadrin e përmbushjes së Kontratave të Klasifikuara, që të zbatohet dhe ruhet një nivel sigurie, të barasvlershëm me atë të kërkuar për të mbrojtur Kontratat e tyre të Klasifikuara.

    8. Para nënshkrimit të një Kontrate të Klasifikuar me një palë nën-kontraktuese, Pala Kontraktuese autorizohet nga ASK-ja ose AKS-të e veta. Palët nën-kontraktuese respektojnë të njëjtat kushte sigurie si ato të hartuara për Palën Kontraktuese.

NENI 11
Vizitat

11.1 Vizitat në ambientet e një prej Palëve ku një përfaqësues i Palës tjetër ka akses në Informacionin e Klasifikuar ose në vendet ku aksesi në këtë Informacion është drejtpërdrejt i mundur i nënshtrohet autorizimit paraprak me shkrim nga ASK-ja ose AKS-të e Palës pritëse.

11.2 Vizitat tek ambientet e një Pale nga një Palë e Tretë që mundësojnë akses në Informacionin e Klasifikuar të shkëmbyer ose të prodhuar ndërmjet Palëve ose në vendet ku aksesi në këtë Informacion është drejtpërdrejt i mundur i nënshtrohet autorizimit paraprak me shkrim nga ASK-ja ose AKS-të e Palës tjetër.

11.3 Vizitat e përmendura në paragrafin 11.1 dhe 11.2 më sipër kërkojnë që të gjithë vizitorët të kenë çertifikatë të përshtatshme sigurie dhe Nevojë për njohje.

    Kërkesat për vizita kur kërkohet akses për Informacionin e Klasifikuar të nivelit TEPËR SEKRET / TRES SECRET DEFENSE dërgohen nëpërmjet kanaleve diplomatike tek ASK-ja e Palës Pritëse. Kërkesat për vizita kur kërkohet aksesi në Informacionin e Klasifikuar i një niveli më të ulët përpunohen drejtpërdrejt ndërmjet ASK-ve ose AKS-ve përkatëse. Kërkesat dërgohen të paktën tre (3) javë para datës së kërkuar për vizitën.

    4. Kërkesa për vizitë duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:

a) Emrin dhe mbiemrin e vizitorit, datën dhe vendin e lindjes, shtetësinë dhe numrin e pasaportës ose të kartës së identitetit;

b) Punën dhe pozicionin e vizitorit, emrin e strukturës ose institucionit që ka punësuar atë;

Nivelin e çertifikatës së sigurisë së vizitorit, të vërtetuar nga një çertifikatë sigurie që jepet nga ASK-ja ose AKS-ja e Palës kërkuese;

c) Datën e propozuar të vizitës dhe kohëzgjatja e planifikuar;

ç) Qëllimin e vizitës dhe të gjithë informacionin e nevojshëm që specifikon subjektet që do të trajtohen të cilat prekin Informacion të  Klasifikuar dhe nivelet e tij të sigurisë;

d) Emrat e strukturave, ambienteve dhe vendeve që preken nga vizita;

dh) Mbiemrat dhe emrat e individëve që duhet të presin vizitorin;

e) Datën, nënshkrimin dhe vulën zyrtare të ASK-së ose AKS-ve të Palës kërkuese.

    5. Secila Palë mund të kërkojë një autorizim për një vizitë për një periudhë maksimale prej dymbëdhjetë (12) muaj. Nëse një vizitë e caktuar nuk mund të bëhet brenda afatit kohor të parashikuar në autorizim për një vizitë ose nëse kërkohet një shtyrje e periudhës së parashikuar në autorizim për një vizitë, Pala kërkuese mund të kërkojë një autorizim të ri për një vizitë, parashikuar që ajo të bëhet të paktën tre (3) javë para skadimit të autorizimit të tanishëm.

    6. Të gjithë vizitorët respektojnë rregulloret e sigurisë dhe udhëzimet e Palës Pritëse.

    7. Palët mund të përpilojnë një listë të personelit të autorizuar për të kryer disa vizita në lidhje me një projekt, program ose kontratë specifike në pajtim me modalitete standarde të rëna dakord nga ASK-ja ose AKS-të e Palëve. Së pari, këto lista janë të vlefshme për një periudhë prej dymbëdhjetë (12) muajsh dhe me marrëveshje ndërmjet ASK-së ose AKS-ve të Palëve, kjo periudhë vlefshmërie mund të shtyhet për periudha të tjera që nuk kalojnë në total dymbëdhjetë (12) muaj.

