Pyetje të Shpeshta

Çfarë quajmë “informacion i klasifikuar” ?

“Informacion i klasifikuar” është çdo dokument ose material, pavarësisht nga forma, natyra ose mënyra e transmetimit të tij, i përgatitur ose që përgatitet, për të cilin është vendosur një nivel i caktuar  klasifikimi në interes të sigurisë kombëtare dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi që kërkon mbrojtje ndaj çdo shkeljeje, shkatërrimi, përvetësimi, përhapjeje, humbjeje ose aksesi të ndonjë individi të paautorizuar dhe të çdo lloji tjetër kompromentimi sigurie.

 

Cilat janë kriteret për njohjen e informacionit të klasifikuar?

Kanë të drejtë të njihen, të ruajnë, të administrojnë e të transferojnë informacion të klasifikuar vetëm individët që:

  1. Sigurojnë të drejtën e njohjes nga titullari i ministrisë/institucionit ose Oficeri i Sigurimit Industrial i Kontraktorit për shkak të detyrës që kryejnë.
  2. Kanë zotësi të plotë për të vepruar.
  3. Janë të brifuar më parë për njohjen e procedurave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe të përgjegjësive individuale për shkeljet e sigurisë.
  4. Janë të pajisur me CSP, me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar”.

 

Çfarë është “Certifikata e Sigurimit të Personelit” (CSP) ?

CSP, është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një   individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

 

Cilat janë mënyrat e aplikimit për pajisje me CSP ? 

Mënyrat e aplikimit për të pajisur një individ me CSP janë, si më poshtë:

  1. Me kërkesë të titullarëve të ministrive dhe institucioneve shtetërore ose personave të autorizuar për punonjësit dhe stafet e tyre, të kontraktuarit ose kategoritë e individëve të parashikuar për të marrë pjesë në një prokurim të klasifikuar.
  2. Me kërkesë të Autoritetit të Sigurimit Kombëtar të një vendi tjetër, anëtar i NATO-s, BE-së ose vend me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
  3. Me kërkesë të autoritetit kompetent të sigurisë së NATO-s, të një strukture të saj apo të BE-së.
  4. Me kërkesë të drejtpërdrejtë të përfaqësuesit ligjor të një operatori ekonomik vendas, në kuadrin e procedurave për pajisje me CSI e CSP, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

 

Cilat janë afatet e lëshimit të CSP ?

Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit fillon vetëm pas paraqitjes së plotë dhe pranimit të dokumentacionit nga ana e DSIK-së dhe zgjat deri në 120 ditë kalendarike. Ky afat mund të jetë më i gjatë kur verifikimet kushtëzohen nga kryerja e procedurave në bashkëpunim me autoritetet e sigurimit kombëtar të vendeve të tjera, ose kur drejtori i DSIK udhëzon kryerjen e verifikimeve shtesë.

 

Cilat janë nivelet dhe tipet e CSP ?

Nivelet e CSP janë:

  • “Konfidencial”
  • “Sekret”
  • “Tepër sekret”

Tipet e CSP që lëshohen nga DSIK  për njohjen, ruajtjen, administrimin apo transferimin e informacioneve të klasifikuara janë:

  • të NATO-s.
  • të BE-së.
  • të prodhuara nga institucionet tona shtetërore ose/dhe të përftuara në kuadrin e bashkëpunimit dy/ose shumëpalësh me shtete dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

 

Cilat janë afatet e vlefshmërisë së një CSP ?

CSP e lëshuar nga niveli “Konfidencial” e lart, ka një afat vlefshmërie deri në 5 vite. Ndërsa për rastet e punonjësve të një OE, DSIK lëshon CSP me një afat vlefshmërie deri në 4 vite.

 

Si duhet vepruar kur një punonjës i pajisur me CSP transferohet në një institucion tjetër, në një pozicion pune që kërkohet CSP e vlefshme ?

