MARREVESHJE ME BULLGARINE

LIGJ
Nr.9909, datë 5.5.2008

PËR RATIFIKIMIN E
"MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BULLGARISË PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË DHE SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR"

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

NENI 1

Ratifikohet "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për mbrojtjen e përbashkët të informacionit të klasifikuar".

NENI 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5727, datë 19.5.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BULLGARISË MBI MBROJTJEN RECIPROKE DHE SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Bullgarisë, më poshtë të referuara si "Palët",
- duke rënë dakord të zhvillojnë bisedime në lidhje me çështjet politike dhe të sigurisë dhe të zgjerojnë dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre politik, ushtarak dhe ekonomik;
- duke qenë të ndërgjegjshëm për ndryshimet në situatën politike në botë dhe duke njohur rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit të tyre reciprok për forcimin e paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe besimit të ndërsjellë;
- duke ditur që bashkëpunimi i mirë mund të kërkojë shkëmbimin e informacionit të klasifikuar ndërmjet Palëve;
- me dëshirën për të vendosur një grup rregullash që të rregullojnë mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar, të zbatueshme për çdo marrëveshje bashkëpunimi dhe kontratat e klasifikuara të ardhshme që do të zbatohen ndërmjet Palëve, që përmbajnë ose përfshijnë informacion të klasifikuar,
kanë rënë dakord si më poshtë.

Neni 1
Përkufizime

Për qëllimin e kësaj Marrëveshjeje:
1. "Informacion i klasifikuar" është informacion në çfarëdolloj forme, natyre ose metode transmetimi, i prodhuar ose në proces prodhimi, të cilit i është caktuar një nivel i klasifikimit të sigurisë dhe që, në interes të sigurisë kombëtare e në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme, kërkon mbrojtje ndaj aksesit të paautorizuar ose shkatërrimit.
2. "Aksesi i paautorizuar i informacionit të klasifikuar" është çdo formë deklarimi e informacionit të klasifikuar, abuzim, dëmtim, dhënie, asgjësim dhe klasifikim i gabuar i tij, si dhe veprime të tjera që rezultojnë në shkeljen e mbrojtjes ose humbjen e këtij informacioni, si dhe çdo veprim ose mosveprim që ka rezultuar në zbulimin e informacionit ndaj personave të paautorizuar.
3. "Dokument i klasifikuar" është çdo formë e informacionit të klasifikuar të regjistruar, pavarësisht nga karakteristikat ose tipin e mjetit regjistrues.
4. "Material i klasifikuar" është çdo dokument i klasifikuar ose mjet teknik, pajisje, instalim, vegël ose armë që është prodhuar ose në proces prodhimi, si dhe pjesët përbërëse që përdoren për prodhimin e tyre, që përmbajnë informacion të klasifikuar.
5. "Niveli i klasifikimit të sigurisë" është kategoria që, në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme, karakterizon rëndësinë e informacionit të klasifikuar, nivelin e kufizimit të mundësimit të marrjes së tij dhe nivelin e mbrojtjes së tij nga Palët dhe gjithashtu kategorinë, mbi bazën e së cilës shënohet informacioni.
6. "Shënimi i klasifikimit" është një shënim në çdo material të klasifikuar, që tregon nivelin e klasifikimit të sigurisë.
7. "Certifikatë sigurie" është një vendim pozitiv që është rezultat i një procedure verifikimi që konfirmon besnikërinë dhe besueshmërinë e një individi ose të një subjekti juridik, si dhe aspekte të tjera të sigurisë, në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme. Një vendim i tillë jep mundësi për t'i lejuar individit ose subjektit juridik të marrë dhe përdorë informacion të klasifikuar në një nivel të caktuar, pa pasur rrezik sigurie.
8. "Pala e origjinës" është pala që transmeton informacion të klasifikuar.
9. "Pala pritëse" është Pala, së cilës i transmetohet informacioni i klasifikuar.
10. "Autoriteti kompetent" është autoriteti që, në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme të Palës përkatëse, zbaton politikën e shtetit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, ushtron kontroll të përgjithshëm në këtë sferë, si dhe kryen zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Këto autoritete renditen në nenin 5 të kësaj Marrëveshjeje.
11. "Kontraktori" është një individ ose një subjekt juridik, që ka tagrin ligjor të përfundojë kontrata të klasifikuara.
12. "Kontratë e klasifikuar" është një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë kontraktorëve, që përmban ose mundëson marrjen e informacionit të klasifikuar.
13. Parimi "Nevojë për njohje" është domosdoshmëria për të pasur mundësinë e marrjes së informacionit të klasifikuar në lidhje me detyrat zyrtare dhe/ose për kryerjen e një detyre zyrtare konkrete.
14. "Palë e tretë" është një organizatë shtetërore ose ndërkombëtare, që nuk është palë në këtë Marrëveshje ose një individ apo subjekt juridik që nuk u nënshtrohet kërkesave të brendshme të mundësimit të marrjes së informacionit të klasifikuar, duke përfshirë parimin e "nevojës për njohje".
15. "Deklasifikim i informacionit" është heqja e nivelit të klasifikimit të sigurisë.
16. "Cenimi i sigurisë" është një veprim ose mosveprim në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme që rezulton ose mund të rezultojë në mundësimin e marrjes së paautorizuar të informacionit të klasifikuar.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është sigurimi i mbrojtjes së informacionit të klasifikuar që gjenerohet bashkërisht ose shkëmbehet ndërmjet Palëve.

