MARREVESHJE ME ÇEKINE

LIGJ
Nr.10 246, datë 4.3.2010 PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ÇEKISË PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR”

Në  mbështetje  të  neneve  78,  83  pika  1  dhe  121  të  Kushtetutës,  me  propozimin  e
Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Neni 1

Ratifikohet  “Marrëveshja  ndërmjet  Këshillit të Ministrave  të Republikës së Shqipërisë  dhe Qeverisë  së  Republikës  së Çekisë  për  shkëmbimin dhe  mbrojtjen  e ndërsjellë  të informacionit  të klasifikuar”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6475,  datë 25.3.2010  të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir
Topi.

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ÇEKE, MBI SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Çeke, këtu quhen “Palët”,
me dëshirën për të siguruar  mbrojtjen  e informacionit  të klasifikuar të shkëmbyer  ndërmjet tyre  ose  ndërmjet  subjekteve  juridike  dhe  individëve  nën  juridiksionin  e  shteteve  të  tyre,  duke respektuar reciprokisht interesat dhe sigurinë e tyre kombëtare,  kanë rënë dakord sa më poshtë:

Neni 1
Objekti i marrëveshjes

1. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje  është sigurimi i mbrojtjes së informacionit  të klasifikuar të shkëmbyer ose nxjerrë në kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet palëve ose ndërmjet subjekteve juridike ose individëve nën juridiksionin e shteteve të tyre.
2. Kjo marrëveshje  zbatohet për çdo kontratë ose marrëveshje,  si dhe për çdo bashkëpunim tjetër ndërmjet palëve ose ndërmjet subjekteve juridike ose individëve nën juridiksionin e shteteve të tyre që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar.

Neni 2
Përkufizime

Për qëllimet e kësaj marrëveshjeje:
“Informacion   i  klasifikuar”   është  çdo  informacion   që,  pavarësisht  nga  forma,   kërkon mbrojtjen ndaj deklarimit të paautorizuar, përftimit të padrejtë ose humbjes, dhe është përcaktuar si i tillë në pajtim me legjislacionin vendas të shtetit të njërës palë.
“Kontratë   e  klasifikuar”   është  një  kontratë  që  përmban  ose  ka  të  bëjë  me  aksesin  në informacionin e klasifikuar.
“Pala   e   origjinës”    është   pala,   duke   përfshirë   subjektet   juridike   dhe   individët   nën juridiksionin e shtetit të saj, që jep informacionin e klasifikuar.
“Pala marrëse”  është pala, duke përfshirë subjektet juridike ose individët nën juridiksionin e
shtetit të tij, që merr informacionin e klasifikuar.
“Palë   e   tretë”   është   çdo   shtet,   duke   përfshirë   subjektet   juridike   ose   individët   nën juridiksionin e tij, ose organizatë ndërkombëtare  që nuk është palë në këtë marrëveshje.

Neni 3
Autoritetet kompetente për sigurinë

1.  Autoritetet   kompetente   për   sigurinë   përgjegjëse   për   mbrojtjen   e   informacionit   të klasifikuar,  si dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje  janë:
Në Republikën e Shqipërisë:
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)
Në Republikën Çeke:
Nàrodni beypecnostni ùrad (Autoriteti i Sigurisë Kombëtare)
2. Autoritetet e Sigurisë Kombëtare i japin njëra-tjetrës hollësi të tjera për kontaktet zyrtare.

Neni 4
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Barasvlershmëria  e niveleve të klasifikimit të sigurisë është si më poshtë:

NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
NË REPUBLIKËN ÇEKE
TERMI I BARASVLERSHËM NË ANGLISHT
TEPËR SEKRET
PŘİSNĚ TAJNĖ
TOP SECRET
SEKRET
TAJNĖ
SECRET
KONFIDENCIAL
DŮVĚRNĖ
CONFIDENTIAL
I KUFIZUAR
VYHRAZENĖ
RESTRICTED

 

Neni 5
Aksesi në informacionin e klasifikuar

Aksesi në informacionin  e klasifikuar,  të dhënë në pajtim  me këtë marrëveshje,  kufizohet vetëm në individët  rregullisht  të autorizuar,  në pajtim  me legjislacionin  e brendshëm  të shtetit  të palës përkatëse.