Në rastet kur një individ  zotëron një CSP të vlefshme dhe transferohet në një vend pune, që sipas listës së funksioneve organike të miratuar të institucionit të ri duhet të ketë CSP, atëherë DSIK pas kërkesës së arsyetuar me shkrim të institucionit të ri, bën konfirmimin e vlefshmërisë së CSP dhe modelimin e saj në përputhje me të dhënat e reja të pozicionit të punës.

 

Çfarë kuptojmë me “Verifikim i Sigurisë” ?

“Verifikimi i Sigurisë” është tërësia e masave dhe e procedurave të aplikuara ndaj një individi, mbi bazën e të cilave do të vlerësohet lëshimi, refuzimi, pezullimi i përkohshëm ose heqja e “Certifikatës së Sigurimit të Personelit”.

 

Cilat janë rastet e refuzimit, heqjes apo pezullimit të CSP ?

DSIK ka të drejtë të marrë vendim për refuzimin, heqjen ose pezullimin e përkohshëm të CSP në rastet kur, nëpërmjet autoriteteve verifikuese ose/dhe strukturave shtetërore të përfshira në procesin e verifikimit është përftuar informacion, sipas të cilit vlerësohet se pajisja ose mbajtja e mëtejshme e CSP nga një individ i caktuar përbën rrezik të papranueshëm sigurie, referuar kërkesave të legjislacionit në fuqi. (Shiko nenet 13 e 14, të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”).

Njoftimi për vendimin e marrë nga DSIK për refuzim, heqje ose pezullim të përkohshëm të CSP i komunikohet me shkrim titullarit të strukturës kërkuese.

 

Si është e rregulluar e drejta e ankimit për rastet kur një individi i refuzohet, hiqet apo pezullohet CSP ?

Njoftimi për vendimin e marrë nga DSIK për refuzim, heqje ose pezullim të përkohshëm të CSP i komunikohet me shkrim titullarit të strukturës kërkuese, i cili ka të drejtë të paraqesë kërkesë me shkrim për rishqyrtimin e vendimit të marrë nga DSIK.

Kjo kërkesë i adresohet titullarit të DSIK  brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të vendimit për refuzimin, heqjen ose pezullimin e përkohshëm të CSP.

Titullari i DSIK shqyrton dhe vendos për kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e pranimit të saj.

Në rastet e mospajtimit me përgjigjen e titullarit të DSIK brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit, titullari i strukturës kërkuese ka të drejtë ta ankimojë atë me shkrim tek Kryeministri.

Kryeministri pas marrjes së ankesës, brenda 30 ditëve kalendarike, shprehet me akt të veçantë, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim nga DSIK dhe struktura që ka bërë ankimimin.

 

Si duhet të veprojë një individ i pajisur me CSP pasi  ndërpret marrëdhëniet e punës, apo transferohet në një pozicion që nuk kërkohet mbajtja e CSP ?

Individët e pajisur me CSP në rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës apo të ndryshimit të funksionit organik, kur nuk kërkohet mbajtja e mëtejshme e CSP e dorëzojnë atë tek oficeri i sigurisë ose struktura përgjegjëse e institucionit ku ato punojnë dhe u nënshtrohen procedurave të debrifimit duke nënshkruar në dokumentin përkatës.

Ata janë përgjegjës për ruajtjen e informacionit të klasifikuar edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Institucionet ruajnë dhe administrojnë regjistrimet (rekordet) e individëve të brifuar dhe të debrifuar.

 

Si duhet të veproj për t’u pajisur me CSP kur më kërkohet për shkak të aplikimit për punë në një kompani të huaj apo organizatë ndërkombëtare ?

Në të tilla raste pajisja me CSP realizohet vetëm pas kërkesës zyrtare që i adresohet DSIK nga Autoriteti i Sigurimit Kombëtar (NSA) i shtetit të huaj, (duhet të jetë vend anëtar i NATO-s, BE-së, ose vend me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar), apo përmes autoritetit kompetent të sigurisë së NATO-s, të një strukture të saj, apo të BE-së.