Neni 3
Nivelet e klasifikimit të sigurisë

Palët bien dakord që nivelet e mëposhtme të klasifikimit të sigurisë janë ekuivalente dhe përputhen me nivelet e klasifikimit të sigurisë, të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme të palës përkatëse:

Ne Republiken e Shqiperise
Ne Republiken e Bullgarise
Ekuivalenca ne anglisht
TEPER SEKRET
CTPO?O CEKPETHO
TOP SECRET
SEKRET
CEKPETHO
SECRET
KONFIDENCIAL
?OBEP?TE?HO
CONFIDENTIAL
------------------------
3A C?Y?E?HO ?O?3BAHE
RESTRICTED/CONFIDENTIAL

 

Neni 4
Masat e brendshme

1. Në pajtim me ligjet dhe aktet e tyre nënligjore të brendshme, Palët zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që gjenerohet ose shkëmbehet në pajtim me këtë Marrëveshje. I njëjti nivel i mbrojtjes i sigurohet këtij informacioni të klasifikuar që parashikohet edhe për informacionin e klasifikuar të brendshëm me nivelin përkatës të klasifikimit të sigurisë.
2. Palët informojnë njëra-tjetrën në kohën e duhur në lidhje me çdo ndryshim në ligjet dhe aktet ligjore të brendshme që cenojnë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Në këto raste, Palët informojnë njëra-tjetrën në pajtim me paragrafët 3 dhe 4 të nenit 5, me qëllim që të diskutojnë ndryshimet e mundshme në këtë Marrëveshje. Ndërkohë, informacioni i klasifikuar mbrohet në pajtim me dispozitat e Marrëveshjes, nëse nuk bihet dakord ndryshe me shkrim.
3. Asnjë individ nuk ka të drejtë të marrë informacion të klasifikuar vetëm në sajë të gradës, pozicionit zyrtar ose miratimit të sigurisë të tij ose të saj. Marrja e informacionit të klasifikuar u lejohet vetëm atyre individëve që u është lëshuar një miratim sigurie dhe në pajtim me parimin "nevojë për njohje".
4. Pala pritëse është e detyruar:
a) të mos i tregojë informacion të klasifikuar një pale të tretë pa pëlqimin paraprak, me shkrim, të autoritetit kompetent të palës së origjinës;
b) t'i caktojë informacionit të klasifikuar një nivel të klasifikimit të sigurisë të barazvlefshëm me atë që i jepet nga pala e origjinës;
c) të mos përdorë informacion të klasifikuar për qëllime të tjera nga ato për të cilat është dhënë;
d) të garantojë të drejtat private si: të drejtat e patentave, të drejtat e autorit, sekretet tregtare, që janë të përfshira në informacionin e klasifikuar.
5. Nëse një marrëveshje tjetër, që lidhet ndërmjet Palëve, përmban rregulla më rigoroze në lidhje me shkëmbimin ose mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, zbatohen këto rregulla.