Neni 6
Parimet e sigurisë

1. Pala e origjinës:
a) siguron  që informacioni  i klasifikuar  të dallohet  me shenjat  përkatëse  të klasifikimit  të sigurisë,   në pajtim me legjislacionin vendas të shtetit të saj;
b) informon palën marrëse për çdo kusht për nxjerrjen e informacionit të klasifikuar;
c) informon palën marrëse për çdo ndryshim të mëvonshëm në klasifikim ose deklasifikim.
2. Pala marrëse:
a)  siguron   që  informacioni   i klasifikuar   të  dallohet  me  nivelin  e  barasvlershëm   të klasifikimit të sigurisë, në pajtim me nenin 4 të kësaj marrëveshjeje;
b)  siguron të  njëjtën shkallë  mbrojtjeje  për  informacionin  e klasifikuar  që i jepet informacionit të klasifikuar vendas me nivel të barasvlershëm të klasifikimit të sigurisë;
c)  siguron  që  informacioni  i  klasifikuar   të  mos  deklasifikohet   dhe  të  mos  ndryshojë klasifikimi, përveç kur autorizohet me shkrim nga pala e origjinës;
d)  siguron  që  informacioni  i  klasifikuar të  mos  i  jepet  një  pale  të  tretë  pa  pëlqimin  e mëparshëm me shkrim të palës së origjinës;
e) përdor  informacionin  e klasifikuar  vetëm për qëllimin që është dhënë dhe në pajtim me kërkesat e trajtimit të palës së origjinës.

Neni 7
Bashkëpunimi për sigurinë

1. Me qëllim që të ruhen standarde të krahasueshme për sigurinë,  autoritetet kompetente për sigurinë,   me  kërkesë,   informojnë   njëra-tjetrën   në  lidhje  me  standardet   e  sigurisë   kombëtare, procedurat dhe praktikat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
2.  Autoritetet  e  sigurisë  kombëtare,  me  kërkesë,   në  pajtim  me  legjislacionin  vendas, ndihmojnë njëra-tjetrën  gjatë procedurave  për certifikatën e sigurisë së personelit  dhe certifikatën e sigurisë së strukturave.
3.  Palët   njohin   certifikatat   për   sigurinë   e  personelit   dhe   certifikatat   për   sigurinë   e strukturave,   në  pajtim  me  legjislacionin  e  brendshëm.   Neni  4  i  kësaj  marrëveshjeje  zbatohet përkatësisht.
4.  Autoritetet kompetente  për  sigurinë  njoftojnë  menjëherë  njëra-tjetrën,  në  lidhje  me ndryshimet në certifikatat e njohura për sigurinë e personelit dhe certifikatat e njohura për sigurinë e strukturave.
5. Bashkëpunimi në bazë të kësaj marrëveshjeje realizohet në gjuhën angleze.

Neni 8
Kontratat e klasifikuara

1.  Autoritetet   kompetente   për   sigurinë,   me   kërkesë,   konfirmojnë   që   kontraktorët   e propozuar,   si  dhe  individët  që  marrin  pjesë  në  bisedimet  parakontraktuale   ose  në  zbatimin  e kontratave të klasifikuara të kenë certifikatë të përshtatshme sigurie për personelin ose certifikatë të përshtatshme sigurie për strukturën.
2. Autoritetet  kompetente  për sigurinë  mund të kërkojnë  që të kryhet një inspektim sigurie në një strukturë për të siguruar vazhdimin e përputhjes me legjislacionin e brendshëm,  në lidhje me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
3. Kontratat e klasifikuara përmbajnë udhëzime sigurie programi mbi kërkesat e sigurisë dhe klasifikimit e çdo aspekti ose elementi të kontratës së klasifikuar.  Një kopje e udhëzimeve të sigurisë së programit i transmetohet autoritetit kompetent për sigurinë të shtetit të palës nën juridiksionin e së cilës duhet të zbatohet kontrata e klasifikuar.