Aplikanti plotëson dokumentacionin e kërkuar dhe vihet në kontakt me DSIK.

DSIK kryen procedurat e verifikimit të sigurisë dhe në përfundim, nëse konkludon për lëshim e CSP, i adreson përgjigjen strukturës që ka paraqitur kërkesën.

 

Çfarë është “Certifikata e Sigurimit Industrial” (CSI) ?

CSI është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ose i një Autoriteti Kompetent të Sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton, nga pikëpamja e sigurisë, se një operator ekonomik, ka kapacitetet dhe aftësitë organizative, teknike, fizike dhe i plotëson standardet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen dhe administrimin e informacionit të klasifikuar, në një projekt/program, apo kontratë/nënkontratë të klasifikuar.

 

Cilat janë mënyrat e aplikimit për t’u pajisur me CSI ?

Mënyrat e aplikimit për t’u pajisur me CSI janë:

  1. Me kërkesë të Autoritetit Kontraktor për pjesëmarrje në një prokurim të klasifikuar brenda vendit.
  2. Me kërkesë të Autoritetit të Sigurimit Kombëtar të një vendi tjetër, për pjesëmarrje në një prokurim të klasifikuar, të organizuar nga Autoritete Kontraktore të shteteve të tjera.
  3. Me kërkesë të Autoritetit Kompetent të Sigurisë së NATO-s, të një strukture të saj, apo të një organizate tjetër ndërkombëtare për pjesëmarrje në një prokurim të klasifikuar të organizuar prej tyre.
  4. Me kërkesë të drejtpërdrejte të Operatorit Ekonomik vendas kur plotësohen disa kushte paraprake.

 

Cilat janë kushtet paraprake që duhet të plotësoje një OE për të aplikuar në mënyre të drejtpërdrejtë për t’u pajisur me CSI ?

  1. Gjatë tre viteve të fundit nuk është i përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik nga Agjencia e Prokurimit Publik, vërtetuar me dokumentacion përkatës origjinal.
  2. Zotëron qëndrueshmëri financiare të dëshmuar përmes bilanceve pozitive të tre viteve të fundit, referuar pasqyrave financiare dhe është i pajisur me licencën/at profesionale, në lidhje me veprimtarinë për të cilën do të kërkojë pajisjen me CSI. (Këto dokumente duhet të jenë origjinale, ose kopje të njehsuara me origjinalin).
  3. Gjatë tri viteve të fundit ka marrë pjesë në një, ose më shumë kontrata të klasifikuara, apo të paklasifikuara, me objekt të ngjashëm me fushën e veprimtarisë për të cilën kërkon pajisjen me CSI, shoqëruar me vërtetimin/et për cilësinë e realizimit të tyre. (Këto dokumente duhet të jenë origjinale, ose kopje të njehsuara me origjinalin).

 

 

 Cilat janë afatet e vlefshmërisë së një CSI ?

Afatet e vlefshmërisë për të gjitha nivelet dhe tipet e CSI është deri në 4 vite. I njëjti afat vlefshmërie është edhe për CSP e personelit të OE të pajisur me CSI.

 

Cila është vlefshmëria e CSI së një OE të një shteti tjetër ?

Për OE të vendeve të tjera, CSI lëshohet nga Autoritetet e Sigurimit Kombëtar ose çdo Autoritet Kompetent Sigurie i vendit ku është i regjistruar Operatori Ekonomik. Kjo certifikatë konsiderohet e vlefshme, vetëm pas konfirmimit me shkrim nga DSIK, adresuar Autoritetit Kontraktor. DSIK përpara se të konfirmojë CSI, bashkëpunon me Autoritetet Homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse.

 

Sa zgjat periudha nga aplikimi deri në momentin e lëshimit të CSI ?

Afati është deri në 120 ditë kalendarike. Gjatë kësaj periudhe kryhen verifikimet përkatëse.