 

Neni 5
Autoritetet kompetente

1. Autoritetet kompetente të Palëve janë:
Për Republikën e Shqipërisë:
- Drejtoria për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (Autoritet i Sigurisë Kombëtare).
Për Republikën e Bullgarisë:
- Komisioni Shtetëror për Sigurinë e Informacionit (Autoritet i Sigurisë Kombëtare).
2. Autoritetet kompetente informojnë njëra-tjetrën në lidhje me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme në fuqi, që rregullojnë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
3. Me qëllim që të sigurohet bashkëpunim i ngushtë në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, autoritetet kompetente mund të mbajnë konsultime me kërkesën e bërë nga njëra prej tyre.
4. Me qëllim që të arrihen dhe ruhen standarde të krahasueshme të sigurisë, autoritetet kompetente përkatëse, sipas kërkesës, i japin njëra-tjetrës informacion në lidhje me standardet, procedurat dhe praktikat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të zbatuar nga Palët përkatëse.
5. Autoritetet kompetente përkatëse mund të përfundojnë dokumente ekzekutive në lidhje me këtë Marrëveshje.
6. Shërbimet e sigurisë së Palëve mund të shkëmbejnë dhe kthejnë informacion operativ dhe/ose të fshehtë, drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme.

 

Neni 6
Transmetimi i informacionit të klasifikuar

1. Si rregull, informacioni i klasifikuar transmetohet me anë të kanaleve diplomatike ose ushtarake, ose me mjete të tjera, që përmbushin kërkesat e ligjeve dhe akteve nënligjore të brendshme të Palëve. Pala pritëse konfirmon me shkrim marrjen e informacionit të klasifikuar.
2. Informacioni i klasifikuar mund të transmetohet me anë të sistemeve, rrjeteve të telekomunikimit dhe mjeteve të tjera elektromagnetike, të miratuara nga autoritetet kompetente dhe që janë pajisur me një certifikatë në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme të secilës palë.
3. Mjete të tjera të miratuara të transmetimit të informacionit të klasifikuar mund të përdoren vetëm nëse bihet dakord ndërmjet autoriteteve kompetente.
4. Në rastin e transmetimit të një dërgese të madhe, që përmban informacion të klasifikuar, autoritetet kompetente bihen bashkërisht dakord dhe miratojnë mjetet e transportit, itinerarin dhe masa të tjera të sigurisë.

Neni 7
Përkthimi, riprodhimi, asgjësimi

1. Dokumentet e klasifikuara të shënuara me nivelin e klasifikimit të sigurisë CTPO?O CEKPETHO/TOP SECRET/TEPËR SEKRET përkthehen ose riprodhohen vetëm me leje me shkrim të autoritetit kompetent të palës së origjinës.
2. Të gjitha përkthimet e informacionit të klasifikuar bëhen nga individë që kanë miratimin e përshtatshëm të sigurisë. Këto përkthime mbajnë të njëjtin shënim për klasifikimin e sigurisë.
3. Kur riprodhohet informacioni i klasifikuar, të gjitha shënimet origjinale të sigurisë mbi to riprodhohen ose shënohen në secilën kopje. Ky informacion i riprodhuar i nënshtrohet të njëjtit kontroll si informacioni origjinal. Numri i kopjeve kufizohet në atë që kërkohet për qëllime zyrtare.
4. Materiali i klasifikuar asgjësohet ose modifikohet në atë masë që të parandalohet riprodhimi i tij i plotë ose i pjesshëm.
5. Pala e origjinës mund të ndalojë shprehimisht riprodhimin, ndryshimin ose asgjësimin e një materiali të klasifikuar, duke vënë një shënim në mbajtësin përkatës të informacionit të klasifikuar ose duke dërguar një njoftim të mëvonshëm. Nëse asgjësimi i materialit të klasifikuar ndalohet, ai i kthehet autoritetit kompetent të palës së origjinës.
6. Materiali i klasifikuar me nivelin e klasifikimit të sigurisë CTPO?O CEKPETHO/TOP SECRET/TEPËR SEKRET nuk asgjësohet. Ai i kthehet autoritetit kompetent të palës së origjinës.
7. Në rastin e një situate krize, që e bën të pamundur mbrojtjen dhe kthimin e informacionit të klasifikuar të gjeneruar ose transmetuar në pajtim me këtë Marrëveshje, informacioni i klasifikuar asgjësohet menjëherë. Pala pritëse njofton autoritetin kompetent të palës së origjinës në lidhje me asgjësimin e informacionit të klasifikuar sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Neni 8
Kontratat e klasifikuara