Neni 9
Transmetimi i informacionit të klasifikuar

1. Informacioni i klasifikuar transmetohet në pajtim me legjislacionin e brendshëm të shtetit të  palës  së  origjinës  nëpërmjet   kanaleve   diplomatike   ose  ndryshe  siç  bihet  dakord   ndërmjet autoriteteve kompetente për sigurinë.
2.  Pala  marrëse  konfirmon  me  shkrim  marrjen  e  informacionit  të  klasifikuar  të  nivelit
KONFIDENCIAL/DUVERNE/CONFIDENTIAL dhe më lart.
3. Palët mund të transmetojnë informacion të klasifikuar me mjete elektronike, në pajtim me procedurat e sigurisë, të aprovuara nga autoritetet kompetente për sigurinë.

Neni 10
Riprodhimi,  përkthimi dhe asgjësimi i informacionit të klasifikuar

1.   Riprodhimet   dhe   përkthimet    e   informacionit    të   klasifikuar   mbajnë   shënime   të përshtatshme për klasifikimin e sigurisë dhe mbrohen si informacion i klasifikuar origjinal. Numri i riprodhimeve  kufizohet në numrin minimal të nevojshëm.
2.  Përkthimet  mbajnë  një  shënim  në  gjuhën  e  përkthimit,   që  tregon  se  ato  përmbajnë informacion të klasifikuar të palës së origjinës.
3. Informacioni i klasifikuar i shënuar si TEPËR  SEKRET/PRISNE  TAJNE/TOP  SECRET përkthehet ose riprodhohet vetëm me pëlqimin paraprak me shkrim të palës së origjinës.
4. Informacioni i klasifikuar i shënuar si TEPËR SEKRET/PRISNE  TAJNE/ TOP SECRET nuk asgjësohet dhe i kthehet palës së origjinës.
5. Në rastin e një situate krize,  që e bën të pamundur mbrojtjen dhe kthimin e informacionit të  klasifikuar  të  nxjerrë  ose  dhënë  në  pajtim  me  këtë  marrëveshje,   informacioni  i  klasifikuar asgjësohet   menjëherë.   Autoriteti   kompetent   për   sigurinë   e   palës   marrëse   njofton   autoritetin kompetent për sigurinë e palës së origjinës,  në lidhje me asgjësimin e informacionit të klasifikuar sa më shpejt të jetë e mundur.

Neni 11
Vizitat

1. Vizitat që kërkojnë akses në informacionin e klasifikuar marrin paraprakisht pëlqimin me shkrim  të  autoritetit  kompetent  për  sigurinë,  përveç  kur  është  rënë  dakord  ndryshe  nëpërmjet autoriteteve kompetente për sigurinë.
2. Kërkesa  për  vizitë  paraqitet  nëpërmjet  autoriteteve  kompetente  për  sigurinë  të  paktën njëzet ditë para  vizitës.  Në raste  urgjente,  kërkesa  për  vizitë  mund të paraqitet  në një afat më të shkurtër, pas bashkërendimit paraprak nëpërmjet autoriteteve kompetente për sigurinë.
3. Kërkesa për vizitë përfshin:
a)  emrin  dhe  mbiemrin  e  vizitorit,  datën  dhe  vendin  e  lindjes,  shtetësinë  dhe  numrin  e pasaportës-kartës  së identitetit;
b) pozicionin e vizitorit dhe specifikimin e strukturës,  që përfaqëson vizitori;
c) nivelin dhe vlefshmërinë e certifikatës së sigurisë së personelit të vizitorit;
d) datën dhe kohëzgjatjen  e vizitës;  në rastin  e vizitave periodike  përcaktohet  periudha  e përgjithshme e kohës që mbulohet nga vizitat;
e) qëllimin  e vizitës,  duke  përfshirë  nivelin  më  të lartë  të informacionit  të klasifikuar  që përfshihet;
f)  emrin,   adresën,   numrin  e  telefonit-faksit,   adresën  e  postës  elektronike  dhe  pikën  e kontaktit të strukturës që duhet të vizitohet;
g) datën, firmën dhe vulën zyrtare të autoritetit kompetent për sigurinë.
4. Autoritetet  kompetente  për sigurinë mund të bien dakord për një listë vizitorësh që kanë të  drejtën   të  bëjnë  vizita   periodike.   Hollësi   të  mëtejshme   për   vizitat   periodike   janë  objekt bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente për sigurinë.
5. Informacioni  i klasifikuar  i përftuar  nga  një  vizitor  konsiderohet  të  jetë  informacion  i klasifikuar  i dhënë sipas kësaj marrëveshjeje.