Procedurat e verifikimit dhe afatet për lëshimin e CSI dhe të CSP fillojnë në datën e pranimit të dokumentacionit të plotë nga DSIK.

 

A është përcaktuar pagesë për rastet e aplikimeve për pajisje me CSI ? Kur dhe ku kryhet kjo pagese?

Pagesa e shërbimit për fillimin e procedurave të certifikimit është :

  • Në shumën 50.000 lekë, për rastet e aplikimit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 7, pikat; “a”, “b”, “c”. (shiko VKM nr. 701, datë 22.10.2014);
  • Në shumën 100.000 lekë, për rastet e aplikimit, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 7, pika “d”. (shiko VKM nr. 701, datë 22.10.2014).

Kjo pagesë kryhet vetëm pasi pranohet dokumentacioni i plotë nga struktura përkatëse.

Pagesa kryhet në numrin e llogarisë bankare që ofron nëpunësi i autorizuar i DSIK.

 

Çfarë përfshin procesi i verifikimit për pajisjen me CSI ?

Procedurat e verifikimit për lëshimin e CSI kryhen në përputhje me kërkesat e kësaj rregullore dhe përfshijnë aspekte që lidhen me:

  1. Strukturën e pronësisë së Operatorit Ekonomik, qëndrueshmërinë e tij financiare, reputacionin tregtar, aftësinë dhe kapacitetet teknike, si dhe aspektet e sigurisë.
  2. Pronarët/aksionarët dhe stafin menaxherial, që për shkak të funksioneve do të kenë akses tek informacioni i klasifikuar.
  3. Personin e propozuar në pozitën e OSI, zëvendësit të tij dhe punonjësit që do të kenë akses tek informacioni i klasifikuar.

 

Si duhet të veprojë OE i pajisur me CSI, lidhur me pajisjen me CSP të një shtetasi të huaj, për të cilin ka interes për ta punësuar ?

Operatori Ekonomik/Kontraktori përpara se të punësojë një shtetas të huaj në një pozicion, që kërkon akses tek informacioni i klasifikuar kërkon konfirmimin e DSIK, nëse Autoriteti Homolog i vendit, shtetësinë e të cilit ky punonjës ka deklaruar, e ka pajisur atë përshtatshmërisht me CSP.

Në rastet kur punonjësi i referuar në paragrafin 1 të këtij neni, ka një afat qëndrimi për një periudhe më shumë se 5 vjet në Republikën e Shqipërisë, ose ka dy shtetësi, atëherë verifikimi i tij do të kryhet nga DSIK dhe Autoriteti Homolog i vendit tjetër.

 

Cilat janë rastet kur DSIK merr vendim për pezullimin apo heqjen e CSI së një OE ?

DSIK ka të drejtë të marrë vendim për pezullimin, ose heqjen e CSI, në rastet kur nëpërmjet strukturave shtetërore të përfshira në procesin e verifikimit merr informacione që përbejnë rrezik për sigurinë, ose në qoftë se:

  1. Kontraktori nuk i përmbush kushtet për lëshimin CSI, referuar në nenet 28, 29, të kësaj rregulloreje.
  2. Kontraktori ka shpallur falimentimin.
  3. Certifikatat e Sigurisë për personelin, apo certifikata lidhur me akreditimin sistemeve informatike të informacionit të klasifikuar, referuar në nenin 31, të kësaj rregulloreje, janë refuzuar, ose hequr.
  4. Kërkesa për rinovimin e CSI, nuk është dërguar brenda afatit të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
  5. DSIK nuk ka marrë njoftimin me shkrim brenda 15 ditëve lidhur me ndryshimet e referuara në nenin 31, pikat, “a”, “b”, “c”, “d”, “e” të kësaj rregulloreje.
  6. DSIK ka të drejtë të vendosë për pezullimin ose heqjen e CSI për kontraktorin/nënkontraktorin, kur vlerëson se ekzistojnë rrethanat e referuara në nenin 31 (shih kushtet e nenit), të cilat përbëjnë kërcënim për sigurinë e informacionit të klasifikuar që administrohet ose/edhe prodhohet në kushtet e një kontrate/nënkontrate të klasifikuar.