    8. Listat e përmendura në paragrafin 11.8 të mësipërm hartohen në pajtim me ligjet dhe rregulloret kombëtare të Palës Pritëse. Sapo këto lista të jenë aprovuar, modalitetet  standarde të çdo vizite specifike mund të përpilohen drejtpërdrejt nga strukturat që do të vizitojnë personat e përmendur në këto lista.

NENI 12
Shkeljet e Sigurisë

12.1 Në rastin e një shkeljeje të rregulloreve kombëtare në lidhje me mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar të transmetuar sipas kësaj Marrëveshjeje, ose ne rastet kur, nuk mund të përjashtohet, prezumohet ose zbulohet, veçanërisht në rastin e humbjes ose të një lloji tjetër komprometimi të pandershëm të dyshuar ose të provuar, ASK-ja ose AKS-të e Palës tjetër njoftohen menjëherë me shkrim.

12.2 Njoftimi duhet të përmbajë detaje të mjaftueshme në mënyrë që Pala e Origjinës të mund të vlerësojë plotësisht pasojat.

12.3 Pala që ka zbuluar ose dyshuar faktet kryen menjëherë një hetim (me ndihmën Palës tjetër, nëse është e nevojshme,), në pajtim me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme kombëtare të Shtetit përkatës. Pala që kryen hetimin informon ASK-në ose AKS-të e Palës tjetër për konstatimet e hetimit, masat e vendosura dhe veprimet korrigjuese të marra sa më shpejt të jetë e mundur.

NENI 13
Shpenzimet

13.1 Në parim, përmbushja e kësaj Marrëveshjeje nuk gjeneron ndonjë kosto të veçantë.

13.2 Të gjitha shpenzimet e shkaktuara nga një Palë për llogari të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje mbulohen vetëm nga kjo Palë.

NENI 14
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

14.1 Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje zgjidhet ekskluzivisht me konsultime ndërmjet palëve, pa thirrur asnjë Palë të tretë apo gjykatë ndërkombëtare.

14.2 Gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjes, Palët marrin përsipër të respektojnë detyrimet e parashikuara në këtë Marrëveshje.

NENI 15
Dispozita të fundit

    1. Kjo Marrëveshje lidhet për një periudhë të pacaktuar. Secila prej Palëve njofton Palën tjetër për përfundimin e procedurave të brendshme në lidhje me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje. Ajo hyn në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas marrjes së njoftimit të fundit.

    2. ASK-ja ose AKS-të e Palëve zhvillojnë konsultime për aspekte specifike teknike në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe mund të përfundojnë çdo instrument të përshtatshëm ligjor ose protokoll të veçantë sigurie për të plotësuar këtë Marrëveshje rast pas rasti.

    3. Secila Palë njofton menjëherë Palën tjetër për çdo ndryshim në ligjet dhe rregulloret e veta kombëtare që mund të kenë efekt mbi mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar sipas kësaj Marrëveshjeje. Në këtë rast, Palët zhvillojnë konsultime me qëllim që të shqyrtojnë çdo ndryshim të mundshëm në këtë Marrëveshje. Ndërkohë, Informacioni i Klasifikuar vazhdon të mbrohet në pajtim me këto dispozita.

    4. Dispozitat e kësaj Marrëveshjeje mund të ndryshohen me marrëveshje të përbashkët me shkrim nga Palët. Këto ndryshime mund të hyjnë në fuqi në pajtim me modalitetet e parashikuara  në paragrafin 15.1.

    5. Kjo Marrëveshje mund të zgjidhet me marrëveshje të përbashkët ose në mënyrë të njëanshme. Njoftimi i zgjidhjes hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas marrjes së njoftimit me shkrim. Njoftimi i zgjidhjes nuk ka ndikim mbi të drejtat dhe detyrimet e Palëve në lidhje me informacionin e shkëmbyer në bazë të kësaj Marrëveshjeje.

NË DËSHMI TË KËSAJ, përfaqësuesit e të dy Palëve, duke qenë rregullisht të autorizuar për këtë qëllim, kanë nënshkruar këtë Marrëveshje dhe e kanë vulosur atë.

Nënshkruar në Tiranë, më  3 Maj 2011 në dy kopje në gjuhët shqipe dhe frënge, ku të dy versionet janë autentikë.

Per Keshillin e Ministrave
te Republikes se Shqiperise .
 Per Qeverine e
Republikes se Frances