Neni 12
Shkelja e sigurisë

1. Palët  informojnë  menjëherë  njëra-tjetrën  me shkrim  për  çdo shkelje  të vërtetuar  ose të dyshuar të sigurisë që rezulton në shkelje, përftim të parregullt ose deklarim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar.
2.  Autoritetet   kompetente  të  palës  pritëse  e  hetojnë  incidentin   pa  vonesë.   Autoritetet kompetente të palës së origjinës,  sipas rastit, bashkëpunojnë në hetim.
3.  Në  çdo  rast,   autoriteti   kompetent   për  sigurinë  i  palës  pritëse  informon  autoritetin kompetent  për  sigurinë  të  palës  së  origjinës,  me  shkrim,  në  lidhje  me  rrethanat  në  të  cilat  ka ndodhur shkelja e sigurisë,  masën e dëmit, masat e marra për zbutjen e tij dhe rezultatin e hetimit.

Neni 13
Shpenzimet

Palët mbulojnë shpenzimet e tyre të shkaktuara gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 14
Interpretimi dhe mosmarrëveshjet

Çdo mosmarrëveshje  në lidhje me interpretimin  ose zbatimin e kësaj marrëveshjeje, zgjidhet me bisedime ndërmjet palëve dhe nuk i paraqitet asnjë gjykate vendase ose ndërkombëtare  apo pale të tretë për zgjidhje.

Neni 15
Dispozita të fundit

1. Kjo marrëveshje përfundohet për një periudhë kohe të pacaktuar.  Kjo marrëveshje hyn në fuqi në ditën e parë të muajit të dytë pas datës së marrjes së njoftimit të fundit ndërmjet palëve, me rrugë diplomatike, që procedurat e brendshme ligjore për  hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje  janë përmbushur.
2. Kjo  marrëveshje  mund  të  ndryshohet  mbi  bazën  e  pëlqimit  reciprok  të  palëve.  Këto ndryshime hyjnë në fuqi në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni.
3. Secila nga palët ka të drejtë ta prishë këtë marrëveshje me shkrim në çdo kohë.  Në një rast të tillë,  vlefshmëria  e kësaj marrëveshjeje  skadon pas gjashtë muajsh pas ditës në të cilën pala tjetër merr njoftimin me shkrim për prishjen.
4. Pavarësisht  nga prishja e kësaj marrëveshjeje,  i gjithë informacioni  i klasifikuar  i dhënë ose nxjerrë  në bazë të kësaj marrëveshjeje,  mbrohet  në pajtim me dispozitat e parashikuara  në të derisa pala e origjinës e liron palën marrëse nga ky detyrim.
5.  Kjo  marrëveshje  nuk  cenon  të  drejtat  dhe  detyrimet  e tjera  të  palëve  që  rrjedhin  nga marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
Si  dëshmi  të  kësaj,  të  poshtëshënuarit,  të  autorizuar  rregullisht  për  këtë  qëllim,  e  kanë nënshkruar këtë marrëveshje.
Bërë në Pragë,  më 19 nëntor 2009 në dy kopje origjinale,  në shqip, çekisht dhe anglisht, ku secili  tekst  është  njëlloj  autentik.  Në  rastin  e  ndryshimit  në  interpretim,  mbizotëron  teksti  në anglisht.

Për Këshillin e Ministrave të
Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e Republikës Çeke