 

Cilat janë veprimet që ndërmerren nga DSIK kur i pezullohet ose hiqet CSI një OE ?

Në rastet kur DSIK pezullon ose heq CSI duhet të informojë menjëherë të gjitha Palët e përfshira në realizimin e kontratës së klasifikuar.

Për rastet kur kontraktori/nënkontraktori është Palë në një kontratë/nënkontratë të klasifikuar ndërkombëtare, DSIK njofton menjëherë Autoritetin Kompetent të Sigurisë.

  

Sa zgjat periudha e pezullimit të CSI ?

Vendimi mbi pezullimin e CSI është i vlefshëm deri në momentin e shuarjes së rrethanave, që përbëjnë rrezik të mundshëm sigurie ose deri në momentin kur CSI i ka kaluar afati i vlefshmërisë.

 

Si është e rregulluar e drejta e ankimit për rastet kur një OE i hiqet ose pezullohet CSI ?

 Njoftimi për vendimin e marrë nga DSIK, për pezullimin ose heqjen e CSI i komunikohet me shkrim Autoritetit Kontraktor dhe nëpërmjet tij vihet në dijeni Kontraktori. Autoriteti Kontraktor ose Kontraktori kanë të drejtë që të paraqesin kërkesë me shkrim, për rishqyrtimin e vendimit të marrë nga DSIK, për pezullimin ose heqjen e CSI. Kjo kërkesë i adresohet titullarit të DSIK, brenda 15 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit për vendimin për pezullimin ose heqjen e CSI.

Titullari i DSIK, shqyrton dhe vendos mbi kërkesën e paraqitur brenda 30 ditëve kalendarike nga dita e pranimit të kërkesës në institucion.

Në rastet e mospajtimit me përgjigjen e titullarit të DSIK, brenda 15 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit, Autoriteti Kontraktor ose Kontraktori kanë të drejtë t’ia adresojnë ankesën e tyre me shkrim Kryeministrit.

Kryeministri pas marrjes së ankesës, brenda 30 ditëve kalendarike shprehet me akt të veçantë, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim nga DSIK, Autoriteti Kontraktor dhe Kontraktori.

 

Çfare është informacioni i klasifikuar “Sekret Shtetëror” ,nivelet e klasifikimit dhe cili është  Autoritet Klasifikues?

“Sekret shtetëror”, do të thotë informacion i klasifikuar sipas këtij ligji, ekspozimi i paautorizuar i të cilit mund të rrezikojë sigurimin kombëtar.

NIVELET E KLASIFIKIMIT

  • “Tepër sekret”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme veçanërisht të rënda sigurisë kombëtare.
  • “Sekret”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme serioze sigurisë kombëtare.
  • “Konfidencial”, kur ekspozimi i paautorizuar mund t’i shkaktojë dëme sigurisë kombëtare.
  • “I Kufizuar“, kur ekspozimi i paautorizuar mund të demtojë veprimtarinë ose efektivitetin e institucioneve shtetërore në fushën e sigurisë kombëtare.

Informacioni që përbën “Sekret shtetëror”, klasifikohet nga një autoritet i klasifikimit origjinal. Ai zotërohet e prodhohet për interesa të shtetit dhe është nën kontrollin e tij.

Autoriteti për klasifikimin e informacionit mund të ushtrohet vetëm nga:

  • Presidenti.
  • Kryeministri.
  • Drejtuesit e institucioneve të autorizuara nga Kryeministri.
  • Funksionarë të lartë brenda këtyre institucioneve, që e marrin këtë autoritet me anë të delegimit.

 

Cilat janë shenjëzimet e një informacioni të klasifikuar “Sekret shtetëror”?