1. Kontratat e klasifikuara përfundohen dhe zbatohen në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme të secilës palë. Sipas kërkesës, autoriteti kompetent i secilës palë jep informacion nëse një kontraktori të propozuar i është dhënë certifikatë sigurie kombëtare, në pajtim me nivelin e kërkuar të klasifikimit të sigurisë. Nëse kontraktori i propozuar nuk ka një certifikatë sigurie, autoriteti kompetent i secilës palë mund të kërkojë që këtij kontraktori t'i jepet një certifikatë sigurie.
2. Një aneks sigurie është pjesë përbërëse e secilës kontratë ose nënkontratë të klasifikuar. Në këtë aneks, kontraktori i palës së origjinës përcakton se cili informacion i klasifikuar i jepet ose gjenerohet nga pala pritëse dhe cili nivel përkatës sigurie i është dhënë këtij informacioni.
3. Detyrimi i kontraktorit për të mbrojtur informacionin e klasifikuar i referohet, të paktën, sa më poshtë:
a) detyrimit që kontraktori do t'ia deklarojë informacionin e klasifikuar vetëm një personi që ka marrë paraprakisht certifikatë sigurie për marrjen njohuri në lidhje me aktivitetet përkatëse të kontratës që ka "nevojë për njohje" dhe që është i punësuar ose i përfshirë në zbatimin e kontratës;
b) mjetit që përdoret për transmetimin e informacionit të klasifikuar;
c) procedurave dhe mekanizmave për komunikimin e ndryshimeve që mund të lindin në lidhje me informacionin e klasifikuar, për shkak të ndryshimeve në nivelin e klasifikimit të sigurisë ose për shkak se mbrojtja nuk është më e nevojshme;
d) procedurës për miratimin e vizitave, hyrjes ose inspektimin nga personeli i një pale në ambientet e palës tjetër që mbulohen nga kontrata;
e) një detyrimi për të njoftuar në kohën e duhur autoritetin kompetent të kontraktorit për çdo marrje të kryer, të tentuar ose të pezulluar të informacionit të klasifikuar të kontratës;
f) përdorimin e informacionit të klasifikuar sipas kontratës vetëm për qëllimet që kanë të bëjnë me objektin e kontratës;
g) respektimin rigoroz të procedurave për asgjësimin e materialeve të klasifikuara;
h) dhënien e informacionit të klasifikuar në bazë të kontratës me një palë të tretë vetëm me pëlqimin me shkrim të autoritetit kompetent të palës së origjinës.
4. Masat e kërkuara për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, si dhe procedura për vlerësimin dhe zhdëmtimin për humbje të mundshme të shkaktuara kontraktorëve nga përfitimi i paautorizuar i informacionit të klasifikuar, përcaktohet më hollësisht në kontratën përkatëse të klasifikuar.
5. Kontratat e lidhura me kontraktorë për informacionin e klasifikuar të nivelit 3A C?Y?E?HO ?O?3BAHE/RESTRICTED/I KUFIZUAR përmbajnë një dispozitë të përshtatshme që përcakton masat minimale që duhet të zbatohen për mbrojtjen e këtij informacioni të klasifikuar. Certifikata e sigurisë për këto kontrata nuk është e nevojshme.