Që informacioni i klasifikuar të identifikohet si i tillë duhet të përmbajë:

  1. stemën e republikës;
  2. intestimin “Republika e Shqipërisë”;
  3. emërtimin e organit shtetëror dhe të strukturës përkatëse (nëse ka të tillë);
  4. numrin e regjistrit (protokollit) të korrespondencës;
  5. nivelin e klasifikimit;
  6. afatin e ruajtjes së klasifikimit;
  7. numrin e kopjes;
  8. numrin e faqeve;
  9. numrin e lidhjeve për çdo kopje (nëse ka);
  10. vendin dhe datën;
  11. lëndën;
  12. adresën e korrespondentit;
  13. emrin e mbiemrin e personit që nënshkruan dokumentin dhe nënshkrimin e tij;
  14. vulën e institucionit prodhues.

 

Çfarë është Zyra e Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror”dhe cilat janë detyrat?

Zyra e Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror”, ka për detyrë evidentimin e hyrje/daljes, shpërndarjes, dhe shfrytëzimin e informacionit të klasifikuar.

Zyra e Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror” në rastet kur nuk funksionon si njësi strukturore e veçantë, përfaqëson personelin e protokoll/arkivit në ministri/institucione shtetërore që, përveç funksioneve të tyre, janë ngarkuar për punën me informacionin e klasifikuar që kjo ministri/institucion administron.

Zyra e Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror” mund të regjistrojë, qarkullojë, administrojë, shumëfishojë, arkivojë edhe informacion të paklasifikuar, por në regjistra të veçantë për informacionin e paklasifikuar.

Çfarë është deklasifikimi  dhe zhvlerësimi i informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”?

Deklasifikimi nënkupton ndryshimin e autorizuar të statusit të informacionit, nga informacion i klasifikuar në informacion të paklasifikuar.

Informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” në administrim të ministrive e institucioneve shtetërore , mund t’i nënshtrohet procesit të deklasifikimit të plotë apo deklasifikimit të pjesshëm në rastet kur:

a.interesi apo nevoja për ta deklasifikuar diktohet nga interesa më të rëndesishme shtetërore se sa nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar;

b.informacioni ka humbur vlerat dhe për qëllimin për të cilin është klasifikuar;

c.ka mbaruar afati i ruajtjes së klasifikimit.

Kërkesa për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, i drejtohet KDZH-së dhe mund të paraqitet nga:

  1. fondkrijuesi
  2. fondruajtësi
  3. çdo punonjës apo strukturë e interesuar brenda ministrisë apo institucionit
  4. çdo person fizik apo juridik

“Zhvlerësim”, do të kuptojmë uljen e nivelit të klasifikimit nga një nivel më i lartë klasifikues në një nivel më të ulët klasifikues.

 

Si kryhet transportimi fizik i informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”?

Institucionet shtetërore të cilat kanë informacion të klasifikuar hyjnë në marrëdhënie kontraktore me postën shqiptare sh.a për transportimin e objekteve dhe pakove postare të klasifikuara si dhe për tarifat e këtij shërbimi.

Transportimi fizik bëhet nga korrieri i postës së klasifikuar dhe shoferi i automjetit në filialin e tranzitit të Postës Shqiptare, Tiranë. Ky transportim fizik mund të bëhet edhe nga vetë institucionet, por duke zbatuar rregullat përkatëse të transportimit fizik.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dërgon në mënyrë të vazhdueshme te Posta Shqiptare sh.a., listën e institucioneve shtetërore të cilët administrojnë informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

 

Çfarë detyrimesh kanë ministritë dhe institucionet shtetërore lidhur me zbatimin e vendimit për asgjësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”?