Neni 9
Vizitat

1. Vizitorët marrin autorizim paraprak nga autoriteti kompetent i shtetit pritës vetëm nëse ata janë autorizuar për të marrë informacion të klasifikuar në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore të brendshme dhe nëse ata duhet të marrin informacion të klasifikuar ose të futen në ambientet ku ka dalë, është trajtuar ose depozituar informacioni i klasifikuar.
2. Për procedurat e vizitave bihet dakord ndërmjet autoriteteve kompetente.
3. Kërkesa për vizitë përmban informacionin e mëposhtëm:
a) Emrin e vizitorit, datën dhe vendin e lindjes, numrin e pasaportës (kartës së identitetit);
b) Shtetësinë e vizitorit;
c) Titullin e pozicionit të vizitorit dhe emrin e organizatës që ai/ajo përfaqëson;
d) Certifikatën e sigurisë të vizitorit të nivelit të përshtatshëm të klasifikimit;
e) Qëllimin, programin e propozuar të punës dhe datën e planifikuar për vizitë;
f) Emrin e organizatave dhe ambienteve që kërkohen të vizitohen.
4. Autoritetet kompetente të Palëve mund të bien dakord të përpilojnë lista të personave të autorizuar për të bërë vizita periodike. Këto lista janë të vlefshme për një periudhë fillestare prej dymbëdhjetë muajsh. Menjëherë sapo këto lista të jenë miratuar nga autoritetet kompetente të Palëve, kushtet e vizitave specifike rregullohen drejtpërdrejt me autoritetet përkatëse të organizatave që do të vizitohen nga këta persona, në pajtim me kushtet dhe termat e rëna dakord.
5. Secila Palë garanton mbrojtjen e të dhënave personale të vizitorëve, në pajtim me ligjet dhe aktet nënligjore përkatëse.

Neni 10
Cenimi i sigurisë

1. Në rastin e cenimit të sigurisë, autoriteti kompetent, në shtetin e të cilit ka ndodhur cenimi i sigurisë, informon autoritetin kompetent të palës tjetër sa më parë të jetë e mundur dhe fillon/garanton hetimin e përshtatshëm. Pala tjetër, sipas rastit, bashkëpunon në hetim.
2. Në rastin e cenimit të sigurisë në një vend të tretë, autoriteti kompetent i palës dërguese ndërmerr veprimet, sipas paragrafit 1, nëse është e mundur.
3. Në çdo rast, pala tjetër informohet në lidhje me rezultatet e hetimit dhe merr raportin përfundimtar në lidhje me arsyet dhe masën e dëmit të shkaktuar.

Neni 11
Shpenzimet

Secila palë mbulon shpenzimet e shkaktuara gjatë përmbushjes së detyrimeve sipas kësaj Marrëveshjeje.

Neni 12
Dispozita të fundit

1. Kjo Marrëveshje përfundohet për një periudhë të pacaktuar kohe dhe hyn në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit, ku Palët njoftojnë njëra-tjetrën për përmbushjen e procedurave ligjore të brendshme të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi.
2. Kjo Marrëveshje mund të amendohet mbi bazën e pëlqimit të ndërsjellë me shkrim të të dyja Palëve. Këto amendime hyjnë në fuqi në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni.
3. Secila palë mund ta prishë këtë Marrëveshje me njoftim me shkrim drejtuar palës tjetër. Prishja hyn në fuqi gjashtë muaj pas datës së marrjes së njoftimit. Pavarësisht nga prishja e kësaj Marrëveshjeje, i gjithë informacioni i klasifikuar i transferuar në pajtim me këtë Marrëveshje vazhdon të mbrohet në pajtim me dispozitat e saj, derisa pala e origjinës ta çlirojë palën pritëse nga ky detyrim.
4. Çdo mosmarrëveshje në lidhje me interpretimin ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje zgjidhet me pajtim nëpërmjet konsultimeve ndërmjet Palëve, pa iu drejtuar juridiksionit të jashtëm.
Bërë në Sofje, më 27. 2. 2008, në dy kopje origjinale, secila në gjuhën shqipe, bullgare dhe angleze dhe të gjitha tekstet janë njëlloj autentike. Në rast mospërputhjeje në interpretim, ka përparësi teksti në gjuhën angleze.

Për Këshillin e Ministrave
të Republikës së Shqipërisë
Për Qeverinë e Republikës  
së Bullgarisë