Të nxjerrin:

  • Urdhërin  për llojet dhe kategoritë e dokumentave të klasifikuara të cilat i nënshtrohen procesit të asgjësimit.
  • Udhëzimin në zbatim të Vendimit nr.81, datë 28.1.2008, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për asgjësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” , i ndryshuar.
  • Urdhëri për Komisionin e Shqyrtimit dhe Asgjësimit të Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror”
  • Urdhërin për Komisionin e Shkatërrimit të Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror”.
  • Asgjësimi i Informacionit të Klasifikuar bëhet kur ky informacion nuk ka vlerë për ruajtje të mëtejshme dhe nuk duhet të deklasifikohet.
  • Asgjësimi i Informacionit të Klasifikuar bëhet me mjete, menyra e metoda të cilat e bëjnë të pamundur rindërtimin e pjesshëm apo të plotë të tij.

 

A mundet të mbajmë informacionin e klasifikuar të NATO dhe BE gjatë takimeve.

Mbajtja personale e informacionit të klasifikuar të NATO dhe BE mund të kryhet vetëm për aktivitete, takime ose operacione të përbashkëta të organizuar nga NATO, brenda një Vendi Anëtar të NATO dhe lejohet vetëm punonjësve/nëpunësve të certifikuar përshtatshmërisht, për arsye zyrtare dhe të autorizuar nga titullari i institucionit.

Mbajtja personale realizohet me kusht që:

1.Të mbahet një rekord në Zyrën e Nënregjistrit ose në Pikën e Kontrollit të Informacionit të Klasifikuar të NATO dhe BE që ka në ngarkim informacionin e klasifikuar;

a) Informacioni i klasifikuar i NATO ose BE duhet të paketohet në mënyrë të tillë që të pengohet aksesi i paautorizuar, të mbahet në çantë diplomatike, nuk duhet të lihet pa mbikqyrje dhe të hapet gjatë rrugës ose në vende publike.

Kujtesë:
   Këto rregulla aplikohen vetëm për informacionin e klasifikuar të NATO dhe BE deri në nivelin Sekret.

 

Çfarë kuptojmë me sigurim fizik të informacionit të klasifikuar?

Me “Sigurim fizik të informacionit të klasifikuar”, kuptojmë tërësinë e masave fizike, teknike, elektronike dhe proceduriale për ruajtjen e zonave të sigurisë, ndërtesave, zyrave, dhomave dhe pajisjeve ku administrohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror”, i NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndëkombëtare.

Çfarë janë zonat e sigurisë?

Zonat e Sigurisë”, janë ambientet, mjediset, ndërtesat, dhomat, zyrat, etj., ku administrohet (prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, transmetohet, ruhet) informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror”, i NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Ato ndahen në Zonë Sigurie e Klasit të Parë, Zonë Sigurie e Klasit të Dytë dhe Zonë Administrative.

 

Ç’është Struktura e Sigurisë/Oficeri i Sigurisë dhe detyrat e tij?

Struktura e Sigurisë/Oficeri i Sigurisë është pikë kontakti ndërmjet instiucionit shtetëror dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacioni të Klasifikuar për organizimin, koordinimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e të gjithave aspekteve ligjore dhe nënligjore për punën me informacionin e klasifikuar“Sekret shtetëror”, të NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndëkombëtare.

Struktura e Sigurisë/Oficeri i Sigurisë emërohet nga titullari i institucionit dhe ndjek dinamikën e ndryshimeve të akteve normative në zbatim të legjislacionit në fuqi. Struktura e Sigurisë mbikëqyr dhe inspekton në mënyrë të vazhdueshme punën me informacionin e klasifikuar brenda institucionit, i raporton titullarit të institucionit dhe nëpërmjet tij Drejtorisë së Sigurimit të Informacioni të Klasifikuar.

 

Cili institucion kryen dizinfektimin elektronik, në zyrat dhe ambjentet në të cilat administrohet Informacion i Klasifikuar?

Drejtoria e Sigurimit të Informacioni të Klasifikuar, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, në mënyrë periodike kryen dezinfektimin elektronik të ndërtesave, zyrave, dhomave, paisjeve etj. , ku prodhohet, regjistrohet, shfrytëzohet, transmetohet, ruhet, arkivohet dhe shkatërrohet informacion i klasifikuar “Sekret shtetëror”, i NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndëkombëtare.